Home / Aktualitet / Rrëfehet gazetari që e masakruan poshtë banesës

Rrëfehet gazetari që e masakruan poshtë banesës

Mbrëmjen e së mërkurës është dhunuar fizikisht gazetari investigativ, Visar Duriqi. Ngjarja ka ndodhur përpara banesës së tij rreth orës 00:20 në Fushë-Kosovë.

Duriqi po zbriste nga automjeti i tij ndërkohë tre persona ende të paidentifikuar e kanë sulmuar fizikisht duke i thyer hundën dhe dhembët.  Ai është dërguar në Emergjencën e Qendrës së Klinikes Universitare për trajtim mjekësor.

Policia ende nuk ka asnjë pistë mbi ngjarjen në fjalë edhe pse ka nisur një hetim. Dhunimi i gazetarit ka shkaktuar reagime të shumta. Politikanë dhe njerëz të njohur kanë dënuar fuqishëm sulmin fizik ndaj gazetarit Visar Duriqi.

Ndërkohë ditën e sotme, Duriqi ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live”, ku tregoi se si ka ndodhur e gjithë ngjarja, ku ai mbeti i lënduar. Fillimisht gazetari tha se është mirë, vetëm ka probleme në të folur për shkak të dhëmbëve.

“Kanë qenë njerëz që e kanë mësuar terrenin ku unë jetoj. Besoj se ka qenë për shkak të emisionit që bëj, pasi flasim për njerëz të botës së mafies, njerëz të drejtësisë të korruptuar, politikanë të korruptuar. Gama e atyre që mund t’i konsiderojmë armiq për shkak të punës sonë janë shumë. Ata persona nga kamerat e sigurisë, shihet që kanë qenë më herët këtu. E kanë vëzhguar terrenin një ditë më parë apo edhe më herët”, tha Duriqi.

Ky i fundit shtoi se personat që e kanë dhunuar, kanë gjetur një vend ku nuk kapnin kamerat përreth.

“Kanë qenë 3 persona të maskuar. Nuk kanë patur maska Covid, por maska që mbulojnë deri të sytë si dhe kapele. Kanë patur veshje të zeza dhe kanë qenë të gjatë. Nuk më kanë thënë asgjë. Kur pashë personin e parë që më sulmoi i thashë “çfarë do nga unë”, por nuk më ktheu përgjigje”, tha gazetari.

Duriqi tregoi se me vete ka patur një thikë, të cilën e ka përdorur që të mbronte veten nga tre personat që po e dhunonin.

“Unë kam përdorur një thikë, me të kam goditur të parin. Kam patur një përleshje fizike me ata, ata më grushte dhe unë me thikë, për gati një minutë. Në spital nuk janë paraqitur, se të parin e kam goditur mirë me thikë. Besoj se po marrin trajtim në shtëpi. Ata më kanë sulmuar, unë i sulmova. Nuk u frikësova, kur u bënë 3 persona nuk e bëja dot betejën me to”, tha gazetari investigativ.

Ndërsa i pyetur se pse e mbante thikën me vete, ai tha: “Zakonisht jam pasionat i thikave dhe i mbaj me vete, por kërcënime përmes rrjeteve sociale kam marrë shumë. Kur thua disa të vërteta, disave nuk u pëlqen”.

Gazetari tregoi se nuk ka asnjë emër konkret se kush mund ta ketë organizuar këtë, madje as policisë nuk i ka thënë emra.

“Aktualisht as policisë nuk i kam thënë ndonjë emër, nuk dua t’i hy në hak askujt. Mua nga ana e policisë nuk më tregojnë asgjë, çdo pistë që kanë nuk ua tregojnë personave që janë në mbrojtje. Mendoj se e kanë një pistë, por mua dhe avokatit nuk na thonë asgjë. Shenja gishtërinjsh nuk mund të gjesh, pasi mbanin doreza. Mund të identifikohet ndoshta nga gjaku që ka ngelë në thikë. Është e pamundur që unë t’i identifikoj, pasi kanë qenë të maskuar, ka qenë errësire dhe gjithçka ka ndodhur brenda 1 minute”, tha gazetari.

Check Also

Tensionet para zgjedhjeve, Duka: Mandatet e përgjakura krijojnë frikë

Kreu i PAA-së, Agron Duka, thotë se duhet eliminuar çdo tensionim partiak, duke iu referuar …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

5 × four =