Home / Sport / Prestige fiton përsëri me golin , siguron suksesin e dytë sezonal

Prestige fiton përsëri me golin , siguron suksesin e dytë sezonal

Prestige MFC ka siguruar suksesin e dytë sezonal në kampionatin “5×5” që organizon Federata Shqiptare e Futbollit. Në ndeshjen e zhvilluar mbrëmjen e së shtunës, Prestige arriti një tjetër triumf në shifra tenistike, duke mposhtur skuadrën Forza 1 me rezultatin 6-2.

Një takim në të cilin Prestige nuk e vendosi për asnjë moment në dyshim fitoren, ku spikatën Shima dhe Mërtiri, të cilët regjistruan nga një dopietë secili.

NDESHJA- Si gjithnjë, Prestige e mori nën kontroll lojën që në minutat e para, ndërsa goli nuk vonoi shumë. Në të 6-ën, Antoni rikuperoi një top në mbrojtje duke shërbyer për Shimën. Ky i fundit finalizoi në mënyrë perfekte aksionin, me një goditje më të saktë me majë duke e dërguar topin në cepin e portës nga një pozicion ballor.

Në të 17-ën, Allmeta realizoi golin e dytë pas një aksioni të gjatë të Prestige duke e dërguar topin në rrjetë me “dhunë”. Një minutë më vonë skuadra Forza 1 ngushtoi në 2-1. Megjithatë, në fundin e pjesës së parë, Prestige riktheu qetësinë duke shënuar edhe golin e tretë pas një aksioni model në versionin e futbollit të sallës.

Mërtiri ndërroi lojën në të majtë për Gjonin, ky i fundit e hodhi menjëherë në shtyllën e dytë, me Shimën që më pas e dërgoi në rrjetë. Në pjesën e dytë, serinë e golave e hapi Mërtiri, i cili finalizoi saktë pas një kombinimi me Lleshin.

Mërtiri kompletoi dopietën në aspektin personal duke mbyllur në shtyllën e dytë një trekëndësh të bukur mes tij, Shimës dhe Xhungës. Më pas, ishte radha e Lleshit për ta regjistruar emrin në listën e golashënuesve, i cili shkarkoi në portë një gjuajtje të fortë pas një topi të marrë nga Hysenbelliu. Në fund, Forza 1 ngushtoi në 6-2, gol që mbeti vetëm sa për vlerë statistikore.

Prestige

PRESTIGE B- Këtë sezon, siç dihet, Prestige përfaqësohet me dy skuadra në kampionatin “5×5”. Pasi kishte debutuar me fitore 6-1, Prestige B e barazoi ndeshjen e saj të dytë në këtë kompeticion. Sfida e mbrëmjes së shtunë ndaj skuadrës Provinca u mbyll me rezultatin 1-1. Fillimisht ishte Provinca që kaloi në avantazh, ndërsa në pjesën e dytë Skënderi i barazoi shifrat në 1-1.

Check Also

Mbappe i vetëdijshëm për të ardhmen: Sido të shkojë, do të luaj në një klub të madh

Një nga temat që mori më shumë vëmendje në merkaton e verës së kaluar, ishte …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

four × one =