Home / Kronike / Rama homazhe për Teodor Kekon, kujton takimin e fundit me të: “Pse më je mërzitur të keqen Dori?!”

Rama homazhe për Teodor Kekon, kujton takimin e fundit me të: “Pse më je mërzitur të keqen Dori?!”

Kryeministri Edi Rama ka kujtuar sot Teodor Kekon, që nga të gjithë të njohurit thirrej Dori i vogël.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, kreu i qeverisë e cilëson Kekon një figurë të papërsëritshme, ndërsa ka kujtuar takimin e tyre të parë.

Ishte piërkisht takimi në dyert e Lidhjes së Shkrimtarëve, kur pati tentuar të botonte pa sukses një shkrim në gazetën “Drita”, ndërsa nuk la pa përmendur dhe takimin e tij të fundit me të.

MESAZHI I RAMES

💐HOMAZH

TEODOR KEKO ishte i papërsëritshëm e i paharrueshëm në llojin e vet dhe sot, 18 vjet pas kthimit të trupit të tij pa jetë në atdhe, në fund të një rrugëtimi sfilitës me vdekjen në trup, më është e pamundur ta kujtoj pa vënë buzën në gaz. Zyrtarisht Teodori ishte shkrimtar, poet, gazetar, deputet dhe pijetar. Por në fakt, ai ishte thjesht siç edhe vetëquhej, Dori i Vogël, një fëmijë me një palë mustaqe nga ato të komitëve a të poetëve të fotove të vjetra, që endej rrugëve të qytetit e të shkrimtarisë dhe kthehej gjithnjë e më vonë në shtëpi.

Për herë të parë Teodorin e kam takuar tek dyert e Lidhjes së Shkrimtarëve, kur pata tentuar të botoj pa sukses një shkrim në gazetën “Drita” dhe unë po dilja i ngrysur nga biseda me kryeredaktorin, që më shpjegoi pa durim pse shkrimi im ishte i pabotueshëm, ndërsa Dori po hynte i qeshur, e më mori për një dopio ngushëlluese plot dëfrim në klubin e Lidhjes. Prej asaj dite u lidh ura e miqësisë sonë dhe fjalia, “Pse më je mërzitur të keqen Dori jot?”, u bë si fjalëkalimi në bisedë sa herë takoheshim me njëri-tjetrin. Edhe kur pak e nga pak, vdekja nisi ta zinte vendin e jetës në qenien e tij, fjalëkalimi ishte po ky dhe e qeshura e Dorit nuk kishte asnjë ndryshim, deri në fund fare, kur vdekja u bë si të thuash dashnorja e tij zyrtare.

Teodor Keko i la letrave shqipe një baule me “rraqe” të të gjitha llojeve, të hedhura vrikthi si këpucët e xhaketat e tij kur ia rëndonin këmbë e krahët në fluturimin mbi flatrat e pijes, por ku po të kërkosh i gjen ca xhevahirë që të marrin frymën me bukurinë e tyre. Politikës i la një tog artikujsh, intervistash e fjalimesh në parlament, ku gjithashtu gjenden me pak durim, disa manifestime mbresëlënëse të një vëzhguesi të esëllt të jetës publike. Të gjithë atyre që e njohën u la kujtimin e pashlyeshëm të një njeriu të parobërueshëm brenda asnjë kornize, që e konsumoi jetën me një shpejtësi e furi të pandalshme, si një shishe të pirë me fund. Dhe në fakt, të numëruara kalendarikisht vitet e jetës së tij të ndërprerë në moshën 43 vjeçare janë tmerrsisht pak, por nëse vitet do të numëroheshin në bazë të shpejtësisë e të furisë së të jetuarit, Dori i Vogël jetoi shumë më tepër se bashkëmoshatarët e vet që janë ende gjallë.

S’kam për ta harruar kurrë takimin e fundit me të. Ai e dinte se ishte i fundit dhe qeshte, jo sikur i ishte dorëzuar paqësisht vdekjes, po thjesht vazhdimit në qetësi absolute të jetës së jetuar pa frenim e as kursim, njësoj siç i dorëzohej gjumit lart në shtëpi, pasi kishte pirë në sabah gotën e fundit tek stacioni i tij fundor i endjeve natën, Kafe “Europa”. Dhe kur kujtoj Dorin e Vogël, më duket se ka pasur të drejtë kush ka thënë se të gjallët nuk qajnë të vdekurit, po veten e tyre dhe më vjen të qesh se zëre se e kam përballë, duke më thënë, “Pse më je mërzitur të keqen Dori?”…

#TëPAHARRUESHËM🙏

(BalkanWeb)

Check Also

Vranësira mesatare dhe kthjellime, ky është parashikimi i meteorologëve për këtë fundjavë

Gadishulli i Ballkanit po ndikohet nga periferia e presionit të lartë atmosferik të pozicionuar në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

6 − 5 =