Home / Kryesore / Qazim Kokoshi, në tallazet e historisë së Shqipërisë

Qazim Kokoshi, në tallazet e historisë së Shqipërisë

NgaVullnet Ruzhdi Sinaj
Lindi më 1882 në qytetin e Vlorës, në një familje të njohur për kontributet në favor të çështjes kombëtare. Mësimet e para i mori në shkollën turke të qytetit ndërsa gjimnazin e kreu në liceun prestigjoz Zosimea në Janinë, aty ku u shkollua një pjesë e mirë e elitës shqiptare të kohës💡
Kthehet në vitet 1900’ në Vlorë dhe angazhohet në përhapjen e gjuhës shqipe📚Anëtar aktiv i klubit patriotik Labëria. Me rastin e zgjedhjeve parlamentare në Perandorinë Osmane më 1908, Qazim Kokoshi pret Ismail Qemalin në Vlorë si kandidat dhe e ndihmon në zhvillimin e fushatës elektorale, duke e shoqëruar në Dukat, Treblovë, Mesaplik.
Për shkak të aktivitetit atdhetar, Qazim Kokoshi u vu në ndjekje nga autoritetet osmane. Ai u arratis në Korfuz e më pas në Itali, teksa mbi të rëndonte masa e marrë: dënim me vdekje.
Me intensifikimin e Lëvizjes Kombëtare, ai kthehet në Shqipëri më 1911 dhe bashkëpunon ngushtë me Ismail Qemalin. Merr pjesë në Kuvendin e Drashovicës më 1911. Në vigjilje të atij 28 nëntori të shenjtë të vitit 1912, Qazim Kokoshi u angazhua me përgatitjet e nevojshme që Shpallja e Pavarësisë të mbahej solemnisht!🇦🇱Në Kuvendin e Pavarësisë, Qazim Kokoshi ishte përfaqësues i Vlorës dhe njëri prej 40 firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë, ku shpallej njëzëri se “Shqipria më sot të bahet më vehte, e lirë dhe e mosvarme”📜
Më 1913, Qeveria e Vlorës e kryesuar nga Ismail Qemali e caktoi Qazim Kokoshin prefekt në Lushnje, duke dërguar sëbashku me të dhe komandantin trim Ahmet Lepenica!
Në sajë të rëndësisë politike që reflektonte, Qazim Kokoshi zgjidhet si anëtar i delegacionit që do t’i uronte mirëseardhjen Princ Vidit në Durrës në mars 1914. Në vështirësitë që Shqipëria po kalonte asokohe, sëbashku me Ismail Qemalin, themelon Komitetin e Shpëtimit Publik në Vlorë.
Duke njohur të kaluarën patriotike, Qazim Kokoshi u caktua delegat i Vlorës në Kongresin e Lushnjës në janar 1920 dhe nga ky kongres doli deputet në parlamentin e parë shqiptar! Nga Kongresi i Lushnjës ai u kthye në Vlorë duke u angazhuar sëbashku me patriotë të tjerë në përgatitjet e Luftës së Vlorës. Për këtë, ai u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, si organi politik që udhëhoqi me sukses Luftën e Njëzetës!🇦🇱
Pas fazës së parë të suksesshme të luftimeve, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” u vendos në Drashovicën e çliruar! Simbolikisht Drashovica u shpall qendër e prefekturës së Vlorës dhe në krye të saj u vendos Qazim Kokoshi! Autoritet italiane e dënuan me vdekje Qazim Kokoshin, ashtu siç kishin bërë dikur dhe ato osmane! Për hakmarrje, shtëpive të tij në qytetin e Vlorës iu vu zjarri.
Me çlirimin e Vlorës, Qazim Kokoshi u zgjodh kryetar i bashkisë📍Më 1921, ai kandidoi si deputet dhe u zgjodh i tillë në parlamentin shqiptar. Lufta politike e brendshme bëri që Qazim Kokoshi të merrte krahun e Fan Nolit në Lëvizjen e Qershorit të 1924. Por pas rimarrjes së pushtetit nga Ahmet Zogu në dhjetor 1924, Qazim Kokoshi u detyrua të largohet në Itali e Austri.
Një amnisti e mbretit Zog më 1928 mundësoi rikthimin e Qazim Kokoshit në Atdhe. Idetë demokratike të tij bienin ndesh me frymën autoritare monarkike që ishte vendosur. Kësisoj, ai është një ndër organizatorët e komplotit që po vihej në jetë në qytetin e Vlorës më 1932, por që u diktua nga autoritetet. Nga dënim me vdekje, Qazim Kokoshi vuajti vetëm 6 vite heqje lirie dhe më 1938 ai u lirua.
Në vitin 1940, me pushtimin fashist të Shqipërisë, ai u largua drejt Jugosllavisë sëbashku me familjen. Për faktin se dhëndri i tij ishte Heroi i Popullit Reshit Çollaku që humbi jetën në luftë më 1943, si dhe prej faktit se disa prej nipërve të tij ishin angazhuar në krah të Ballit Kombëtar, Qazim Kokoshi u arrestua nga nazistët në Jugosllavi dhe u dërgua në internim në Bergamo të Italisë.
Lufta e Dytë Botërore do të mbaronte dhe ai do të vendoste të kthehej në Shqipëri më 1945. Fatkeqësisht, autoritetet shtetërore do t’a vendosnin nën arrest dhe ai do të ndërronte jetë në burgun e Vlorës në tetor të 1947.
Qazim Kokoshi, një jetë me kontribute dhe protagonizëm në ngjarjet kryesore të shtetit të pavarur shqiptar dhe figurë kyçe e Luftës heroike të Vlorës🇦🇱 Shekulli i kaluar ishte një shekull i rrëmbyer. Historinë duhet ta kuptojmë siç ka qenë, me të mirat dhe të këqijat e saj. Por gjithmonë, nga historia të marrim çfarë ka ngjarë në të mirë të vendit tonë dhe të mësojmë nga gabimet dhe orientimet e zhdrejta të së shkuarës!
Dekoruar:
🎖”Për veprimtari patriotike, klasi I” më 1992
🎖 “Nderi i Kombit”
Image may contain: 1 person, suit and text

Check Also

“Gjykata Speciale do të arrestojë persona edhe në Shqipëri”

Ish-deputeti i Kuvendit, Milaim Zeka, thotë se arrestimet e sotme të kryetarit dhe nënkryetarit të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

twenty − nine =