Home / Histori / Raporti sekret i planeve të qeverisë së Athinës për një kryengritje të mundshme në Shqipëri në vitin 1886 me anë të Gani Toptanit

Raporti sekret i planeve të qeverisë së Athinës për një kryengritje të mundshme në Shqipëri në vitin 1886 me anë të Gani Toptanit

Kush ishin tregtarët nga Tirana dhe Durrësi që mbështetën beun toptanas, i cili u prit me nderime të veçanta në Athinë nga kryeministri grek, Deli – Jani, mbreti dhe mbretëresha? Të gjitha bisedimet sekrete dhe premtimet që i bënë ata për para të cilat do t’ja siguronin në banka dhe materiale lufte, të cilat u dekonspiruan më pas nga dy të dërguarit e posaçëm të Stambollit në qytetin e Shkodrës, Tefik beu dhe Sulejman beu, duke bërë që Gani bej Toptani të arrestohej nga Valiu qytetit, Mustafa Pasha!

Edhe pse Shqipëria ndodhej në një prej skajeve më të largëta e më të humbura të perandorisë osmane, dhe gjithashtu duke mos paraqitur ndonjë interes të madh në krahasim me shtetet e tjera që ajo kishte nën sundim, të katër krerët e vilajeteve që qeverisnin këtë vend, ishin të detyruar që të raportonin rregullisht pranë Portës së Lartë në Stamboll për gjithshka që ndodhte aty, madje duke dhenë informata tepër të hollësishme. Por edhe pse këto raportime ishin tepër të sakta dhe nuk linin asnjë mëdyshje për disinformacione apo fshehje të gjërave, Sulltani nuk mjaftohej vetëm me kaq.

Herë pas here në atë vënd të largët ku mbaronin edhe kufijtë e zotërimeve të tij, ai dërgonte emisarë të posaçëm të cilët i zgjidhte nga njerëzit me të besuar, dhe prej tyre merrte raporte me informata sekrete për gjithçka që ishte e mundur, duke vënë në plan të parë ato informacione që kishin të bënin me ndonjë rrezik të mundshëm që i vinte perandorisë nga qafirët rebelë. Kështu ngjau edhe në qershorin e vitit 1886, kur dy të dërguarit e posaçëm të Sulltanit në Vilajetin e Shkodrës, Ahmet Tefik beu dhe Sulejman beu, e informuan atë për një plan sekret që kishin kurdisur grekët në Shqipëri, me anë të Gani bej Toptanit, njërit prej pinjollëve të familjes së njohur tiranase, vëlli i të cilit, Esat Pasha, në ato vite mbante detyrën e Shefit të Policisë së Selanikut.

Por ç’farë ishte ai plan që kishin kurdisur qeveria e Athinës me Gani beun, çfarë synonte ai dhe kur mendohej të kryhej? Cilët ishin njerëzit e tjerë në Tiranë dhe Durrës që i kishin dhënë mbështetjen beut tiranas dhe çfarë bisedimesh bëri ai në Athinë me kryeministrin grek Deli-Jani dhe mbretin e mbretëreshën e Greqisë, të cilët e pritën atë me nderime të veçanta në në kështjellën e tyre që ndodhej ne periferi të kryeqytetit helen?

Si dështoi ai plan dhe si u bë e mundur arrestimi i Gani beut i cili u mbajt i izoluar në kalanë e Rozafës nga Valiu i Shkodrës, Mustafa Pasha? Lidhur me këto e mjaft fakte të tjera, na njeh raporti i hollësishëm i dy të dërguarëve të Sulltanit në Vilajetin e Shkodrës, të cilin po e botojmë më poshtë në këtë shkrim pa i ndryshuar asgjë nga teksti që gjendet në origjinalin e tij pranë arkivit të Institutit të Historisë në Tiranë.

Ky dokument që po e botojmë me disa shkurtime, është përkthyer para shumë vitesh nga orientalisti i famshëm shqiptar nga Berati, Vexhi Buharaja, i cili ka bërë aty dhe disa shënime sqaruese.

Raporti i dy të dërguarëve të Sulltanit nga Shkodra

Në njërën nga dhomat e kazermës që është në mbarim e sipër, gjatë inspektimit pamë një djalosh, me kostum shqiptar. Pyetëm komandant pashën për shkakun e arrestimit. Komandanti na tha se ky ishte Gani beu, një nga aristokratët e Tiranës, i cili një vit e ca më parë, për t’i shërbyer interesave greke, kishte dashur të bënte një kryengritje në Shqipëri dhe për këtë qëllim kishte pasur lidhje të fshehta me qeverinë greke. Për këtë çështje ai kishte shkuar gjer në Athinë, dhe gati sa nuk kishin përfunduar përgatitjet për shpërthimin e kryengritjes. Ndërkaq beu në fjalë filloi të na tërhiqte vëmëndjen. Prandaj muarmë të dhëna nga Valiu beu në lidhje me Gani benë:

Ky njeri, në bashkëpunim me disa tregtarë nga Durrësi dhe Tirana, ishte munduar të bënte kryengritje dhe për këtë qëllim kishte shkuar gjer në Athinë. Kur ishte marrë vesh qëllimi i tij i lig, ishte thirrur të paraqitej në qëndrën e vilajetit për të dhënë shpjegime, por ai nuk kishte dëgjuar dhe kishte tentuar të arratisej. Në sajë të masave të menjëherëshme që kishte marrë qeveria e Durrësit, prej nga ai mendonte të arratisej, arratisja nuk kishte pasur sukses.

Gani beu, duke parë se nuk i mbetej tjetër rrugë përveçse t’i bindej urdhrit të Valiut, kishte lënë hajdutët, gjithsejt rreth tridhjetë, që kishte me vete, dhe me pesë gjashtë njerëz ishte nisur për në Shkodër për t’u paraqitur te Veli Pasha. Ky e kish trajtuar mirë, kishte marrë masat për të ndalur arratisjen e tij dhe e kishte lënë të lirë të shëtiste nëpër qytet. Mirpo kur Valiu ishte njoftuar se ai kishte kërkuar ndihmën e një malazezi me banim në Shkodër për t’u arratisur në Mal të Zi, kishte urdhëruar arrestimin e tij, si një diçka që ishte bërë tashmë e domosdoshme.

Arrestimi i tij ka bërë një përshtypje shumë të mirë në popullin e Tiranës, sepse ai, i ekzaltuar për shkak të moshës së re, ka terrorizuar bashkëatdhetarët e tij, duke i’u kërkuar këtyre pare dhe sende të tjera, dhe duke i’u kërcënuar në rast refuzimi, në djegien e shtëpive dhe shkatërrimin e krejt pasurisë së tyre. Të gjitha këto poshtërsira, ai i ka bërë me qëllim që duke fituar emër dhe famë, të shtypte popullin e atjeshëm. Madje një vit e gjysëm më parë, e paskësh qenë i arrestuar dhe gjykuar në Manastir, i pandehur për vrasje: mirpo në fund se si paskësh marrë pafajësinë e liruar nga burgu (duke paguar) nja 1500 lira, të cilat i paskësh marrë hua.

Duke menduar se këtu kishim të bënim me një çështje të rëndësishme dhe serioze, ne e pamë të arsyeshme që të takoheshim dhe të flisnim sy për sy me të. Këtë gjë i’a njoftuam Vali Pashës dhe i kërkuam që të caktonte një ditë të posaçme, ku të na çonte te Gani beu dhe të na linte vetëm me të. Prandaj një ditë shkuam te beu i lartpërmëndur. Për të mos i dhënë shkak që të çqetësohet e të dyshonte për këtë takim, ne i bëmë ca respekte dhe një trajtim shumë të mirë.

Biseda rreth çështjes në fjalë zgjati rreth tre orë. Beu i lartpërmëndur duke mos pasur mundësi që të mohonte punën dhe veprimtarinë subversive për të cilën akuzohej, i pohoi pa ngurim të gjitha ato që kish bërë. Ai u mundua që ta paraqiste këtë veprimtari si një shërbim që i bënte kombit dhe donte ta vinte veten e tij në rradhën e njerëzve që kanë punuar për fenë e për kombin.

Natyrisht ai ishte i shtërnguar që ta marrë këtë pozë. Megjith këtë, nga sjellja dhe shprehja e fytyrës së tij del qartë në shesh si drita e diellit, se ai është vetë dora që ka kryer këtë veprimtari subversive. Po parashtrojmë këtu poshtë në formë të përmbledhur, deponimet që ai bëri lidhur me këtë çështje.

Deponimet e Gani bej Toptanit

Gani beu bisedimet për kryengritje i kishte filluar me ortodoksët Jorgji Papa e Petro Shallvari, tregtarë në Tiranë e njerëzit e tij, Pavli nga Tirana dhe Zisi Margariti nga Durrësi. Nëpërmjet këtyre ai ish takuar me dragomanin (përkthyesin, shënimi ynë), e konsullit grek në Manastir.

Më në fund, ortodoksët e mësipërm ja kishin raportuar çështjen qeverisë greke. Kjo e fundit kishte kërkuar të dinte se çfarë mjetesh ishte e nevojshme të përgatiteshin për të siguruar suksesin e kryengritjes. Atëhere kish ardhur (në Tiranë?) dragomani i lartpërmëndur dhe kishte marrë për këtë gjë mendimin e Gani beut.

Ky i kishte thënë se kishte nevojë për 50 mijë lira, për nja 2 mijë sterlina (pushkë), dhe një sasi të mjaftueshme topash dhe torpidosh. Pas ca kohe ai kish thirrur njërin nga njerëzit e tij të quajtur Dalip bej, dhe i kish thënë se do ta merrte me vete në Stamboll. Mbasi kishte marrë nga Jorgji Papa një letër personale për një kolonel në Athinë, emri i të cilit nuk i kujtohesh, ai ishte nisur nga Durrësi dhe kish dalë në Athinë.

Ndërkohë ai ishte takuar me Zisi Margaritin, i cili kish ardhur përpara tij në Athinë. Nëpërmjet këtij ai i kishte dhënë letrën e mësipërme kolonelit dhe ishte takuar me këtë. Gani beu kishte rënë në hotel-restaurantin (Lokont) e një të quajturi Seva. Këtu ishte takuar me Stefain Kapedanin, nënshtetas grek, i cili më parë ishte marrë me kusari në krahinën e Manastrit, si dhe me një kryetar bande brigandësh, emrin e të cilit nuk mbante mënd, vetëm dinte se ky kish bërë që të arratiseshin në mal kajmekamin dhe gjyqtarin e Follorinës.

Kryeministri grek, Deli-Jani, udhëzon Gani beun

Pastaj koloneli e kish çuar Gani beun dhe shokun e tij, Dalip benë te kryeministri i atëhershëm, z. Deli-Jani. Këtu ishte caktuar sasia e parave, topave dhe pushkëve, që do të duheshin për kryengritjen, ishte marrë vendim që këta do të dilnin në portin e Skënderbeut përpara Durrësit me një anije greke, duke dërguar për këtë qëllim edhe një numër të mjaftueshëm ushtarësh.

Mbasi Gani beu do të kish përgatitur nga ana e tij deri në 2000 shqiptarë dhe mbasi të kishte marrë materialin e mësipërm, do të shpallte kryengritjen dhe do të pushtonte Durrësin. Madje për të mos tërhequr vëmëndjen e perandorisë lidhur me këtë, beu në fjalë për këtë çështje do t’i drejtohej telegrafisht kryekomandës së forcave të armatosura të perandorisë, se për t’i shërbyer fesë e perandorisë ishte gati të nisej menjeherë në kufi me nja 2000 ushtarë-ndihmës, prandaj të autorizohej për grumbullimin e kësaj force ushtarake.

Veç kësaj, me të plasur kryengritja, ai do t’u njoftonte telegrafisht shteteve të gjithë punën me këto fjalë: “Ne nuk e duam perandorinë osmane, duam Greqinë”. Më në fund zoti Deli-Jani i kish treguar dhe dorzuar atij planin e hollësishëm të kryengritjes dhe e kish porositur që të vepronte në bazë të këtij. Pas kësaj, Gani beu ishte pritur nga mbreti dhe mbretëresha e Greqisë në kështjellën e këtyre që ndodhet një orë larg Athinës.

Mbreti i kish thënë se e dinte mirë se shqiptarët ishin vëllezërit e vjetër të grekëve dhe se në rast lufte me perandorinë osmane, ata (shqiptarët) të bashkoheshin me grekët. Të njëjtat gjëra kish biseduar edhe me mbretëreshën. Të nesërmen ish takuar përsëri disa herë me Deli-Janin. Ganiu tha gjithashtu se arsyeja që ai ish pritur nga mbreti në pallatin e këtij që ndodhet jashtë kish qenë vetëm e vetëm një çështje që të mos merrej vesh nga ambasada osmane. Pas kësaj, Ganiu ishte kthyer në vëndin e vet.

Qeveria greke siguron Ganiun me para në bankë

Ai tha gjithashtu se kur do të nisej, kishte marrë sigurime të forta nga Athina se për çdo dëm që mund të bëhesh atyre (Ganiut e shokut të tij), do të përgjigjej qeveria greke, e cila i siguronte duke u thënë se do të linte një garanci të mjaftueshme në atë bankë që do të dëshironin ata. Veç kësaj ai ishte takuar edhe me Prenk Dhorën (Dodën?) nga Mirdita në fillim në Korfuz dhe më pas në Tiranë dhe ishte mundur të lidhej, për këtë çështje me të. Prenka nga ana e vet i kish thënë se Bullgaria do të fillonte kryengritjen dhe Greqia do t’i shpallte luftë perandorisë osmane, se edhe të krishterët që ndodheshin në Stamboll, do të fillonin nga pregatitjet e nevojshme, madje në këtë punë nuk ishin përzier vetëm këta, por edhe shumë persona nga pallati perandorak; me ndihmën e këtyre të fundit në fronin e perandorisë-Zoti mos edhëntë kurrë-do të vohej dinamiti(?).

I pyetur se cilët ishin këtë persona të pallatit dhe ç’dinte më tepër rreth këtyre, ai u përgjegj duke thënë se me Prenk Dhorën (Dodën?) nuk kish biseduar më shumë se kaq dhe nuk dinte më tej mbi këtë çështje.

Më në fund, Gani beu, mbasi ishte kthyer në Tiranë, kishte biseduar së pari me parinë shqiptare të Tiranës e të viseve të tjera, u kish njoftuar atyre qëllimin e tij për kryengritje dhe kish kërkuar edhe bashkëpunimin e tyre. Madje u ish drejtuar edhe mirditasve, por këta nuk kishin pranuar dhe ai ishte përgjegjur me këto fjalë: “Duke e shpallur kryengritjen kundër perandorisë osmane, ne duam (të fitojmë) pavarsinë tonë, për këtë qëllim ne i përgjigjemi me dëshirë çfarëdolloj thirrjeje që mund të na bëhet dhe jemi gati të fillojmë nga veprimet, por nuk pranojmë në asnjë mënyrë që të bashkohemi me qeverinë greke”. (nënvizimet janë të përkthyesit).

Prandaj ai për të shpëtuar veten, ndofta nga frika se mos thirrjet (për kryengritje) që u kish bërë ai të tjerëve, mund të binin në vesh të qeverisë dhe kështu mund ta vinin atë në pozitë, thjesht për qëllime egoiste dhe me shpresën fallso se po i bënte një shërbim fesë dhe perandorisë si piksëpari i kish shkruar në letër Veli Pashës, e me anën e së cilës ai çfaqte dëshirën se donte të takohej me të dhe se kish për t’i kumtuar disa sekrete me shumë dobi për perandorinë dhe kombin.

Megjithkëtë, Veli Pasha ish njoftuar për planet e tija shumë më përpara dhe kur ish takuar e nisur për në Tiranë, kish marrë letrën e sipërme dhe ish nisur për në Tiranë. Ja pra, sot ky Gani bej ndodhet i arrestuar në Shkodër dhe është duke u pyetur nga Veli Pasha. Për hetimin e çështjes në mënyrë më të thelluar, Valiu ka thirrur në Shkodër edhe vëllanë e Ganiut, Esat benë.

Planet e grekëve për dërgimin e bandave në Shqipëri

Valiu i Shkodrës, Mustafa Asim Pasha, qysh prej gati tre vjetësh është duke e qeverisur mirë këtë vilajet me cilësinë e tij si Vali, edhe si komandant. Për këtë dëshmojnë sukseset që ai ka pasur, si: ndalimi i shkodranëve të mbajnë armë, mbrojtja e interesave të perandorisë në kufi, ndërtimet me karakter komunal dhe ushtarak, dhënja fund e disa turbullirave të shkaktuara nga disa njerëz si Jusuf Zija Pasha, zbulimi i çështjes së Gani beut.

Nga të gjitha këto kuptohet se i lartëpërmënduri është një ndër robtë besnik të Madhërisë së tij dhe njeri me iniciativë e vullnet. Megjith këtë, nga toni i bisedues që patëm me të, u kuptua se ai është gjer diku i prekur e dëshpëruar nga intrigat që janë duke u thurrur kundër tij në Stamboll nga disa persona si Jusuf Zija Pasha. Mëgjith këtë dëshpërim, ai nuk pushon së punuari për perandorinë.

Nëpërmjet Ganiut ai ka mundur të informohet që më përpara rreth planeve greke për të dërguar vazhdimisht në Shqipëri edhe mbas kryengritjes që do të bënte Ganiu, çeta banditësh me qëllim që të çqetësonte dhe t’i hapte punë qeverisë osmane, gjithashtu, nga bisedimet që ai ka pasur me konsullin grek (sigurisht në Shkodër), ka mundur të mësojë me kohë komplote të tjera të qeverisë greke.

Mendoj se po të shihet e arsyeshme që t’i akordohej në një farë mënyrë të lartëpërmendurit, me qëllim stimulacioni, ndonjë favor perandorak, kjo do të bënte që ai ta shtonte edhe më shumë aktivitetin e tij në të ardhmen…

(Më 27 qershor 1886) Robët: Ahmet Teufik, biri i Salihut. (Vulat): Sulejman beu.

Raporti i dy të dërguarëve të Sulltanit: “Jusuf Zija Pasha, është intrigant e dallaveraxhi”

Përveç dëshmive dhe hollësirave të shumta lidhur me planin grek për një kryengritje të mundshme në Shqipëri me anë të Gani bej Toptanit, dy të dërguarit e Portës së Lartë të Stambollit, Ahmet Teufik beu dhe Sulejman beu, në letrën e tyre që mban datën 27 qershor të vitit 1886, e informojnë Sulltanin edhe për situatën në të cilën ndodhej asokohe vilajeti i Shkodrës. Lidhur me këtë, në mes të tjerash aty shkruhet: “Po jua parashtrojmë si më poshtë rezultatet e hetimeve tona të drejtëpërdrejta dhe të informatave që mundëm të mblidhnim gjatë qëndrimit tonë të shkurtër në Shkodër lidhur me gjendjen e administratës civile dhe ushtarake të vilajetit të Shkodrës si dhe mbi gjendjen e brëndëshme të vilajetit në përgjithësi:

Nga hetimet e gjithanshme që bëmë lidhur me ish-prefektin e Shkodrës, Jusf Zija Pashën, doli se ky, i shtytur nga lakmia për pozitë, për të siguruar postin e Valiut të vilajetit të Shkodrës, ishte munduar me anë intrigash e dallaveresh të bënte për vete disa nga paria e vilajetit, duke u bërë në këtë mënyrë shkaktar i një gjendje të nderë dhe të rrezikshme për qetësinë publike. Largimin e valiut, i cili një vit më parë qe dërguar me mision në kufirin me Malin e Zi, i lart permënduri qe munduar ta shfrytëzonte për të vënë në jetë planin e tij.

Nga një anë, kish punuar vetë personalisht për të bërë për vete parinë e vilajetit, dhe nga ana tjetër një të quajturin Zejnel bej, i cili u shërbente qëllimeve të tija, e kishte emëruar vojvodë të malësorëve, duke e përdorur këtë si vegël për të turbulluar mendjen e masës së popullit nëpërmjet çpifjesh e gënjeshtrash. Me që malësorët përbëhen nga myslymanë dhe të krishterë, perandoria ka vënë këtu prej disa kohësh disa ligje e norma të veçanta. Për të mbikëqyrur zbatimin e këtyre normave, në këtë vilajet ka qenë traditë që nuk mund të shkelej, që të ketë këtu një përgjegjës të posaçëm te titullin “Vojvodë i maleve”.

Kështu me anën e këtij, Zejnel beu, i lartpërmënduri ishte munduar t’i egërsonte malësorët kundër Valiut. Duke shfrytëzuar çështjen e ndalimit të mbajtjes së armëve në qytet nga banorët e Shkodrës, që është me të vërtetë një nga sukseset më të mëdha të Valiut në fjalë, ai kish përhapur pallavra provokuese dhe kishte vënë në veprim gjithfarë intrigash duke i thënë popullsisë malësore se Valiu do të mblidhte pushkët, se do të fuste në vilajet sistemin e regjisë dhe do të likuidonte privilegjet e vjetra.

Ai ishte munduar që të bënte të nënshkruhej, për t’u paraqitur instancave të larta, një deklaratë ku të theksohej se popullsia e vilajetit ishin të kënaqur nga ai. Disa nga paria e qytetit i parandjenë se këto veprime prej njeriu injorant që bëheshin për të fituar zemrën e njerzve do shkatonin më në fund një turbullirë në popull, e cila do të sillte gjithfarë trazirash.

Prandaj i kishin shkruar Valiut, duke i raportuar çështjen me hollësi. Për këtë arsye Valiu ishte kthyer në Shkodër dhe në sajë të masave të nevojshme që kish marrë, kishte rivendosur qetësinë. Flitet për ekzistencën e disa raporteve, në të cilat ish mytesarifi në fjalë akuzohet për shumë ligësi të tjera të këtij lloji dhe për ryshfet. Është e qartë se qoftë këto akuza, qoftë thelbi dhe qëllimi i parullave turbulluese që pat përhapur ai në popull, i shtytur nga shpresa e kotë e rrëmbimit të postit, kishin për të dalë në shesh në qoftë se ai del përpara gjyqit”./Memorie.al/

Check Also

Pamje skandaloze/ Mësuesja në Shkodër bën gjeste të turpshme me nxënësin brenda shkollës

Një video skandaloze që po bën xhiron e rrjeteve sociale tregon një nxënës që përgatitet …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

three + 6 =