Home / Opinion / Propozimi kinez për një strukturë globale për shëndetin e njerëzimit

Propozimi kinez për një strukturë globale për shëndetin e njerëzimit

Nga Aleksander ÇIPA-

Teksa kemi hyrë në vjeshtë, duket se shqetësimi kryesor në mendjet e shumë liderëve dhe qytetarëve të thjeshtë mbetet frika e një vale të dytë të COVID-19. Një valë e dytë, mbi të gjitha në sezonin e vjeshtës ku gëlojnë edhe viruse të tjerë dhe gripa sezonalë, duket se përbën një rrezik të rrokshëm shëndetësor dhe ekonomik. Në fakt, ekonomitë e vendeve të prekura nga pandemia janë tashmë të kapura nga recensione ekonomike. Ekzistenca e një vale të dytë do të frenonte rritjen ekonomike dhe do të krijonte një stanjacion ekonomik tejet shqetësues.

Në rradhë të parë këtë situatë problematike po e vuajnë Shtetet e Bashkuara. SHBA u godit si askush tjetër nga pandemia dhe mban numrin rekord të të infektuarve dhe të atyre që kanë humbur jetën prej COVID-19. Por, teksa SHBA nuk e vuri dot nën kontroll pandeminë, ka një drojë të madhe se një valë e dytë në vjeshtë, teksa po rihapen dhe shkollat, do të jetë shumë herë më e rëndë.

Shembulli më i dukshëm i rrezikut nga vala e dytë është Europa dhe zona e Mesdheut. Franca po përjeton një rritje alarmante të numrit të rasteve. Spanja shënoi javën që shkoi një rekord për rritjen e numrit të rasteve brenda 24 orëve, duke krijuar frikë se mund të ripërsëritet situata e pikut të pandemisë. Në Lindjen e Mesme, Izraeli duket se do të jetë vendi i parë në botë që po shkon drejt një mbylljeje të plotë të vendit si kundërpërgjigje ndaj valës së dytë. Kabineti qeveritar pritet të mblidhet për të konfirmuar vendimin drastik.

(Një djalë viziton Panairin Ndërkombëtar të Kinës 2020 për Tregtinë e Shërbimeve (CIFTIS) në Parkun Olimpik të Pekinit, në Pekin, Kinë, 7 shtator 2020.)

Në të gjithë këtë situatë kaotike botërorë, duket se ka një përjashtim. Vendet aziatike dhe, mbi të gjitha, Kina duket se po e monitorojnë me kujdes, por pa frikën që ka mbërthyer Perëndimin, rrezikun e një vale të dytë kulmuese.

Sido që të paraqitet vala e dytë, mësimi kryesor që duhet të marrim është se nuk është e mundur që njerëzimi të gjendet përsëri kaq i papërgatitur përpara një sfide madhore. Multilateralizmi dhe shkalla e bashkëpunimit global, për fat të keq, kanë pësuar goditje të mëdha gjatë viteve të fundit. Bjerrja e tyre sigurisht që nuk filloi me pandeminë që zgjoi instinkte nacionaliste dhe izolacioniste – ajo kishte filluar shumë më parë. Por ama, pandemia shërbeu për të përshpejtuar procesin e tkurrjes së bashkëpunimit në arenën ndërkombëtare. Në këto kushte, duhen përshëndetur tentativat për të frenuar këtë tkurrje dhe për të rikthyer një sistem ku dominon dialogu dhe bashkëpunimi.

Një nismë të tillë e ka përqafuar presidenti kinez Xi Jinping në mars të këtij viti. Gjatë një bisede me homologun francez Emmanuel Macron. Presidenti kinez theksoi nevojën për një tjetër qasje në bashkëpunimin ndërkombëtar për kontrollin dhe parandalimin e epidemive.

(Një stacion i hekurudhës me shpejtësi të lartë Pekin – Shenyang është në ndërtim e sipër, 24 gusht 2020. / VCG)

Ajo të cilën presidenti kinez e pagëzoi si “komuniteti i përbashkët shëndetësor i njerëzimit” është një ide që duket në pamje të parë si një nismë idealiste. Pandemia e bëri jashtëzakonisht të qartë faktin se sfidat e përbashkëta të njerëzimit nuk mund të përballen me iniciativa të ngushta shtetërore. Sfidat shëndetsore si pandemitë, tejkalojnë sensin e kufinjve. Sikurse u pa gjatë këtij viti, edhe masat drastike të mbylljes së kufirit mbeten të pafuqishme për ta zhdukur plotësisht rrezikun duke qënë se këto mbyllje nuk mund të mbarten në një kohë të pafundme. Ekonomitë dhe vetë realiteti global me të cilin janë mësuar banorët e mijëvjecarit tonë e bëjnë të pamundur shtyrjen në kohë pa afat të masave shtrënguese.

Iniciativat të cilat synojnë rikthimin e frymës konstruktive në marrëdhëniet ndërkombëtare duhen përshëndetur dhe inkurajuar. Megjithatë, gjasat janë që skepticizmi akut dhe tendencat izolacioniste të vazhdojnë të gjallojnë në arenën ndërkombëtare. Dukshëm po shfaqen kësi tendencash edhe në Europë, por edhe në shtete të tjera me rezonim ndërkombëtar.

Ideja e komunitetit të përbashkët shëndetësor të njerëzimit që po përpiqet të promovojë presidenti kinez Xi Jinping mund të shihet si një lloj pozicionim i ri i Kinës në një çështje kritike sikurse është shëndetësia. Por ama, kjo vjen në kushtet ku edhe njësitë dhe institucionet e krijuara tashmë, duke përfshirë dhe Organizatën Botërore të Shëndetsisë, po hasin një mungesë të theksuar besimi.

Në fakt, është e pamohueshme se Organizata Botërore e Shëndetsisë, si institucioni kryesor i arkitekturës aktuale për çështjet e shëndetësisë dhe shëndetit publik, rezultoi të ishte e paaftë për të përballuar pandeminë. Megjithëse u përpoq për të dhënë udhëzime dhe këshilla të vlefshme për të përballuar të panjohurën që ishte COVID-19, OBSH humbi shumë besueshmëri teksa në mënyrë konstante ndërronte pikat bazë mbi të cilat merrte vendimet.

Nuk ndihmoi në këtë drejtim as një qasje agresive që patën aktorë të ndryshëm botërorë ndaj OBSH-së. Pavarësisht se rekordi i saj ishte sigurisht problematik, gjithsesi një njësi koordinuese në nivel global ishte diçka që shtonte, më shumë se sa merrte.

Përballë mungesës së frymës së bashkëpunimit, zhvleftësimit publik të institucioneve ekzistuese si OBSH, dhe me të panjohurën e pandemisë së ardhshme ose mutacionit të këtyre që njohim, duhet të rikthehemi tek sistemi i rregullave dhe i koordinimit ndërkombëtar.

Asnjë nuk mund të parashikojë saktësisht se si do jetë kjo vjeshtë për vende të ndryshme që po përballen me rikthimin e pandemisë. Gjithsesi, një mësim që mbetet sido që të shkojnë muajt në vijim është se njerëzimi nuk mund të gjendet përsëri në këtë shkallë mungese përgatitjeje. Versioni propozues i presidentit kinez, vlen si një qasje konstruktiviste për rikompozim apo version me eficent të strukturave ndërkombëtare dhe angazhimit global për çështjet dhe sfidat e shëndetit të njerëzimit dhe shëndetësisë botërore në përgjithësi. Kjo është një qasje që tenton maksimalizimin e vëmendjes institucionale globale për përgatitje strukturale dhe mekanizmash për pandemi apo epidemi të pritshme e të papritshme, të cilat sfidojnë raportet dhe strukturat gjeopolitike të deritosme.

Check Also

Kur nakatos poezinë me politikën, sikur ke përzier miellin me krundet

Balil Gjini/ Pasi u mor me listat e partisë për zgjedhjen e deputetëve të parlamentit …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

nine + 2 =