Home / Investigim / RTSH PUBLIK SHKELI HESHTJEN ZGJEDHORE/ MEDIAT FAVORIZUAN PARTINË E EDI RAMËS

RTSH PUBLIK SHKELI HESHTJEN ZGJEDHORE/ MEDIAT FAVORIZUAN PARTINË E EDI RAMËS

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve bëri një sy qorr ndaj njëanshmërisë së medias edhe pse shumica e televizioneve shkelën ligjin duke dhënë më shumë hapsirë për Partinë Socialiste, që drejton kryeministri Edi Rama. Raportimin e sjell Rrjeti ballkanik i Gazetarisë Investigative BIRN , duke bërë fjalë për sjelljen e medias përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021. “Por ato i shpëtuan sanksioneve”, konkludon rrjeti, duke vijuar si më poshtë;

” Me gjobitjen e televizionit publik, RTSH, për shkeljen e heshtjes zgjedhore në prag të zgjedhjeve parlamentare të prillit, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve shpërfilli njëanshmërinë e madhe në të gjitha mediat elektronike shqiptare në favor të Partisë Socialiste në pushtet, thonë ekspertët.

Komisioneri e gjobiti RTSH-në, e cila financohet nga publiku, me dy milionë lekë, rreth 16,250 euro, në përgjigje të një raporti të Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA, i cili për herë të parë në zgjedhjet parliamentare të prillit monitoroi ndarjen e kohës televizive për partitë politike në mediat transmetuese.

Të dhënat e AMA-s të analizuara nga BIRN tregojnë se televizionet e shkelën kodin zgjedhor duke i kushtuar më shumë kohë transmetimeve për Partinë Socialiste në pushtet sesa rivalëve të saj kryesorë, Partisë Demokratike dhe partive të tjera të vogla.

AMA rekomandoi sanksione kundër disa medieve, por Komisioneri vendosi të gjobisë vetëm televizionin publik për thyerjen e “heshtjes zgjedhore” në prag të votimeve.

Ekspertëve kjo u duket e pabesueshme, ndërsa një anëtar i bordit të AMA-s, Sami Neza, tha se ai ishte “i befasuar”.

“Ne kemi çuar më tepër masa, domethënë propozime për masa administrative dhe në të gjitha rastet nuk janë konsideruar,” tha Neza.

Premto Gogo, drejtori ekzekutiv i Koalicionit për Reformat, Integrimin dhe Institucione të Konsoliduara, KRIIK, një OJQ e përfshirë në monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri, tha për BIRN:

“Mediat nuk kanë qenë të ekuilibruara në mbulimin e fushatës zgjedhore. Ky sanksion do të rëndojë vetëm tatimpaguesit.”

“Efekt direkt” në rezultatin e zgjedhjeve

Sipas kodit zgjedhor, televizioneve u kërkohet të sigurojnë një mbulim të ekuilibruar, pluralist dhe të paanshëm gjatë fushatës zgjedhore, duke respektuar standardet e gazetarisë profesionale dhe duke shmangur përdorimin e gjuhës së urrejtjes.

Kodi përcakton që transmetuesit duhet të caktojnë kohë të barabartë transmetimi për dy partitë më të mëdha dhe këto parti nuk duhet të marrin më shumë se dyfishin e kohës së transmetimit të partive më të vogla politike.

Megjithatë, sipas të dhënave të mbledhura nga AMA nga 22 stacione televizive dhe të analizuara nga BIRN, 41.2 për qind e kohës televizive gjatë lajmeve iu kushtua Socialistëve në pushtet, 32.9 për qind Partisë Demokratike në opozitë, si dhe 15.4 për qind qeverisë dhe presidentit. Socialistët i fituan zgjedhjet dhe Rama arriti të siguronte një mandat të tretë radhazi si kryeministër.

Dominimi i Partisë Socialiste është edhe më i madh nëse merren në analizë vetëm tre televizionet e mëdhenj privatë kombëtarë, TV Klan, Top Channel dhe Vizion Plus, të cilët kanë dhe pjesën më të madhe të audiencës në tregun shqiptar. Në këta të tre, socialistët gëzuan 50.4 për qind të kohës televizive, krahasuar me 33.1 për qind që iu kushtua demokratëve.

“Nuk mund më të përmend me emra mediat, por ke raste që media kanë transmetuar edhe 80% në një krahë politik gjatë fushatës zgjedhore”, tha Neza, anëtar i bordit të AMA-s. ” Mendoj që duhet të ketë një qasje tjetër qoftë edhe në ligj, në lidhje me disiplinimin e mediave në fushatë elektorale.”

Përfaqësimi i dy partive kryesore në emisionet televizive ishte më i ekuilibruar për sa i përket kohës së transmetimit të caktuar nga të gjitha stacionet televizive kombëtare dhe lokale të monitoruara nga AMA.

Por nëse analizon tre televizionet e mëdhenj kombëtarë të vendit, të cilët kanë programet më të njohura politike, dominimi i partisë në pushtet është i qartë: Top Channel, Klan TV dhe Vizion Plus i dhanë 48.2 për qind të kohës në programe televizive kandidatëve të Partisë Socialiste dhe vetëm 23.9 për qind atyre të Partisë Demokratike.

Edhe për sa i përket transmetimeve të drejtpërdrejta, televizionet kryesore shqiptare favorizuan socialistët e Ramës me 48.6 për qind të kohës së transmetimit, krahasuar me 38.9 për qind për demokratët.

Dy partitë më të mëdha morën gjithashtu disa herë më shumë kohë transmetimi sesa kufiri i vendosur nga kodi zgjedhor, në krahasim me 17 partitë e tjera që garonin për në parlament.

Marrë së bashku, Socialistët dhe Demokratët gëzuan 74.1 për qind të mbulimit të lajmeve, 71.3 për qind të kohës së transmetimit në programe televizive dhe 87.8 për qind të kohës së transmetimit të caktuar për transmetimet e drejtpërdrejta të eventeve nga fushata zgjedhore.

“Koha e vënë në dispozicion dy partive kryesore ndikon drejtpërdrejtë në rezultatin zgjedhor “, tha Elvin Luku, profesor në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës.

Pabarazia fillon me kodin zgjedhor, tha ai, i cili cakton më shumë kohë transmetimi për partitë kryesore sesa për partitë dhe lëvizjet e reja ose të vogla politike.

” partitë e vogla kanë pak mundësi financiare për reklama, spote e aktivitete dhe raporti i përfaqësimit të tyre në televizionet private vendore e kombëtare është thuajse inekzistent krahasuar me dy partitë e mëdha,” shtoi Luku për BIRN.

Burrat të favorizuar në krahasim me gratë

Përveç mungesës së ekuilibrit midis partive, gratë gjithashtu vuajtën krahasuar me kolegët e tyre dhe konkurrentët burra për në parlament, pavarësisht nga përkatësia politike.

Në të gjithë stacionet televizive kombëtare dhe lokale të monitoruara nga AMA, burrat gëzonin 80.8 për qind të kohës televizive krahasuar me 19.2 për qind që shkonte për gratë, pavarësisht nga fakti se 39.8 për qind e kandidatëve që garonin për parlament ishin gra.

Një raport monitorimi i realizuar nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, AWEN, mbi mbulimin e grave në media gjatë fushatës zgjedhore kritikoi si “sipërfaqësore” mënyrën në të cilën katër televizione kombëtare mbuluan çështje të rëndësishme për votueset femra në edicionet e tyre të lajmeve të mbrëmjes.

Ndërsa emisionet politike, posaçërisht ato të drejtuara nga gazetare, u jepnin më shumë mundësi kandidateve femra, kjo shpesh kufizohej në një numër të vogël emrash të njohur, ndërsa kandidatet e reja luftonin shumë për të siguruar kohë televizive.

“Programet televizive që kemi monitoruar tregojnë se koha e transmetimit për burrat është gjithmonë më e madhe se koha e dhënë për gratë”, tha drejtoresha ekzekutive e AWEN, Ines Leskaj. “Gjithashtu, në kronikat e transmetuara gjatë edicionet informative gjatë periudhës së fushatës, në qendër ishin politikanët meshkuj.”

Leskaj tha se mbulimi i fushatës neglizhoi çështje të rëndësishme të tilla si dhuna me bazë gjinore, e cila është një problem i madh në Shqipëri, neglizhoi gazetaret femra dhe favorizoi kandidatet që përdorën gjuhë agresive.

“Më shumë kohë televizive iu dha kandidateve që sulmuan kryeministrin ose liderët e tjerë të partisë dhe që përdorën gjuhë të ashpër ndaj kundërshtarëve”, tha Leskaj.

Përveç monitorimit të caktimit të kohës së transmetimit, AMA gjithashtu bën rekomandime gjatë fushatës për televizionet në mënyrë që ata ta ekuilibrojnë më mirë mbulimin e tyre, duke kompensuar partitë e neglizhuara më parë.

Por anëtari i bordit të AMA-s, Neza, tha se procesi nuk ishte i drejtë.

“Ju mund të keni favorizuar dikë në prime time dhe shkon e kompenson jo në prime time, por e kompenson paradite,” tha ai. “Kështu që edhe kompensimi duhet rishikuar si mekanizëm që siguron barazinë e transmetimit me kohë.”

Neza bëri thirrje gjithashtu për ndryshime ligjore për të rregulluar pushtetin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për të vendosur sanksione, duke i thënë BIRN: “Duhet të jetë ligji dhe aktet nënligjore që duhet ë detyrojnë atë që të reagojë ndaj sjelljes disproporcionale të mediave në raport me aktorët poltikë..”/ Reporter.al – Autor Besar Likmeta/

* Titulli është i “Arberianews.net”.

Check Also

Shqipëria me vdekshmërinë më të lartë foshnjore në Rajon dhe Europë

Përpjekjet e tre dekadave në uljen e vdekshmërisë foshnjore u përmbysën vitet fundit, kur numri …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 + thirteen =