Nga Çapajev GJOKURTAJ-
Ka ndodhur diku në mesin e viteve ’70. Me Xhevahir Spahiun ishim nisur për në Lezhë.
– Pse qielli i pasqyruar në pellg është më i bukur se i vërteti? – yshti diskutimin Xhevua, ndërkohë që autobuzi kalonte anë një fushe të përmbytur.
Përmendëm disa alternativa si: na pëlqen imazhi sepse është ikje nga e zakonshmja; na josh ngaqë bashkon në një dy të kundërta: qielli dhe pellgu; imazhi është kurdoherë më i bukur ngaqë ngërthen objektin real plus bukurinë e shpirtit njerëzor; arti është më i bukur se realiteti ngaqë përzgjedh pjesën dhe nuk synon të tërën; imazhi fqinjëron me ëndërrën ndaj është tërheqës si ajo etj.
Në fund mbetëm tek humori i Xhevos: qiellin e pellgut e pëlqejmë se e kemi nën këmbë, na bën të ndihemi zot, ai sipër na bën të ndihemi rob.
Tani që e kujtoj them se pas kësaj batute krejt spontane fshihej një tipar i Xhevahir Spahiut si njeri e si poet: kurdoherë është shquar për shpirt rebel, kundër konformizmit dhe kundër autoritetit. Në atë periudhë këto tone i sillte më zëshëm.
Mbase ngaqë ndihej i dobët, nuk kishte famën që i erdhi më pas. Mbase ngaqë sistemi politik i asaj kohe ushtronte më shumë trysni mbi individin. Mbase ngaqë krijimtaria e Xhevos i ngjan lumit malor, në fillime e vrullshme dhe vikatëse, pastaj, kur bie në fushën e pjekurisë thellohet dhe, në pamje të parë edhe qetësohet.
Duke shkruar statusin në këtë mëngjes me shi, më erdhi në mend ajo që thotë De Rada për jetën: thua në endërr e pamë?
( Nga cikli ‘Buronjat e kujtimeve’ )