Home / Uncategorized / Rusia lejon evakuimin drejt Gjermanisë të Alexei Navalny-it në gjendje kome

Rusia lejon evakuimin drejt Gjermanisë të Alexei Navalny-it në gjendje kome

OMSK, RUSI – Doktorët rusë thanë të premten se kritiku i Kremlinit në gjendje të rëndë shëndetësore, Alexei Navalny, mund të transportohet me avion drejt Gjermanisë për të marrë kujdesin e duhur shëndetësor. Njoftimi u bë pasi aleatët politikë të udhëheqësit opozitar akuzuan autoritetet ruse se u përpoqën të ndalin evakuimin e tij.

Jeta e zotit Navalny u tha se nuk ishte në rrezik të menjëhershëm. Ai u vendos nga mjekët në koma dhe truri i tij shfaqet në gjendje të qëndrueshme, thanë mjekët në një spital në qytetin siberian Omsk.

Kira Yarmysh, zëdhënësja e zotit Navalny, tha se ai pritet të evakuohet me avion të shtunën në mëngjes.

Zoti Navalny, një kundërshtar i hershëm i Presidentit Vladimir Putin dhe aktivist kundër korrupsionit, humbi ndjenjat në një avion të enjten, pasi piu një çaj në të cilin aleatët e tij besojnë se kishte helm.

Mjekët gjermanë udhëtuan me avion për të evakuar 44-vjeçarin Navalny, me kërkesë të bashkëshortes së tij dhe aleatëve, të cilët thanë se autoritetet mund të përpiqeshin të mbulonin gjurmët për rrethanat e sëmundjes, dhe se spitali ku ai ishte shtruar nuk ishte i pajisur siç duhet.

Stafi mjekësor në spitalin në Omsk tha fillimisht të premten se megjithëse gjendja e zotit Navalny ishte përmirësuar paksa gjatë natës, ai nuk ishte në një gjendje të stabilizuar për t’u transportuar i sigurtë jashtë vendit.

Por në orët e vona të së premtes, ata thanë se nuk do të kundërshtojnë lëvizjen e tij pasi mjekëve gjermanë iu lejua ta shihnin zotin Navalny dhe thanë se ata mendojnë se ai ishte në gjendje të përshtatshme për të udhëtuar.

Një ndër mjekët kryesorë në spital, Anatoly Kalinichenko, tha se spitali mund të ndihmojë në transportimin e zotit Navalny për në aeroport dhe se ai do të transferohej brenda disa orësh.

“Kemi marrë vendimin të mos kundërshtojmë transferimin e tij në një spital tjetër”, tha zoti Kalinichenko.

Yulia Navalnaya, bashkëshortja e opozitarit rus duke ecur pranë spitalit në Omsk
Yulia Navalnaya, bashkëshortja e opozitarit rus duke ecur pranë spitalit në Omsk

Apeli i bashkëshortes

Bashkëshortja e zotit Navalny, Yulia, më herët i dërgoi një letër Kremlinit duke i bërë thirrje të drejtpërdrejtë për të ndërhyrë dhe miratuar lejen që burri i saj të transportohej jashtë vendit.

“Është për të ardhur keq që u desh kaq shumë kohë që mjekët të merrnin vendimin. Aeroplani ka qenë duke pritur që në mëngjes. Dokumentet ishin gjithashtu gati që atëherë”, tha të premten zonja Yarmysh që është zëdhënëse e opozitarit Navalny.

Alexander Murakhovsky, mjeku kryesor në spital, tha më herët se zoti Navalny ishte diagnostikuar me një sëmundje metabolike që mund të jetë shkaktuar nga niveli i ulët i sheqerit në gjak.

Ai tha se ishin gjetur gjurmën e një substance kimike industriale në rrobat e zotit Navalny dhe gishtat e tij dhe se mjekët nuk besojnë se ai ishte helmuar.

Opozitari Navalny ka kritikuar Kremlinin për më shumë se një dekadë, duke ekspozuar atë që ai e quan marrje ryshfeti të nivelit të lartë dhe duke mobilizuar turma të rinjsh protestues.

Ai është arrestuar në mënyrë të përsëritur për organizimin e takimeve publike dhe tubimeve dhe është paditur lidhur me hetimet e tij ndaj korrupsionit. Atij iu ndalua kandidimi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018.

Zoti Navalny u sëmur ndërsa po udhëtonte me avion drejt Moskës nga qyteti Tomsk në Siberi. Atje ai ishte takuar me aleatët para zgjedhjeve rajonale të muajit që vjen. Ai u mor me barelë, ndërsa nuk lëvizte, nga aeroplani dhe u dërgua me shpejtësi në spital pasi avioni me të cilin udhëtonte bëri një ndalesë emergjence në qytetin Omsk

Check Also

E ndaluan për kamionin pa targa, vëllezërit e shoferit kanosin policët

Tre persona kanë përfunduar në prangat e policisë dhe një tjetër është shpallur në kërkim, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

11 + six =