Home / Kryesore / Poshtërimi i shmangshëm i Moskës

Poshtërimi i shmangshëm i Moskës

Nga Akri ÇIPA-

Përkundër paralajmërimeve të shumta, Përfaqësuesi i Lartë europian për çështjet e jashtme, Josep Borrell, vendosi të ndërmerrte javën e kaluar një vizitë zyrtare në Moskë. Udhëtimi, i pritur me mjaft kundërshtime nga disa vende anëtare të Bashkimit Europian, jo vetëm që nuk pati asnjë rezultat pozitiv, por edhe u karakterizua nga një sjellje poshtëruese e palës pritëse. Domosdoshmërisht, kjo vizitë ngre disa pikëpyetje për drejtimin e politikës së jashtme të bllokut europian.

Udhëtimi në kryeqytetin rus erdhi në një moment tensioni në marrëdhëniet dypalëshe, veçanërisht pas helmimit dhe më pas dënimit me burgim të aktivistit opozitar rus Alexei Navalny. Komuniteti ndërkombëtar ia atribuon të dyja përpjekjet, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose indirekte, institucioneve ruse dhe udhëzimeve të drejtpërdrejta nga Kremlini. Në samitin që do të mbahet në mars, liderët europianë pritet të diskutojnë çështjen e Rusisë. Mundësia dhe aplikimi i sanksioneve ndaj federatës ruse për shkeljen e të drejtave të njeriut mbetet në agjendë.

Pikërisht për këto arsye, disa vende anëtare të Bashkimit Europian shprehën shqetësimin e tyre për momentin e gjetur për vizitën. Veçanërisht të zëshme ishin vendet e Baltikut dhe të Europës Lindore, si vija e parë e vendeve të BE-së që e ndjen në mënyrë të drejtpërdrejtë rrezikun rus. Ato shfaqën hapur rezervat e tyre për këtë vizitë që nuk ndërtohej mbi një objektiv të qartë dhe të mirëpërcaktuar nga Komisioni Europian. Në fakt, vetë zoti Borrell kishte qenë përgjithësues dhe i vagullt, duke iu referuar thjesht nevojës për të qartësuar gjendjen e marrëdhënieve BE-Rusi.

Përgjigjja nga Moska nuk ishte ajo që ai priste, por, në vetvete, ishte shteruese. Këmbëngulja e tepruar jo vetëm që nuk solli ndonjë rezultat konkret, por u shfrytëzua nga Moska për të injoruar me arrogancë përpjekjen e Bashkimit Europian. Veprimi i autoriteteve ruse për të urdhëruar, pikërisht në kohën që Përfaqësuesi Borrell do ishte në Moskë, përjashtimin e tre diplomatëve europianë me akuzën e pjesëmarrjes në protestat në mbështetje të Navalny ishte sinjal pa nevojë interpretimi.

Ministri i Jashtëm Lavrov e nxori në pah pafuqinë e unionit (ose, më saktë, perceptimin që ka Bashkimi Europian për pafuqinë e vet), teksa vendosi të shigjetonte në konferencën e përbashkët për shtyp politikat europiane. Ai shkoi deri aty sa e etiketoi Bashkimin Europian si partner të pabesueshëm dhe joserioz.

Çfarë e shtyu kryediplomatin e BE-së të udhëtonte drejt Moskës? Përse preferoi të injoronte mesazhet skeptike për këtë veprim? Çfarë do të thotë ky takim për të ardhmen e marrëdhënieve BE-Rusi, por edhe për kontekstin më të gjerë të zhvillimeve gjeopolitike në kontinent?

Për ta kuptuar thelbin e vizitës, duhet parë retorika e gjerë e Bashkimit Europian për të ashtuquajturën “autonomi strategjike”. Kjo politikë synon të aktualizojë dhe rikalibrojë prezencën e Bashkimit Europian në arenën ndërkombëtare. Këshilli Europian filloi ta përdorë këtë koncept në vitin 2013. Megjithatë shtysën për ta promovuar këtë politikë në vijë të parë ishte perceptimi i nevojës për t’u ripozicionuar në vazhdën e zhvillimeve dhe problematikave të hasura në marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara gjatë presidencës Trump.

Në përpjekjen për të gjetur një rrugë të artë drejt “autonomisë strategjike” dhe uljes së ndërvarësisë nga Shtetet e Bashkuara, përshtypja është që qendrat e vendimmarrjes në Europë e shohin si të pashmangshëm përafrimin e BE-së me Rusinë. Në parim, kjo nuk është e gabuar, duke marrë parasysh se vetë Rusia është pjesë e kontinentit europian dhe, deri në provë të kundërt, përbën rrezikun kryesor ushtarak ndaj bllokut. Por, për të arritur një përafrim të tillë, nevojitet një partner konstruktiv edhe nga ana tjetër e tavolinës.

Nën drejtimin e Presidentit Putin, Rusia e ka treguar që nuk mund të jetë ky partner. Duhen dy veta për të kërcyer tango dhe Rusia e ka bërë të qartë se preferon kërcimet solo. Megjithatë, Bashkimi Europian ka treguar aftësinë për të mësuar shumë pak dhe shumë ngadalë nga gabimet.

Në këtë prizëm, është naiv refleksioni i zotit Borrell se qasja e palës ruse ndaj vizitës së tij tregoi mungesën e tyre të seriozitetit për t’u ulur në tryezë dhe diskutuar marrëdhënien BE-Rusi. Është naiv për shkak se të gjithë treguesit ishin aty që më përpara dhe nuk ishte nevoja për këtë shfaqje të shëmtuar për ta konfirmuar. Për më tepër, ky poshtërim i ndërmarrë me ndërgjegje të plotë nga Brukseli ngre disa pikëpyetje dhe për ardhmërinë e politikës së BE-së ndaj Rusisë.

Shtytja nga kryeqytetet e mëdha që e shikojnë me interes të madh përmirësimin e marrëdhënieve të Bashkimit Europian me Rusinë dhe përafrimin e tyre ka gjasa të vazhdojë. Mesazhi nga Moska është që ky përmirësim mund të ndodhë vetëm kur Bashkimi Europian të shkojë përtej përuljes së shprehur dhe dëshirës së sinqertë për të përmirësuar raportet: ky përmirësim mund të ndodhë vetëm kur BE të kalojë në akomodim të interesave ruse.

Teksa vazhdon të ketë një mungesë të një boshti të qëndrueshëm në orientimin e politikës së jashtme të BE-së kundrejt Rusisë, nuk mund të përjashtohet mundësia që në fusha dhe çështje të caktuara të ketë realisht mbivendosje të interesave ruse.

Së dyti, vlen të gjykohet largpamësia e unionit për të priorizuar përafrimin me Rusinë në kohën kur Bashkimi Europian përballet me situatë të koklavitur në të gjitha drejtimet. Fjala vjen, për momentin situata me Turqinë është më delikate, por ofron në të njëjtën kohë më shumë mundësi për të rindërtuar marrëdhënien dhe për të adresuar çështjet që gjatë muajve të fundit ngritën tensionet në Mesdheun Lindor. Ndërsa Brukseli ka preferuar ta shtyjë diskutimin e çështjes së Turqisë dhe të jetë shumë më i ftohtë në përpjekjet ndaj Ankarasë; ndaj Moskës shfaqi nxitim të tepruar.

Së fundmi, mesazhi i dhënë nga vizita në Moskë është se Brukseli ka hedhur poshtë çdo lloj pretendimi për të ushqyer me besim të plotë marrëdhëniet transatlantike.

Përkundër asaj çfarë përsëritet në mënyrë gati mekanike, ishte Bashkimi Europian që e mori të mirëqenë marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara. Gjatë katër viteve të fundit, Brukseli e kishte të lehtë ta drejtonte gishtin tek presidenca Trump në Amerikë si shkaktarja e tronditjes së marrëdhënieve. Megjithatë, edhe pse në Shtëpinë e Bardhë është tashmë në drejtim Presidenti Biden, një mbështetës i vjetër dhe i përkushtuar i bashkëpunimit SHBA-BE, Brukseli nuk po i jep ndonjë mundësi Uashingtonit ta shtrijë dorën e miqësisë.

Këtë e tregoi fillimisht me shpejtësinë qesharake për të përmbyllur një marrëveshje gjithëpërfshirëse investimesh me Kinën në prag të inaugurimit të administratës së re amerikane. Pavarësisht se administrata e re dha mesazhe të qarta se do vlerësonte dhe ishte e gatshme për koordinimin dhe bashkërendimin e politikave kundrejt Pekinit. Tashmë, duket sikur e njëjta situatë u përsërit me vizitën e pamenduar mirë të Moskës.

Të gjitha këto elemente shpërfaqin në mënyrë të ndryshme boshllëkun e madh të retorikës europiane. Terma të tillë si “komision gjeopolitik” ose “autonomi strategjike” kanë efekt kozmetik, por jo brendi reale dhe bosht strategjik. Ky konfuzion jo vetëm kufizon mundësinë për të patur një impakt pozitiv në adresimin e marrëdhënieve me fqinjët, por tërheq vëmendjen dhe nga ato politika me orientim të jashtëm që janë shumë më të drejtpërdrejta dhe që mund të kenë realisht impakt pozitiv.

Derisa politikëbërësit në Bruksel dhe në qendrat e tjera europiane ta kuptojnë këtë, ata do të jenë të dënuar të udhëtojnë në ujëra të turbullta./Sbunker

Check Also

Zgjedhjet, mos vallë do na e heqin nga qafa zgjedhën?!

Nga Ylli MEÇE – Tri dekada nga premtimi se Shqipëria do të bëhej si e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

nine − one =