Home / Aktualitet / Rrëfimi i ish-ambasadorit në Beograd: Pse na “ndëshkoi” Gjermania, në vitin 1977?

Rrëfimi i ish-ambasadorit në Beograd: Pse na “ndëshkoi” Gjermania, në vitin 1977?

Publikohen kujtimet e ish-diplomatit të karrierës dhe zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Sokrat Plaka, i cili për më shumë se 30 vjet me radhë, shërbeu si ambasador i Shqipërisë në disa shtete të botës. Dëshmitë e tij për bisedimet sekrete me ambasadorin e Gjermanisë Federale në Beograd, dhe përgjigjen negative të Tiranës zyrtare për ndihmën që ofronte Boni asokohe për shtetin e vogël komunist të Ballkanit, pasi vetë Enver Hoxha kishte dhënë lejen për ato bisedime. Takimi i ambasadorit Plaka me kryeministrin Mehmet Shehu në vitin 1979 gjatë një bisede që zgjati një orë në zyrën e tij, ku ai e autorizoi ambasadorin Plaka që të niste menjëherë bisedimet, me shpresë se pala gjermane do të paguante reparacionet e luftës. Si i zvarriti pala shqiptare bisedimet me palën gjermane e cila u tregua shumë e gatshme që diplomatët përkatës të takoheshin në Bon, Vienë ose Beograd, duke nxjerrë lloj lloj pengesash, deri sa ambasadori gjerman në Beograd u transferua në Portugali dhe në vend të tij, erdhi një diplomat tjetër, por tashmë me udhëzime të tjera nga qeveria e Republikës Federale Gjermane…!
Është e njohur tashmë për të gjithë shqiptarët vizita private që bëri në vendin tonë në mesin e viteve ’80-të ish-kryeministri i Bavarisë, Jozef Straus (me dy djemtë e tij), i cili ishte një ndër politikanët e parë të vendeve perëndimore që mundi të çante ‘perden e hekurt’ të regjimit komunist të Enver Hoxhës para viteve ’90-të pas një leje të dhënë nga vetë Enver Hoxha në vitet e fundit të jetës së tij. Ajo vizitë është ngulitur në mendjen e shqiptarëve, jo vetëm për faktin se një politikan i huaj i atij rangu nga një vend perëndimor, shkelte për herë të parë në vendin tonë, por për atë çka i ofroi ai zyrtarëve të lartë të udhëheqjes komuniste të Shqipërisë së asaj kohe. Ashtu siç u përfol në mjedise të ngushta të zyrtarëve të lartë të asaj kohe, dhe e ndriçuar plotësisht pas viteve ’90-të nga kujtimet e dëshmitë e disa prej krerëve të udhëheqjes së shtetit shqiptar që zhvilluan bisedime me politikanin e lartë gjerman, vizita e Shtrausit ishte as më shumë dhe as më pak, se ‘dora e shtrirë’ e një vendi të fuqishëm perëndimor, për të ndihmuar një nga vendet më të varfra dhe të izoluara të Evropës. Dhe asaj ndihme, që shteti gjerman e ofronte si një lloj ndjese për atë çka i kishte shkaktuar këtij shteti të vogël të Ballkanit gjatë Luftës së Dytë Botërore, udhëheqësit e lartë të Shqipërisë komuniste, i’u përgjigjën negativisht!
Dogmatizmi i tejskajshëm ideologjik i zyrtarëve shqiptarë nuk i lejonte “të përuleshin para imperialistëve” dhe ajo ngjarje ka mbetur tashmë në memorien historike të shqiptarëve, si shansi i humbur i hapjes së vendit tonë me Perëndimin. Por a ka qenë vetëm ky rasti i vetëm që Shqipëria komuniste humbiste në këtë mënyrë? “Jo”. Këtë pohim e bën vetë ish-diplomati i karrierës dhe njëkohësisht zv / ministër i Punëve të Jashtme, Sokrat Plaka, i cili për më shumë se 30 vjet me radhë, ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në disa prej selive diplomatike më të rëndësishme të asaj kohe të akredituara në vendet perëndimore. Në kujtimet e tij që Memorie.al publikon në këtë shkrim, z. Plaka na njeh me bisedimet e tij sekrete të zhvilluara me dy nga ambasadorët e Gjermanisë në Beograd, në vitet 1977-‘78, të cilat kishin të bënin me një normalizim të marrëdhënieve në mes dy vendeve dhe përgjigjes negative të Tiranës zyrtare, për ndihmën që i ofronte Gjermania!
Kujtimet e ish-ambasadorit Sokrat Plaka
“Takimet me ambasadorin e ri gjerman në Beograd”
U njoha me të në pritjen diplomatike dhe me këtë rast shpreha gëzimin që do të kisha të bëja me të në trajtimin e problemeve të marrëdhënieve midis dy vendeve. “Do të bisedojmë e së shpejti”, tha ai. Graber ishte mik i ngushtë i Vili Brandit, njeri me personalitet dhe korrekt. E pyeta për Puttkamerin dhe ai u kufizua të thoshte se ishte emëruar ambasador në Portugali, pa bërë asnjë vlerësim tjetër. Më bëri përshtypje kjo përgjigje lakonike megjithëse vinte nga një post më i lartë se Puttkamer. Dhe në të vërtetë, pasi u vendos mirë në funksionet e veta si ambasador, Graberi më bëri vizitë në ambasadë. Që në fillim më bëri përshtypje se kishte marrë me vete një dosje shumë të madhe blu, me kapakë të trashë mbi 10 cm. Që mund të kishte të paktën 2800 fletë me akte, e lidhur nga të katër anët me rripa të bardhë. E pakta që mund të thuhet, një veprim i tillë ishte i pazakontë dhe dukej se shtirej nga qëllimi që me mjete figurative të bëhej e besuar një qëllim i caktuar. Në fillim biseda ishte e ngrohtë dh u përshkua nga respekti reciprok që karakterizonte marrdhëniet tona personale, deri në largimin tim nga Beogradi. Pastaj Graberi, sa hyri në temën e reparacioneve tha: “Nuk e di, por ato që ju ka thënë Puttkameri, nuk na rezultojnë në dosjet e ambasadës” dhe shfletonte aktet në dosjet arkivale, sikur i kishte mbetur një pjesë e saj pa e parë akoma. Unë i thashë se nuk më dukej normale. “Dosjet arkivale të ambasadës janë çështje të brendshme”, vura unë në dukje. Është e vërtetë se që nga koha që kemi biseduar me ambasadorin Puttkamer afro dy vjet më parë, ka rrjedhur shumë ujë, sidomos për sa i përket vendit tonë dhe pra tani jemi në kushte politiko-strategjike krejt të ndryshme. I përmenda se: ‘pjesërisht ky problem është biseduar edhe në prezencë të ambasadorit të respektuar kontit suedez, Lewenhaupt, se takimet e mia me Puttkamer janë bërë në rezidencat e ambasadorëve të Afganistanit, Irakut dhe Zvicrës, në ambasadën e R.F. të Gjermanisë në Beograd dhe pra asgjë nuk vë në dyshim as takimet, as përmbajtjen e tyre; në qoftë se ju keni ndryshuar qëndrim, kjo është e drejta juaj, por kjo nuk presupozon mohimin e bisedimeve të bëra në të kaluarën’, theksova unë.
Graber: “Më vjen keq, por ka ndryshuar situata…”!
Ambasadori Graber tha: “Më vjen keq që çështja u zhvillua në këtë mënyrë, por dua të them se gjithçka po vëmë në dukje ne i marrim përsipër vetë në personin e Von Puttkamer, ndërsa për sa u përket atyre që keni thënë ju personalisht, për to ne ju besojmë plotësisht dhe nuk vëmë në dyshim asgjë. Dua të nënvizoj me nderin tim se asgjë nuk cenon saktësinë dhe ndershmërinë e palës shqiptare, por unë po e ritheksoj se kemi ngarkuar ambasadorin Puttkamer me këto përgjegjësi”. Graber fliste duke fshirë në të njëjtën kohë djersët, që i shkon çurk pse e ndjente vehten në pozitë të vështirë. Në këtë bisedë u shkëmbyen argumente të ndryshme, por kurdoherë Graberi merrte përsipër në ngarkim të palës gjermane çdo gjë që ndryshonte nga sa kishte thënë Puttkameri më parë. Në fund të bisedës së gjatë, Graberi tha se: megjithëatë qeveria gjermane dëshiron të vazhdojë dialogun me qeverinë shqiptare për këto çështje në Beograd midis ambasadorëve të të dy vendeve, por që ky dialog të jetë i lirë me një metodë ndryshe nga Puttkamer, duke synuar të mbrojë qeverinë e vet, në formën e kontakteve për shkëmbimin e mendimeve. Për ta konkretizuar sa më sipër, ai dorëzoi edhe një promemorie të shkurtër me propozimin për bisedime të tilla. Këto ishin disa çështje të bisedës me Graberin, për të cilën njoftova me hollësi Tiranën. Kuptohet se Von Puttkameri, nuk ishte një ambasador profan që mund të bënte gabime të kësaj natyre, përkundrazi, ai ishte mjaft i aftë, i matur, kompetent dhe korrekt. Në vitin 1977, kur Tirana mendonte se mund të përfitonte diçka nga R.F. Gjermane, për të përballuar vështirësitë ekonomike, duke dashur të shfrytëzojë kushtet e vitit 1977, ishte tepër vonë, ‘pëllumbi kishte fluturuar nga duart’.
Plaka: “Tiranën e pengonte dogmatizmi”
Tani duhej ndryshuar si forma e iniciativës politike me ide të reja, ashtu dhe përmbajtja e saj, por këtë sfidë Tirana nuk e përballonte dot, sepse nuk mund të shkëputej dot nga dogmatizmi. Për pasojë qëndrimi ynë mbeti eklektik, më i mirë “i mundshëm” por edhe efektiv. U takuam disa herë me ambasadorin Graber për ç’ështjen e reparacioneve, marrëdhëniet tona ishin të mira dhe korrekte, por dukej qartë se gjermanët donin diçka të re, ide të reja, një iniciativë me përmbajte origjinale, që padyshim kërkonte riadoptimin e politikës shqiptare në kushte të reja, të paktën në ato që kishin pranuar vendet e tjera të Europës Lindore. R.F. Gjermane e përkrahte politikën e pavarur të Shqipërisë sepse objektivisht ajo përputhej me interesat e Perëndimit, por në kushtet e politikës ndërkombëtare të Brezhnievit, asnjë garanci nuk kishte për perspektivën e Shqipërisë, aq më tepër po të mbahej parasysh Jalta. Pra pa një iniciativë politike novatore nga ana e udhëheqjes shqiptare, nuk mund të hapej rruga e zgjidhjes së problemeve kardinale të Shqipërisë, si ato të hapjes të reparacioneve, të arit monetar, të kredive të financimit ekonomik, prandaj nuk lëviznin gjërat.
“Zgjidhja” e problemeve nga ambasadori shqiptar në Vjenë
Zgjidhjen “na e dha” ambasadori i Shqipërisë në Vjenë. Ky i fundit kishte informuar Ministrinë e Punëve të Jashtme, se kishte mik të ngushtë ambasadorin e R.F. Gjermane në Austri, që ishte përveç kësaj edhe “antifashist”. E kuptoja edhe dëshirën e ambasadorit tonë për ta trajtuar ai vetë çështjen. Në këtë kohë isha me shërbim në Tiranë. Më thirri Ministri dhe pasi trajtuam disa çështje të marrëdhënieve tona me Jugosllavinë, Kosovën dhe qëndrimin për zgjidhjen e problemit të arit monetar, më tha se për arsye se ambasadori gjerman në Vjenë dukej i predispozuar për zgjidhjen e problemit të reparacioneve, këtë çështje do t’ja kalojmë ambasadës sonë në Vejnë, ndërsa po të ma ngrinte mua Graberi problemin, unë t’i them atij: “Meqë ambasadorët e dy vendeve tona në Vjenë njihen mirë midis tyre dhe se kanë mundësi më të mëdha për zgjidhjen e problemit të reparacioneve, le t’u urojmë atyre suksese në këtë detyrë”. Natyrisht mund të kisha shumë për të thënë, por do ta vlerësonin si herezi. Unë kisha tashëm rreth 5 vjet si ambasador në Beograd dhe mund të zëvëndësohesha. Por, po të bëhej një ndryshim i tillë ndaj një fuqie më të madhe dhe ndaj një personaliteti të shquar si Graber, ndoshta duhej menduar ndryshe dhe më mirë.
Graberi: “Gjermania nuk ka dy politika”
U ktheva në Beograd dhe pas afro dy javësh ambasada e RFGJ më njoftoi se ambasadori gjerman, dëshironte të më bënte të nesërmen një vizitë. Si zakonisht njoftova MPJ, e cila më udhëzoi që Graberit t’i thoja sa më kishte porositur ministri në Tiranë. E prita Graberin dhe pas bisedës së mirëseardhjes, e njoftova me saktësi sa më udhëzonte MPJ. Natyrisht e falënderova për bashkëpunimin e ngushtë si dhe për dëshirën dhe kontributin e qeverisë federale dhe të tijën personale për të çuar përpara marrëdhëniet në mes dy palëve. Kur u largua, e përcolla ambasadorin deri tek porta e jashtme e ambasadës; vlerësova edhe njëherë miqësinë, rolin e tij, theksova se nuk kemi asgjë për të, se kalimi ishte formal dhe bëhej për të ndjekur më mirë çështjen. Pasi dëgjoi njoftimin tim, Graberi u befasua shumë dhe u prek. Nuk foli shumë, por tha vetëm: Ç’kujtoni ju, se qeveria federale ka dy politika, një për Beogradin dhe tjetër për Vjenë, ta dini se politikën tonë, e bën qeveria federale dhe jo ambasadorët”. Pastaj ai bëri vlersime për marrëdhëniet si ambasadorë, që në fakt vazhduan të jenë të mirë me këtë ambasador të shquar dhe mik personal të Vili Brandit. Fatkeqësisht bisedimet e Vjenës nuk shkuan gjatë dhe nuk dhanë rezultate./Memorie.al
6

Check Also

U arrestua me 1 kg kokainë, ja kush është efektivi i RENEA-s/ FOTO

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me arrestimin në flagrancë të një efektivi të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

five + 10 =