Home / Analize / Realizimi i Ëndrrës Kineze për Zhdukjen e Varfërisë Hyn në Analet e Historisë

Realizimi i Ëndrrës Kineze për Zhdukjen e Varfërisë Hyn në Analet e Historisë

Viti 2020 do të hyjë në historinë botërore si një fatalitet apo kaliptik në humbje njerëzish dhe shkatërrimtar në planin ekonomik dhe social duke nxjerrë ndërkohë në plan të parë çështjen e rimëkëmbjes si dhe mënyrën se si do të arrihet kjo ringjallje e shpresave të humbura për shumë popuj, veçanërisht të atyre të varfëria. Por përkundrejt kësaj tragjedie shumëpalëshe është mbajtur ndezur një rreze drite dhe kjo nga Kina, vendi i parë që u godit nga kjo katastrofë. Tani në dhjetor kushdo mund të kujtojë ato ditë tejet të vështira të përballjes me këtë ‘armik tinzar vrasës’ sikurse edhe momentet kur Kina shpalli fitoren e betejës dhe rikthimin në normalitet gjithnjë me vigjilencën maksimale për të parandaluar çdo mundësi rikthimi të virusit vdekjeprurës.

Dhe ky sukses nuk është vetëm për popullin kinez por edhe për mbarë njerëzimin duke ngjallur shpresën se COVID-19 nuk është i pamposhtur. Përkundrazi njerëzimi mund ta mposhtë dhe të mbijetojë, madje të ecë përpara në frymën e solidaritetit dhe të bashkëpunimit multilateral.

Prandaj shpallja nga Presidenti Xi Jinping më 4 dhjetor 2020 se pothuajse 100 milionë të varfër kanë dalë nga varfëria në Kinën me një popullsi prej rreth 1.4 miliard njerëzish dhe se pas 8 vitesh përpjekje të vazhdueshme ajo ka përfunduar detyrën e zbutjes së varfërisë në epokën e re sipas planit në dhjetor 2020 mbart me të vërtetë histori njerëzore. Kjo ngjarje është bërë kryetemë e diskursit ekonomik, social e politik në vend dhe mbarë botën. Brenda vendit dhe jashtë tij janë të shumta vlerësimet duke e quajtur masivisht ‘arritje historike’.

Me pak fjalë çfarë shpalli Presidenti Xi, që është edhe Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) më 4 dhjetor 2020 në një mbledhje të Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së ku u dëgjua një përmbledhje dhe një raport vlerësimi lidhur zbutjen e varfërisë?

Thelbi qëndron si më poshtë: sipas standardeve të tanishme, të gjithë të varfërit në zonat rurale dhe të gjitha kontetë e varfra kanë dalë nga varfëria, duke zhdukur varfërinë absolute dhe varfërinë e përgjithshme rajonale. Pothuajse 100 milionë të varfër kanë dalë nga varfëria, duke shënuar një fitore të madhe dhe që është mjaft mbresëlënëse për botën. U theksua në atë mbledhje ndërkohë se problemi i zhvillimit të shballancuar dhe të pamjaftueshëm në Kinë është ende i dukshëm dhe detyra e konsolidimit dhe e zgjerimit të rezultateve të zbutjes së varfërisë është ende e mundimshme. Duhet të ruhet stabiliteti i përgjithshëm i politikave ekzistuese të ndihmës, mbështetjes financiare dhe forcave të ndihmës; të inkurajohet dhe të mbështetet transferimi i industrive që kërkojnë fuqi të madhe punëtore nga Kina Lindore e Qendrore në rajonet perëndimore; të forcohet menaxhimi i projekteve të aseteve kapitale, të shfrytëzohet sistemi i sigurimeve shoqërore dhe të nxitet punësimi i pjesëtarëve të familjeve me fuqi të dobët punëtore në zonat e afërta.

“Liang bu chou, san bao zhang”…

Ndër etapat kryesore të kursit tetë-vjeçar të kësaj ndërrmarje kombëtare përmendet nëntori i vitit 2015 kur Konferenca Qendrore mbi Zbutjen e Varfërisë dhe Zhvillimin miratoi “Vendimet e Komitetit Qendror të PKK dhe të Këshillit të Shtetit mbi Fitoren e Betejës për Zbutjen e Varfërisë” duke theksuar urgjencën e zbutjes së varfërisë në Kinë.

“Liang bu chou, san bao zhang”, ne shqip- zgjidhja e dy shqetësimeve për ushqimin dhe veshjen si dhe garantimi i arsimimit, kujdesit mjekësor dhe strehimit ishin ndër objektivat kryesorë që synonin ata vendime.

Në fakt këto kanë qenë shqetësime të hershme të udhëheqjes kineze që nga krijimi i Republikës Popullore të Kinës më 1 tetor 1949 duke u kthyer në ‘ëndrrën kineze’. Por duke ndjekur karrierën politike të Presidentit Xi, e cila ka pjesë të saj edhe pasionin e tij për gazetarinë me një volum artikujsh e komentesh të shumta për probleme nga më të ndryshmet të lidhura me funksionet e tij duke filluar nga baza e partisë dhe e pushtetit lokal deri në hierarkinë më të lartë të partisë dhe shtetit, është rasti të citoj një artikull të tij të janarit 1989 kur ishte sekretar partie në distriktin Ningde që ma ka bërë përshtypje: “Nëse dimë vështirësitë e popullit, nëse i zgjidhim ata si duhet, nëse ‘zgjidhim vështirësitë e njerëzve siç shërojmë sëmundjet e barkut dhe të zemrës’… a duhet të jemi të shqetësuar për qëndrueshmërinë sociale?” Dhe më tej ai konkludonte se nuk ka gjëra të vogla në jetën e njerëzve të thjeshtë – rritja një cent e çmimit të ujit, rritja 10 cent e çmimit të biletës së autobusit, ose pakësimin i procedurave për të marrë një liçence, të gjitha këto janë gjëra të cilat kanë një influencë të madhe mbi njerëzit.” (Libri ‘Kina, një vështrim shqiptar’, (China, an Albanian Insight) botuar në anglisht në Tiranë më 2018).

Dhe një vështrim i kursit të zhvillimit ekonomik dhe në këtë kuadër arritjet graduale në luftën kundër varfërisë tregojnë se asnjëherë nuk ka patur vend euforia, realiteti i gjërave është parë në sy me synimin për të arritur mirëqenie për të gjithë popullsinë hap pas hapi e në mënyrë të vendosur.

Kështu më 1978 sipas përllogaritjeve të Bankës Botërore kufiri i varfërisë është llogaritur në $3.2 për njeri në ditë dhe në bazë të kësaj të dhëne 99.7 përqind e kinezëve ishin të varfër. Kjo përqindje ra në 4.7 përqind në 2018. Kurse sipas kufirit të varfërisë ekstreme prej $1.9 për person në ditë të përcaktuar po nga Banka Botërore në Kinë 93.1 përqind e njerëzve ishin të varfër më 1978 dhe ky kufi u ul në 1.4 përqind në vitin 2018. Sipas përllogaritjeve të këtij institucioni bankar ndërkombëtar përgjysmimi nga 1990 deri më 2015 i varfërisë nga Kina kontribuoi në një ulje prej 63.9 përqind të varfërisë globale. Vetëm në vitin 2019, 11.09 milion njerëz dolën nga varfëria në Kinë.

Në ditët e para të dhjetorit të këtij viti provinca Guizhou në jugperëndim të vendit njoftoi se 9 konte të saj që ishin akoma të regjistruara si të varfra kishin dal nga varfëria ekstreme çka shënoi momentin që vendi me popullsinë më të madhe të botës i dha fund plagës së varfërisë.

Kështu gjatë më shumë se 40 viteve të fundit reformim dhe hapje më tepër se 700 milionë njerëz janë nxjerrë nga varfëria, pra një rënie prej më tepër se 70 përqind e varfërisë ekstreme.

Në kërkim të sekretit të ‘mrekullisë kineze’…

Në këtë arritje që mund të quhet pa mëdyshje përballje historike jetike për të ‘mundur’ varfërinë kanë influencuar shumë faktorë dhe pa diskutim kjo do të jetë për shumë kohë temë e diskursit ekonomik dhe social por edhe politik në Kinë dhe botë. Por është i njëzëshëm mendimi se hapja e nisur në vitin 1978 nga udhëheqja e asaj kohe, një hop i frymëzuar nga Deng Xiaoping(Ten Hsiao Pin), ka luajtur një rol përcaktues në kursin e zhvillimit të gjithanshëm ekonomik dhe social në tërë vendin në kuadrin e vazhdimësisë së reformave të gjithanshme ekonomike dhe sociale. Hapja u quajt e madhe sepse ajo përfshiu të gjithë vendin pa përjashtim dhe diskriminim, dhe sipas mendimit tim nxiti zhvillimin dhe iniciativën dhe motivimin novator në shtresa të ndryshme të popullsisë në qytet dhe fshat, në metropole dhe rajone autonome, ku madje nismëtarët patën një mbështetje më të madhe të pushtetit qendror dhe lokal.

Zhvillimi i shpejtë ekonomik por edhe i kujdesshëm në hedhjen e hapave përpara në kuptimin që të rrokte të gjithë vendin që në vitet e para e më tej filluan të japin rezultatet e pritshme se po të flasim në gjuhën e shifrave mjafton të përmendim se që nga viti 1978 rritja ekonomike është vërtitur rreth shkallës 10 përqind, dhe veç impaktit të brendshëm ishte një kontribut ndërkombëtar i paparë ndonjëherë- vlera e tij llogaritet në rreth 30 përqind të rritjes globale ekonomike.

Kushdo me një predispozicion konstruktiv të vlerësimit të gjërave mund të bëjë pyetjen: ku e gjeti Kina tërë atë potencial, nga i lindi popullit kinez gjithë ajo energji krijuese, punuese deri në vetëmohim për të bërë histori me hopin gjigand përpara kur sot na paraqitet ekonomia e dytë më e madhe në botë. Prandaj janë përdorur nga studiues, kërkues shkencor dhe analistë, por edhe politikanë përcaktime që mund të përmblidhen me dy fjalë: ‘Mrekullia Kineze!’Ky sukses i Kinës në zbutjen e varfërisë u quajt nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres si arritje shumë e fortë. Ndërsa është kuptimplotë çfarë zbulonte në një intervistë me agjencinë Xinhua më 30 nëntor 2020 Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Punës (ILO), Guy Ryder duke thënë se gjëja më e rëndësishme në shembullin kinez është se Kina deklaroi në mënyrë të ndërgjegjëshme se ‘zbutja e varfërisë është objektivi kryesor i strategjisë sonë’.

Dhe koha tregoi se ishin jo fjalë në erë por një strategji anti- varfëri e mirëmenduar dhe e peshuar në detaje, ishte pjesë e realizimit të ëndrrës kineze.

Kësisoj Kina ka hyrë në analet e historisë si vendi i parë në zhvillim në botë që plotëson një ndër Objektivat e Mijëvjeçarit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (United Nations Millennium Development Goals) sa i përket varfërisë. Kjo arritje merr vlerë më të madhe po të kemi parasysh se ngjet në kushtet e krizës së pandemisë globale COVID-19 kur Banka Botërore shpreh shqetësimin se një numër prej 88 milion njerëzish u shtohen 115 milionë njerëzve që jetojnë në varfëri ekstreme këtë vit në botë duke e çuar këtë shifër në kuotën e 150 milion njerëzve.

E më të errëta janë parashikimet nëse nuk krijohet një front i përbashkët në frymën e multilateralizmit. Shefi i ILO-s Ryder e tha qartë se arritja e Kinës do të ndihmojë dhe rrisë ekonominë globale gjë që do të kontribuojë për të luftuar vështirësitë jo vetëm në Kinë por në mbarë globin.

Siç ngjet edhe me struktura dhe institucione të sistemit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, veçanërisht me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Ryder vlerësoi angazhimin e Kinës ndaj ILO-s dhe multilateralizmit në përgjithësi. ILO e krijuar më 1919 dhe me qëndër në Gjenevë, ndër organizatat më të vjetra ndërkombëtare, ka tani 187 vende anëtare, dhe platforma e saj është zhvillimi i programeve të punësimit të denjë.

Edhe Ambasadori i Shqipërisë në Pekin Selim Belortaja në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës më 4 dhjetor në prag të zhvillimit të mbrëmjes gala Kinë-Europë Qendrore e Lindore në kontenë Kunshan të Kinës Lindore në kuadrin e mekanizmit 17 + 1 i pyetur se si e vlerësonte këtë arritje të palës kineze, sidomos në sfondin kur virusi e ka vështirësuar kryerjen e një detyre të tillë, dhe çfarë përvoje mendonte se mund të ofrojë Kina për vendet e tjera të botës që kanë probleme në këtë drejtim u shpreh se axhenda kundër varfërisë është arritja më e suksesshme dhe impresionuese për të gjithë botën e Kinës në këto dekada. “Po të shikojmë dekadën e fundit, nga viti 2012 deri në vitin 2020, 90 milionë kinezë kanë dalë nga ky nivel i varfërisë. Është një shifër që do të habiste gjithkënd, është një shifër dyfish më e madhe se e gjithë popullsia e Europës Juglindore. Kjo tregon kujdesin e veçantë të qeverisë kineze ndaj njeriut, ndaj standardit të jetesës së njerëzve”, tha Belortaja. Ai i bashkohej mendimit të shumë autoriteteve ndërkombëtare se nga kjo përvojë e akumuluar e Kinës, e fituar në 40 e ca vjet, duhet të përfitojnë edhe vendet e tjera dhe të marrin atë çka është e mundur të marrin, për ta aplikuar në vendet e tyre.

Dhe është kuptimplotë vlerësimi që ka bërë zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Fabrizio Hochschild sipas të cilit përveç zhdukjes së varfërisë Kina po ndihmon vendet e tjera në zhvillim të dalin nga varfëria. “Kina po luan një rol të rëndësishëm në bashkëpunimin Jug-Jug… Kina është edhe një kampione botërore e bashkëpunimit Jug-Jug, që është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e rajoneve të tjera”.

Check Also

PORTI, AEROPORTI…(S)ËSHTË ÇËSHTJE E SIGURISË KOMBËTARE

Nga Sebastian ZONJA- Bllokimi i Twitterit të presidentit amerikan, me anë të një vendimi të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

four − three =