Home / Editorial / Prirjet autoritariste, produkt i elitave politike apo…?

Prirjet autoritariste, produkt i elitave politike apo…?

Çapajev Gjokutaj
BE nuk do t’i nisë fluturimet me Shqipërinë se gjykon që numri i të infektuarve me covid është i lartë. Dhe me të vëtetë në periudhën 12 – 26 qershor për 100 mijë banorë kemi patur 3 fishin e të infektuarve që ka patur Spanja po në këtë periudhë, 5 fishin e Italisë dhe 15 fishin e Greqisë.
Ne mars e prill kur Italia, Spanja e vende të tjera përjetonin Vaterlo humbjesh njerëzore, Shqipëria përmendej në historitë e suksesit, mbyllja e shpejtë dhe gati totale kishte dhenë fryte.
Mbase kanë të drejtë epidemiologët që thonë se atëbotë tek ne nuk pati epidemi, u shfaqën vetëm rastet e para dhe masat e menjëhershme shmangën molepsjen komunitare. Me sa duket tani po jetojmë fillimin e epidemisë dhe duhet kujdes me distancimin fizik, maskat, larjen e duarve e gjëra të tjera të thjeshta, që varen kryesisht nga vullneti i secilit.
Epidemia është situatë mbushur me risqe e kosto të mëdha njerëzore e materiale. Gjithsesi mbetet problem i ndërlikuar që do studjuar e sqaruar nga specialistët, ne të tjerët kur nxitojmë të flasim për të në publik, rrezikojmë të marrim rolin e pathoit të katundit.
Por një gjë tjetër, më sociale mbase edhe mund ta diskutojmë. Funksionuam mirë dhe e bëmë covidin zap në karantinë, sa u liruan masat shtrënguese u lëshuam aq shumë sa semundja rrezikon të na vëjë përpara.
Mos vallë kjo tregon se nuk e menaxhojmë dot lirinë, se funksionojmë më mirë nën kontroll e diktat?
Në periudhën njëshekullore të shtetit shqiptar kemi patur thuajse vetëm regjime diktatoriale e autoritariste, edhe demokracia e tri dekadave të fundit shenjohet nga prirje te forta të sundimit të njëshit.
A ka ndodhur e po ndodh kështu nga që na janë imponuar elitat drejtuese dhe sidomos personalitet që kanë dalë në krye apo nga që si shoqëri një pjesë e mirë prej nesh nuk dinë ta menaxhojnë lirinë dhe funksionojnë më mirë nën diktat?
Kujt t’ia veshim qyrkun e fajit, elitave politike apo qytetarëve? Apo edhe… edhe…?
Thonë që pushteti është drogë e fortë, varësisë prej saj i shpëtojnë vetëm liderë me formim të fortë demokratik. Gjithsesi në çdo rast duhet limituar pushtetit i njëshit nëpërmjet parimit ‘kontroll – ekuilibër’ pa lenë në harresë trysninë e vazhdueshme të qytetarëve.
( Nga cikli ‘ Katakombet e kombit’ )

Check Also

Aksident tragjik/Përplasen 2 motorrët, një i vdekur dhe një i plagosur rëndë

Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e së premtes në Peqin. Burime bëjnë me …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

four × one =