Home / Art / Requiem për Arben Bajon, Rodenin shqiptar – Nga Ilir Gjini

Requiem për Arben Bajon, Rodenin shqiptar – Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini/

Kur mora vesh lajmin se skulptori Arben Bajo ndërroi jetë, diçka brenda meje u shemb. Kisha komunikuar me të pak kohë më parë dhe ishte plot optimizëm, njësoj si atëhere kur ishte student në Akademi.

Ishte viti 1989 kur më tregoi një punim të tij në baltë. Një skllav në gjunjë që sapo kishte këputur prangat. Ishte koha kur reagimet kundër sistemit kishin filluar të pëshpëriteshin me gjysëm zëri.

Më pyeti: -Si të duket? Shumë ndryshe nga ajo që kam parë deri tani – I thashë. Por ajo që më bëri më shumë përshtypje ishin format e shpërpjestuara të skllavit, ku binte në sy koka e madhe. Duket se kish dashur të thoshte se ne të gjithë jemi skllevër të mendimit.

I tillë ishte Beni, antikonformist. Studioi realizmin socialist ku heroi duhej të ishte i stërmadh, mbinjerëzor, triumfues, por syri i artistit e donte edhe heroin njerëzor, të thyeshëm, jo stoik të stampuar. Njësoj si skllavi i tij, këputi prangat e realizmit socialist.

Njohja me artin bashkëkohor në Greqi ku emigroi ia zhvilloi më tej talentin. Si te askush tjetër, në ekspozitat e tij spikat stilizimi i formës, detaji i egzagjeruar që i jep më tepër domethënie tipareve të personazhit, pra thënë ndryshe, forca shprehëse te skulpturat e Benit nuk qëndron te madhësia në përmasa, por tek dimensioni i brendshëm i skalitjes së karakterit.

Kryevepra e tij është statuja e At Zef Pëllumbit, një trashëgimi e vyer e skulpturës monumentale për gjithë brezat që do të vijnë. Aty, mjeshtëria e artistit ka arritur në në kulm. Kjo skulpturë flet. Të duket sikur bashkëbisedon me të. Mjeshtëria e Benit na e sjell atë të gjallë mes nesh. Ati lutet për gjithë mëkatet tona.

Vështrojeni me kujdes. Eshtë mishërimi më i arrirë i shpirtit kristian. At Pëllumbi që meshon duke shtërnguar me dy duart Biblën. Portreti i tij që i fal të gjitha padrejtësitë që i janë berë në jetë. Kjo vepër e punuar me kaq shumë mjeshtëri, pasqyron një dimension të ri cilësor të artit tonë figurativ kombëtar, çka më lejon ta cilësoj autorin si Rodeni shqiptar.

Në krijimet e Benit spikat detaji që merr spunto nga realiteti. Duke e deformuar atë, ai kërkon të shprehë vuajtjen njerëzore. Veprat e tij kanë diçka nga vargjet e Poemës se Mjerimit të Migjenit. Karakteret e deformuara pasqyrojnë realitetin tonë të mbrapshtë, ku mirësia humbet dhe njeriu në gur transformohet për të mbijetuar.

Një art i prerë në mes. Një ëndërr e parealizuar plotësisht. E vajtojnë skulpturat e tij njerëzore. Figurina të shpërfytyruara gjysëm të gjalla. Ato qajnë me lotë gjaku. Çirren, hungërijnë, bërtasin, por veshët tanë janë të shurdhët. Ata janë më të ndjeshëm ndaj skulpturave të shëmtuara të politikës…

Fatkeqësisht, shoqëria jonë i vlerëson artistët kur ata nuk janë më mes nesh.  Arben Bajo nuk ishte deputet i Kuvendit që të kishte vëmendjen e duhur të shoqërisë. Ishte deputet i artit dhe si i tillë nuk pati vëmendjen e duhur. Por ai na fal. Njësoj si At Zef Pëllumbi i skulpturës së tij.

Na fal Artisti ynë që nuk t’u gjendëm pranë!

Ne krenohemi me artin e statujave të tua. Ato flasin. Nuk janë prej guri a bronxi. Jo, janë të gjalla. Flasin me zërin tënd të përjetshëm!

©Ilir Gjini

Check Also

Europa dhe Kina kanë nevojë për njëri-tjetrin

Prej pesë ditësh ministri i Jashtëm i RP të Kinës, Wang Yi, gjendet në Europë. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

20 + 17 =