Home / Aktualitet / Raporti i DASH: Shqipëria ndër vendet më të korruptuara të Ballkanit Perëndimor

Raporti i DASH: Shqipëria ndër vendet më të korruptuara të Ballkanit Perëndimor

Korrupsioni, mungesa e transparencës dhe garës në prokurime, praktikat e partneritetit publik-privat (PPP) dhe ato të bizneseve informale mbeten problemet kryesore që sipas Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) dëmtojnë klimën e biznesit dhe pengojnë investimet e huaja në Shqipëri.

Në raportin e fundit për klimën e biznesit në Shqipëri, DASH vlerëson programin e qeverisë për të kaluar në portanin online të “e-Albania” pjesën kryesore të shërbimeve publike, megjithatë ajo vë në dukje se për investitorët e huaj mbeten ende të pranishme problemet e shkuara të cilat pengojnë investimet në Shqipëri.

“Qeveria ka bërë përparime domethënëse me agjendën e revolucionit digjital. Në janar 2020, 61 për qind e shërbimeve publike ndaj qytetarëve dhe bizneseve u mundësuan online përmes portalit e-Albania, më shumë se 15 për qind se në vitin 2019. Reforma është në vazhdim, dhe qeveria synon që në dhjetor 2020, 91 për qind e gjithë shërbimeve të jenë të mundshme online. Kjo mund të ndihmojë në uljen e kurbës së korrupsionit pasi kufizohen kontaktet direkte të funksionarëve publik,” – thuhet në raportin e DASH.

Megjithatë kjo nuk ka mënjanuar problemet e vazhdueshme që mbeten në Shqipëri, siç janë korrupsioni, mungesa e transparencës apo garës në tenderë dhe sidomos mungesa e sundimit të ligjit.

“Investitorët e huaj e shohin Shqipërinë si vend ku vështirë të bëhet biznes. Ata përmendin si probleme të vazhdueshme në Shqipëri korrupsionin, në veçanti në sistemin gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimet publike, dhe respektim i dobët i kontratave. Rritja e përdorimit të kontratave me partneritet publik-privat në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë, ul mundësinë e konkurrencës, përfshirë këtu edhe nga investitorët e huaj,” – shprehet DASH.

“Investitorët amerikanë pengohen nga korrupsioni dhe vazhdimi i praktikave të biznesit informal. Shumë investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje të vazhdueshme si nga ente publike po ashtu dhe nga ente private, përfshirë edhe disa që shkuan në abritrazh ndërkombëtar. Në vitin 2019 dhe 2020, një kompani amerikane që u përpoq të investonte dyshohet se u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të tjera të interesuara që u përfshinë në mosmarrëveshje për investimin,” – vazhdohet më tej Departamenti Amerikan duke nënkuptuar këtu çështjen e të drejtave për administrimin e dyqaneve (Deuty Free) në aeroportin e Rinasit, të cilat i mbetën një kompanie shqiptare pavarësisht se garën e kishte fituar një kompani amerikane.

Ekonomia shqiptare u godit rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe më pas nga pandemia e COVID-19. Në raportin e saj për klimën e biznesit, DASH citon indekset ekonomike nga institucionet ndërkombëtare të financave si Banka Botërore (BB), Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Transparency International etj. Në këto indekse Shqipëria ka vlerësime të dobëta.

Për vitin 2019 Shqipëria humbi 7 vende në indeksin e korrupsionit nga Transparency International (e 106-ta nga 180 vende), 19 vende në vrojtimin e Bankës Botërore për të bërit biznes (u rendit e 82-ta nga e 63-ta që ishte një vit më parë).

Këto vlerësime të dobëta e kanë kthyer Shqipërinë një nga vendet me perceptimin më të madh të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor.

Siç përmend DASH, Bashkimi Evropian pret nga Shqipëria që të vazhdojë reformën në drejtësi duke hetuar më tej gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kaluan vetingun me dyshime se kishin lidhje me krimin. Implementimi i reformës në drejtësi mendohet se mund ta përmirësojë klimën e biznesit në vend.

Pritshmëritë e ekonomisë shqiptare për vitin 2020 janë për një rënie me rreth 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. FMN parashikon një rritje me 8 për qind vitin e ardhshëm, kjo si rrjedhojë e lehtësimit të masave kufizuese nga pandemia gjatë verës së vitit 2020 dhe fluksit të investimeve nga programi i rindërtimit.

Për programin e rindërtimit DASH përmend se në shkurt gjatë Konferencës së Donatorëve në Bashkimin Evropian, ndërkombëtarët u zotuan t’i japin Shqipërisë 330 milionë dollarë grante dhe rreth 940 milionë të tjera hua me interesa të ulëta./Euronews

Check Also

LAJMI I FUNDIT/ Shefja e ISHP-së, Silva Bino me koronavirus, shtrohet në spital

Burime për Descript.al bëjnë me dije se shefja e ISHP-së, Silva Bino, është infektuar me …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

3 × 1 =