Home / Intervista / Rruga e katërt e Anthony Giddens

Rruga e katërt e Anthony Giddens

20-30 vitet e ardhshme mund të jenë periudha më vendimtare e historisë njerëzore”.

Është ky parashikimi për botën P.C. (pas Covid-19), që bën Anthony Giddens, me siguri sociologu më i spikatur i modernitetit, ish-drejtues i London School of Economics, teoricieni i Rrugës së Tretë dhe reformatori që solli qendrën e majtë në pushtet pas viteve ’90, nga Clinton te Blair, nga Schroeder te Prodi.

Anëtar i Dhomës së Lordëve, është autor i shumë punimeve akademike dhe eseistike, ndër të cilat “Politika e ndryshimeve klimatike”.

Giddens thotë se tani kemi hyrë në kohën “e mundësive të shumta, por edhe të rreziqeve të mëdha” për përballimin e së cilave është e nevojshme “një formë e re progresi”: një lloj rruge e katërt, mes revolucionit të gjelbër dhe luftës ndaj pabarazive.

Profesor, si do të jetë e ardhmja pas pandemisë?

Më vjen ndër mend batuta e vjetër e Yogi Berra, trajnerit të madh amerikan të bejsbollit: “Është e vështirë të bësh parashikime, mbi të gjithë për të ardhmen”. Në këtë rast është akoma më e vështirë, sepse nuk ka ekzistuar kurrë më parë një krizë e tillë që njëkohësisht ka paralizuar gjithë botën dhe përjetohet nga të gjithë përmes internetit. Po i lejoj vetes të përdor një neologjizëm për ta përkufizuar: dixhi-demia, pandemia e parë dixhitale në histori. Qarkullojnë gjihëfarëlloj profecish, nga një botë më e mirë te një botë më e keqe, nga një botë më bujare dhe solide te një lakmitare dhe konfliktuale. Por asnjë nuk e di me saktësi se çfarë na rezervon e ardhmja sepse ndodhemi përballë një sfide tërësisht të papërjetuar, si në aspektin negativ, pasi kemi të bëjmë me një virus që përhapet me shpejtësi të lartë shoqërore në të gjithë botë, por edhe në aspektin pozitiv, sepse kurrë nuk kemi pasur një kanal si interneti për të komunikar dhe për të bashkëndarë atë se ç’po ndodh duke ndenjur për muaj të tërë të mbyllur në shtëpitë tona.

A mund t’i identifikojmë kërcënimet kryesore?

Kërcënimi i parë është shëndetësor: do të ketë një valë të dytë infektimesh dhe mbetet për t’u parë nëse nëse do të jemi në gjendje të kontrollojmë koronavirusin përmes vaksinave ose masave të tjera shëndetësore ose do të duhet të jetojmë me të për një kohë të gjatë. Kërcënimi i dytë ka natyrë politike: zgjedhjet e ardhshme amerikane të nëntorit. A do të zhvillohen? Edhe kjo varet nga virusi. Dhe nëse rezultati nuk do të jetë i qartë, Shtetet e Bashkuara mund të përfundojnë në kaos pasi nuk është e qartë se si do të reagonte Trump.

Po në Europë?

Ndaj të njëjtin mendim me Macron: Për Bashkimin Europian kjo është ora e së vërtetës. Pandemia mund ta rijetësojë BE-në ose mund ta shkatërrojë. Shumat e propozuara për të ndihmuar më së shumti vendet më në vështirësi janë të konsiderueshme. Por vende si Italia kanë gjithë të drejtën të marrin mbështetje. Nëse Italia mbytet, e gjithë BE-ja mbytet. Duhet një përgjigje e unifikuar.

A mendoni edhe ju se pandemia do t’i hapë rrugë një prezence më të madhe të shtetit në ekonominë e tregut?

Joe Biden është afruar me pozicionin e Bernie Sanders në favor të rritjes së shpenzimeve publike për të reduktuar pabarazitë. Nëse do të zgjidhet president besoj se do ta bëjë këtë gjë dhe politika e tij do të influencojë vende të tjera të shkojnë në të njëjtin drejtim. Por pavarësisht kësaj mendoj se rëndësia e sipërmarrjes së lirë do të jetë themelore, si në SHBA ashtu edhe kudo tjetër. Nuk ka terren për rikthimin në ekonominë e centralizuar apo çdo lloj socializmi tjetër të formës së vjetër.

Por në debatet e majta disa e kërkojnë këtë gjë.

Në Mbretërinë e Bashkuar industria përfaqëson 8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, një përqindje që do të ulet më tej me rritjen e inteligjencës artificiale. Klasa punëtore, baza e idesë së socialdemokraticë, është drejt zhdukjes. Centralizimi dhe socializmi i viteve 1970 nuk janë receta për të ardhmen.

Një përfundim që ju e kishit gjetur 25 vite më parë, kur teorizuat Rrugën e Tretë.

Por që atëherë fenomeni ka bërë shumë hapa përpara, i përshpejtuar nga progresi teknologjik dhe nga revolucioni dixhital. Sigurisht që unë vetë vazhdoj të ndihem socialdemokrat, me vlera të majta dhe theksoj se Rruga e Tretë, në formulimin tim origjinal, nuk konceptonte aspak dorëzimin e politikës përballë tregut siç e kanë interpretuar shumë liderë. Ama jam ende i bindur se duhet të lindë një formë e re progresizmi për shekullin XXI, i aftë për të bashkuar ambientalizmin e revolucionit të gjelbër me kërkesat për luftën ndaj pabarazive.

Po ju vetë, jeni optimist apo pesimist për botën pas Covid?

Sinqerisht këto etiketa i refuzoj. Preferoj të them se jetojmë në një botë me shumë mundësi por edhe me rreziqe të mëdha. 20-30 vitet e ardhshme mund të jenë periudha më vendimtare e historisë njerëzore. Mund të zhvillojmë forma të super-inteligjencës të afta për të zgjidhur pjesën më të madhe të problemeve ditore dhe për të pushtuar kozmosin. Ashtu siç mund të vëmë në rrezik zhdukjeje specien tonë.

Kjo mundësia e fundit, a nuk është tejet pesimiste?

Druaj se jo. Një kërcënim si Covid-19 mund të vijë sërish në një formë më vdekjeprurëse. Ndryshimet klimatike vazhdojnë të jenë armiku numër një. Përhapja e qendrave nukleare janë ende një rrezik për sigurinë globale. Mbipopullimi është ende një variabël i panjohur: së shpejti do të jemi 10 miliardë. Dhe pas shekullit anglez, në vitet ‘800, atij amerikan në vitet ‘900 tashmë kemi hyrë në shekullin aziatik, në qendër të së cilit është një vend autoritar si Kina e cila e ka gjithmonë gati kërcënimin për një luftë të ftohtë me Shtetet e Bashkuara. Rreziqet janë të mëdha. Por edhe mundësitë.

*Anthony Giddens është ndër sociologët më të spikatur, autor i 34 librave të botuar në 29 gjuhë të botës. Në vitin 2007 u rendit si autori i pestë më i cituar në librat e humaniteteve. Ka një karrierë akademike në më shumë se 20 universitete dhe në politikë njihet si teoricieni i Rrugës së Tretë, që risolli në pushtet liderët e qendrës së majtë në Europë dhe në SHBA. Intervista u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Check Also

Moti vijon të na surprizojë/ Ja çfarë pritet për orët në vijim

Ditët me mot me diell dhe temperatura të larta tashmë duken të largëta dhe të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

three − two =