Nga Aleksandër ÇIPA-
Arena botërore është në një periudhë ku ndryshimet janë të shpeshta dhe me magnituda të mëdha. Shtetet e mëdha synojnë të forcojnë pozitën e tyre në skenën globale, duke hyrë kështu në një garë të vazhdueshme me njëra-tjetrën. Zhvillimet ekonomike fitojnë përherë më shumë vëmendje dhe peshë. Në një kohë kur këto zhvillime janë të ndërthurura në mënyrë të pazbërthyeshme me situatën e shkaktuar nga pandemia COVID-19, arritja e stabilitetit dhe rritja ekonomike janë pikësynimet e çdo vendi.
Mund të bëjmë një kapërcim në vitin 2019, i cili tanimë duket kaq i largët edhe pse distanca kohore nuk është kurrsesi e tillë. Që në vitin 2019, vendet e zhvilluara janë ndeshur me një sfidë të vërtetë ekonomike. Duke parë rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), i cili është edhe treguesi më i zakonshëm i përdorur për të matur ecurinë e ekonomisë, shumica e shteteve të zhvilluara ndeshen me një rritje tepër të ulët. Ndërkohë që, sipas shifrave të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), PBB-ja e Shteteve të Bashkuara rritej vetëm me 2.2%, vende të tjera të zhvilluara nga Europa si Gjermania dhe Franca ndesheshin me shifra edhe më të ulëta. Një diferencë vihej re që në këtë vit për Kinën, e cila duke siguruar vazhdimësinë e një rritjeje 20-vjeçare, shënonte një rritje prej 6.1%.
Viti 2020, i mbërthyer nga kthetrat e një pandemie si COVID-19, shfaq një situatë edhe më të pazakontë. Vendet e zhvilluara ndesheshin shpesh me rritje të ulëta të PBB-së, por zakonisht arrinin të siguronin shifra pozitive. Në kushtet e pandemisë, ato u krodhën në një rënie të thellë ekonomike. PBB-ja e SHBA-së pasqyronte një rënie prej 4.1% krahasuar me vitin pararendës, ndërsa Gjermania dhe Franca u përballën me një rënie prej 6% dhe 9.8% respektivisht. Ndërkohë që harta botërore reflekton kryesisht indikatorë negativë makroekonomikë si PBB-ja, Kina edhe një herë diferencohet nga vendet e tjera duke arritur një rritje prej 1.9%.
Rritja prej 1.9% nuk duket si një rritje e madhe duke marrë parasysh rritjen e vazhdueshme të Kinës në vitet paraardhëse. Madje, kjo është rritja më e ulët e Kinës në 40 vitet e fundit. Por e vendosur në kontekstin e zhvillimeve të fundit dhe pasojave të pandemisë globale, vijueshmëria e rritjes ekonomike tregon siguri dhe stabilitet ekonomik, si edhe forcon pozitën e Kinës në Botë.
Në fakt, për herë të parë, në vitin 2020 Kina kaloi nivelin 100 trilionë juanëve në PBB. Duke arritur kësisoj jo vetëm shkëputjen dhe distancimin nga vendet e tjera si Japonia, Gjermania, Britania dhe Franca (tashmë PBB e Kinës është sa shuma e PBB-ve të tyre), por duke përforcuar edhe më, pozitën si konkurrente e ShBA-ve për primatin e ekonomisë më të madhe në botë.
Situata aktuale shënon në këtë mënyrë një periudhë tejet të rëndësishme për sa u përket zhvillimeve ekonomike dhe zhvendosjes së peshës dhe fuqisë në skakierën botërore. Mënyra se si vendet do të përballen me efektet e pandemisë dhe strategjitë e ndryshme ekonomike do të jenë vendimtare në përcaktimin e rendit të fuqisë ndërmjet shteteve.
Pozicioni i Kinës duket i favorshëm. Kina kërkon që të sigurojë vijueshmërinë e stabilitetit ekonomik dhe rritjes ekonomike. Ajo ka arritur tanimë konsolidimin në qarkullimin e zinxhirave industrialë dhe të furnizimit. Ndërkohë, vendet e tjera janë akoma në kërkim të gjetjes së këtij stabiliteti. Sfida e vendeve të tjera është kësioj shumë herë më e madhe, sidomos duke marrë parasysh enigmën e kohëzgjatjes së pandemisë dhe pasigurisë së të ardhmes.
Pritet të shihet reagimi i SHBA-ve, tashmë nën udhëheqjen e presidentit të ri Joe Biden dhe trajektorja e politikave ekonomike të administratës së re amerikane. Liderët politikë në SHBA janë të vetëdijshëm se hegjemonia ekonomike nuk është më e padiskutueshme dhe Kina përherë e më tepër po afrohet. Në fakt, kjo pasqyrohet edhe në parashikimet e FMN-së se, brenda vitit 2028, Kina do të mund ta kalojë Amerikën si ekonomia më e madhe në shkallë globale.
Kjo mund të konsiderohet edhe si një nga arritjet më të mëdha të Kinës në vitet e fundit. Tanimë, Kina nuk ndeshet më me perden e menefregizmit të vendeve të tjera. Interesi dhe investimet në drejtim të Kinës kanë kapur nivele të paarritura më parë. Konsolidimi i ekonomisë kineze përkon edhe me fuqinë e saj magnetike për kapitalin e huaj. Edhe në vitin 2020 Kina thithi 6.3% më shumë investime të huaja krahasuar me një vit më parë. Kjo po dëshmohet gjithashtu në marrëveshjen ekonomike dhe tregtare mes Kinës dhe Bashkimit Europian, e cila pritet që gjithashtu të ketë impakt të mëdha për të dyja palët.
Kohëzgjatja e pandemisë dhe efektet afatgjata të saj mbeten ende të panjohura. Pikëpyetjet rreth së ardhmes vazhdojnë të jenë të mëdha. Megjithatë, nuk është fati ai që në fund do vendosë fituesit dhe humbësit e kësaj kohe, por strategjitë afatgjata dhe politikat inteligjente. Sfidat me të cilat shtetet po ndeshen janë të ndryshme, por gara është e njëjtë. Në njëfarë mënyre, kështu edhe synimi i tyre përfundimtar.