Home / Kulture / Qyteti pa qytetërim

Qyteti pa qytetërim

Fatmira Loci/

Ikjet asnjëherë nuk janë të mira, dhe pse, shpeshherë synojnë të mirën. U “detyruam” të ikim nga fshatrat, për shkak të mungesave. Mungesë rruge, shkolle, spitali, kulture. Lamë pas gjëra të thjeshta në dukje, po aq të vërteta e jetike, duke shpresuar e besuar se po njihemi më udhën e madhe të dijes, qytetërimit. Trishtimi i braktisjes së Kullave të vjetra, arave, fushave, maleve, krojeve e gjithë atij peizazhi natyror të perëndishëm, u zëvendësua dalëngadalë me emocionet e kërkimit, zbulimit të së panjohurës.

Erdhem si fshatarë të drojtur, por të etur për dije, të urtë, me sy pafajësie, ëndërrimtarë e kureshtarë, me fytyra të kuqe që rrezatonin plot shend e verë, nga ajri pastër i malit, ujë i kristaltë i burimit e ushqimet bio. Erdhem si njerëz të punës e hallit, punuam me thjeshtësi e ndershmëri, pa bërë naze, pa u ankuar, se qemë të mësuar me lodhjen fizike, deri në skajshmëritë më ekstreme.

Sytë filluan të ambjentohen me ndërtesat e larta, që dita-ditës u shtonin nga një tullë përmbi, (a thua pretendonin të kapnin qiellin!) me tavolinat e lokaleve nëpër trotuare, me shkurret në formë gjelbërimi e lulet artificiale. Veshët u mësuan më zhurmat, boritë e makinave, sirenat e policisë e ambulancës së vetme që parakalonin gjithë madhështi, por kurrë nuk gjendeshin të gatshme në rastet e emergjencës. Filluam ta pranonim rrëmujen, si jetë qytetase, me pazare dokudo, rroba të shpërndara nëpër udhë, ushqime që tregëtoheshin mes pluhurit e llumit, gjithçkaje që vendosej e ndërtohej pa llojë kriteri.

Ama, shpejt pamë se këtij qyteti i mungonte qytetërimi!
Si banorë të thjeshtë, zgjoheshim herët për të siguruar bukën, ndaj, të vetmen shtëpi dije, siç ishte Biblioteka, s’e kishim kurrë fatin ta gjenim hapur. Kishim dy orë punë kur ajo hapte dyert e përgjumur, e ndërsa kthenim nga puna, portat e saj i gjenim gjithnjë të kyçura. Më kot të kërkoje gjë më të madhe! Qyteti nuk kishte sallë teatri apo kinemaje, nuk kishte klasë muzike as kërcimi! Me pak fjalë, pamë që fatkeqësisht, gjendëshim në një qytet bosh.
Qytetërimin, Artin, Kulturën, Dijen, i kishte mbuluar betoni.

5 Dhjetor 2017
Fatmira Loci

Check Also

Me skepticizëm gazmor kundër patologjisë së përditshmërisë

Enver Robelli/ Me rastin e vdekjes tmerrësisht të hershme të poetit e kritikut letrar Ramadan …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

2 × 4 =