Home / Kulture / Romani “TALA” i shkrimtarit Xhevair Lleshi

Romani “TALA” i shkrimtarit Xhevair Lleshi

Nga Rudolf MARKU-

Sapo e përfundova së lexuari romanin Tala, dhe në veshët e mi ende jehon e qeshura e zhurmshme e Talës në Grand Hotel të Prishtinës, ku sapo është bashkuar me Ajdin dhe Arinën dhe miqtë e dikurshëm kosovarë të kampingut…Një fund i bukur dhe domethënës, po aq sa është dhe fillimi i vetë romanit.

Desha të them me këtë se njëra ndër meritat më të mëdha të këtij libri është strukturimi i mirë-llogaritur kompozicional i tij – fillimi si një rrëfim kinematografik i një grupi kineastësh (rrëfimi i Roland Gjozës) – Në vend të hyrjes – dhe pas saj Paraskena – që do të jetë një refren i përligjur i çdo Parasken-e gjatë gjithë romanit, si një monolog i Talës apo dhe i karaktereve të tjerë. Parakapitulli i parë, që autori e quan Në vend të hyrjes, do të përligjë strukturën kinematografike të romanit – një përligjje që justifikohet dhe nga Tala aktore dhe Niki-poete. Sa i përket strukturimit kompozicional të romanit, duket qartë një kompozicion origjinal, modern dhe tepër vizual-filmik.

Romani ka rrokur kohën dramatike të viteve 1997 dhe më pas, kur shteti shqiptar përballet me çmendurinë e kaosit vetëshkatërrues ndërsa Kosova me Luftën e shovinizmit serb dhe me Eksodin biblik të shqiptarëve nga trojet e veta. Ky kompas dramatik: shtet shqiptar dhe njëherësh Kosova, i jep vetë romanit një preokopim ideologjik për fatin e Kombit shqiptar, duke mbajtur me kujdes idenë e bashkimit të shqiptarëve si një njësi kombëtare brenda veçorive të dramave individuale njerëzore. Është një gjetje shumë e bukur dhe tepër domethënëse të folurit herë pas here e karaktereve te romanit në dialektin kosovar! Apo dhe skena ku 24 te ardhur nga Kosova arrijnë në Berat dhe i zoti i shtëpisë ia lë shtëpinë dhe vetë largohet (Tala komshije)!

Romani ka një simfoni karakteresh – ku për mendimin tim më të realizuarit janë karakteret femërore, Tala dhe mikeshat e saj, Rusta, Arina, Niki e të tjerat, të cilat i japin romanit një dritë jo të zakonshme. Por po aq të realizuar janë dhe Ajdi Dobishi, vetë rrëfimtari i narracionit – Buli, Andi Zyba bashkë me Anxhelën. Të ngelen në kujtesë dhe figurat dhe historitë e mysafirëve kosovarë (Drini dhe Vjosa, Berati, dy vëllezerit dhe dy kunatat që Ajdi Dobishi i merr me vete në treg etj.). Një meritë e veçantë është dhe paraqitja episodike e përfaqësuesve diplomatikë a qeveritarëve te Komunitetit Europian a të përfqësuesve të OKB dhe të organizatave të tjera. Autori nuk ka ngurruar ta shoh të keqen e korrupsionit e të zvetënimit moral edhe jashtë kufijve shqiptarë.

Arrestimi i Ajdi Dobishit dhe intriga e Andi Zybës dhe Anxhelës, së bashku me skenën në Shkup, në hotel, revolta e çastit e Anxhelës kundër Andit – duken se janë përshkruar me zotësi dhe përvojë narrative.
Romani është shkruar shumë mirë dhe të tërheq gjatë leximit. E pra, kemi në duar një roman tejet origjinal dhe me një freski të lakmueshme bashkëkohore, i cili mendoj se do të pritet me kureshtje nga lexuesi.

Check Also

“Lule Borë”, me një tur koncertor në Pogradec, Dibër e Madhe, Strugë, Korçë

Kuinteti  “Albanian Excellence”, pjesë e orkestrës “Albanian Excellence” nga viti 2018, është krijuar në vijim …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

five × one =