Home / Opinion / Ramize Gjebrea, viktima e “moralit” komunist

Ramize Gjebrea, viktima e “moralit” komunist

Nga Dr Hasan BELLO –
Në mesin e vitit 1942 në Himarë do të krijohet dhe drejtohet nga Zaho Koka “Çeta e Bregut”. Ai njihej si një djalë i guximshëm pasi kishte kryer një nga atentatet më të bujshme, duke vrarë rrethkomaandantin e karabinierisë, togerin italian, Luixhi Moreti.
Sipas dëshmitarëve të kohës, Zaho ishte një djalë i pashëm, shtatlartë dhe shpatullgjerë; inteligjent, megjithë moshën fare të re. Kur u njoh me partizanen Ramize Gjebrea, e cila në këtë periudhë njihej si e fejuara e drejtuesit të rinisë komuniste, Nako Spiro, Zaho ishte vetëm 23 vjeç. Këto cilësi do të bënin që sipas një bashkëluftëtari të tyre, Ramizeja, “t`i shkonte pas si një shelege e butë”.
Dyshimet e para dhe pakënaqësitë e shokëve të tyre komunistë ndaj Zahos dhe Ramizesë është e vështirë të thuhet se kur filluan. Por nga të dhënat, thuhet se, qëndrimi i tyre në Himarë, kur të gjitha forcat partizane ishin larguar dhe kishin nisur kundërsulmin ndaj forcave gjermane në dimrin e 1944, në Mesaplik, nuk ishte shumë i kuptueshëm.
Ramizeja ishte magjepsur pas Zahos. Ajo herë pas here vlerësonte cilësitë dhe inteligjencën e tij haptazi. Kjo vinte dhe nga literatura që lexonte. Një nga këto ishte broshura e një intelektualeje marksiste ruse (Kollontai), bashkëpunëtore e Leninit dhe më pas si gjysëm e dëbuar si ambasadore e sovjetëve në Stokholm. Në broshurën në fjalë flitej për “dashurinë e lirë” dhe raportet mes burrave dhe grave në një frymë liberale. Pas revolucionit bolshevik të 1917, dihet se tendenca të tilla ishin demonstruar edhe publikisht, me mosregjistrimin e martesave në zyrat e gjendjes civile. Lidhjet mes grave dhe burrave nuk rregulloheshin më me ligj dhe ata ishin të lirë të bashkëjetonin sipas qejfit, pa patur ndaj njëri tjetrit asnjë detyrim.
Por lidhja e Ramizesë me Zahon cenonte “moralin” komunist. Pas disa kohësh ata u arrestuan. Ndërsa për Zahon gjyqi partizan zgjati fare pak dhe vendosi që ta transferonte në një brigadë tjetër në Korçë, Ramizeja qëndroi e burgosur nga 22-23 shkurti deri më 5 mars 1944. Pra për gati dy javë. Prandaj vrasja e saj nuk ishte vetëm pasojë e verdiktit të gjyqit partizan. Por urdhër i një instance më të lartë drejtuese.
Poshtërsia që u tregua ndaj Ramizesë ishte makabritet më vete. Pasi e nxorrën nga dhoma ku qëndronte e burgosur e urdhëruan të ecte drejt një rreshtimi partizan. Ajo mendoi se parakalimi përpara brigadës ishte një lloj dënimi për të bërë autokritikë. Por në të vërtetë pasi kishte bërë disa hapa, u çuan tre partizane (femra), të cilat ishin urdhëruar për të qëlluar.
Nga tronditja, ato, nuk mundën të godisnin në shenjë. Partizanët që ishin afër saj, dëgjuan teksa ajo ulëriste “Ku qëlloni? Pse, pse? Ç`keni kështu? Ç`janë këto plumba që më shkojnë rrotull?”. Në këtë moment, u ngrit ngrit një komandant njësie dhe, me revolver në dorë, e qëlloi disa herë, saqë partizanët që ndodheshin pranë bërtitën “mjaft, mjaft”.
Vrasja e Ramizesë në moshën 21 vjeçare e hidhëroi jasht mase të fejuarin e saj, Nako Spiron. Në një aktivitet të rinisë komuniste, ai e kritikoi hapur këtë veprim, duke pranuar dashurinë e saj me Zahon si diçka krejt njerëzore: “Le të lidheshin e të fejoheshin ata me njëri-tjetrin, ç`kishit ju? Përse e vratë?”

Check Also

Po synohet destabilizimi? Spartak Ngjela: SHBA nuk mund t’i lejojnë mercenarët rusë të…

Koha sot në Shqipëri po punon underground – domethënë në mënyrë të nëndheshme. Por, gjithmonë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

7 + 6 =