Home / Aktualitet / Policia si detashment politik

Policia si detashment politik

Nga Nardi Olli
Në Ditën e Rinisë, si për ironi të fatit, i riu 25 vjeçar, Klodjan Raxha gjeti vdekjen pasi u qëllua nga një punonjës policie. Simbolika më trishtueshme për hallemadhen Shqipëri! Ndalim qarkullimi pas orës 22:00, vendosur për arsye të pandemisë tashmë ka edhe një viktimë, por jo nga pandemia. Edhe pse faktet e para dëshmojnë se punonjësi i policisë ka qëlluar në kundërshtim me ligjin, sipas hetimeve të kryera nga ShKÇB, ajo që tërheq vëmendjen është heshtja, thuajse e plotë, me zë dhe figurë e ministrit të Brendshëm apo Drejtorit të përgjithshëm të PSh. Sigurisht që askush nuk pret që ata të zbardhin çështjen, por të bëjnë një reagim publik ku të sqarojnë opinionin publik për ngjarjen, hapat e ndërmarrë dhe të japin garanci publike se do të ketë transparencë maksimale në raport më ngjarjen sot në hetim dhe nesër kur kur dojsa të shkojë para organit të drejtësisë. E ndërsa në raste banale apo për interesa meskine këta drejtues ‘grisin’ ekranet televizive, në këtë rast heshtja ka qenë i vetmi reagim. Vetë ngjarja mund të jetë një rastësi shumë fatkeqe, po kur humbet një jetë njeriu analiza shkon përtej ngjarjes në fjalë. E kjo pasi prej vitesh shqiptarët ndjejnë gjithmonë e më shumë presionin e shtuar të uniformave blu, të cilat, në mendimin tim, veprojnë jashtë kornizës ligjore apo ligjit për organizimin dhe funksionimin e PSH. Shumë nga këto shkelje mbulohen nga urdhëresa apo akte të tjera administrative, që bien ndesh me ligjin, por një pjesë tjetër, sikundër provojnë çdo ditë faktet vijojnë për inerci të frymës që krijojnë këto shkresa apo fryma që japin drejtuesit e lartë policorë dhe ata politikë. Në tetor të vitit 2014, duke ndjekur më vëmendje situatën që dyshja Rama-Tahiri sollën në PSh, në një shkrim botuar në median e shkruar, trajtoja faktin se Shqipëria zyrtarisht po kalonte në një shtet policor (https://www.albdreams.net/shteti-policor-vs-shtetit-ligjor/).
Nga tetori 2014, kanë rrjedhur shumë ujëra, por fatkeqësisht, trajtesat e mia, kokëfortësisht provohen dita-ditës. Dhunimi i të drejtave më minimalë të njeriut është një realitet i rrezikshëm. Sjellja e policëve, ndalimi në rrugë, sjellja ndaj protestuesve të çdo lloj orientimi është në tejkalim të çdo kuadri ligjor, tashmë si praktikë normale pune. Dhënia e shumë kompetencave uniformave blu dhe mungesa e kontrollit ndaj zbatimit me korrektësi të detyrës apo edhe shkelja idhnake e syrit kur këto shkelje dhe dhunime të individëve shkojnë në favor të partisë, ka krijur njw situatë të frikshme. Dhuna ndaj individëve të ndryshëm në qelitë e komisariateve dhe keqtrajtimi, madje edhe ndaj gazetarëve apo avokatëve është shndërruar në përditshmëri. Rekrutimi i personave në organizatë jo për përgatitjen e tyre po për militantizmin dhe besnikërinë e tyre ndaj partisë e kanë shndërruar Policinë e Shtetit në një detashment politik që i shërben pushtetit dhe jo shtetit. Veprimtaria e saj nuk bazohet më në kuadrin ligjor, por në dëshirat dhe urdhrat e “kapoministrit”. Nuk është rastësi që shumë punonjës të policisë apo ministrisë së Brendshme, nën zë, pohojnë se Drejtori i përgjithshëm i PSh thuasje e shpërfill autoritetin e ministrit dhe ruan lidhje direkte me kryeministrin. Nëse i referohemi rastit të dhunimit të adoleshentit për shëtitje me biçikletë dhe reagimin e Ardi Veliut ndaj nënës së tij, madje në sy të komisionit parlamentar të Sigurisë është një tregues i frkshëm se deri ku shkon e keqja dhe deformimi i rolit të misionit të PSh.
“Shteti policor është ai shtet në të cilin autoriteti administrativ mundet që në mënyrë të kamufluar, por me liri të plotë ose thuajse të plotë vendimi, zbaton ndaj qytetarëve të gjitha mënyrat që autoriteti i konsideron të nevojshme, duke marrë iniciativën e plotë për të përmbushur në çdo moment qëllimet e veta: ky regjim policor bazohet mbi idenë se qëllimi i përligj mjetet. Shtetit Policor i kundërvihet vetëm Shteti i së Drejtës”, ka përkufizuar Raymond Carré de Malberg, në veprën e tij “Kontribut në teorinë e përgjithshme të shtetit”(1920).
Edhe pse ngjarja e Laprakës mund të ketë qenë një rastësi fatkeqe, kupa e abuzimit është mbushur kaq shumë sa nuk përbën më një rastësi, por një “rregull” të pashkruar. Mungesa e qëllimshme ndëshkimeve ndaj gjithë punonjësve të policisë që kanë shkelur ligjin, mungesa ndër vite e hetimeve serioze ndaj veprimtarive të punonjësve të policisë, përkundrazi duke i toleruar dhe mbështetur e rrahur shpatullat për besnikërinë e treguar do të sillnin në këtë fatkeqësi e ndoshta edhe në të tjera nëse nuk reagohet seriozisht. Për fat të keq, ky detashment politik, që ende është i vogël në numër, në raport me totalin e punonjësve, godet dhe rrënon besimin e publikut për të gjithë uniformat blu, pjesa më e madhe e të cilëve nuk ka lidhje me këtë deformim. Pyetja shtrohet deri kur do të mbajnë edhe këta presionin e të mosqenit detashment? Deri ku frika e largimit nga puna i detyron jo rrallë herë të mbyllin sytë e të heshtin para shkeljev të ligjit apo aferave korruptive në radhët e tyre. Sigurisht me ligjin, qoftë edhe për të larë duart si Pons Pilati, do të përballet punonjësi në fjalë i policisë, por ne nuk duhet të humbim fokusin e të harrojmë faktin se tjetërkush janë frymëzuesit e kësaj sjellje dhe mbrojtësit e saj. Në këtë qeveri anonime, ku pjesës dërrmuese të ministrave nuk u dihen as emrat, nuk besoj se kërkon mund të madh jo për të hedhur përgjegjësinë si top balte, po për të ngritur akuzën publike pa mëdyshje se ‘kapoministri’ Rama është përgjegjësi i vetëm për shtetin policor që sundon sot. Sigurisht, që edhe Lleshaj, i cili ka pranuar të veshë mantelin e minsitrit ka përgjegjësi madhore si për situatën ku ka katandisur policia, por edhe pse se hesht dhe pranon të jetë një marionetë, në këmbim të përfitimeve që i jep posti publik. Një ministër që ‘trimërisht’ sulmon mediat se i nxjerrin të palarat nga foltorja e parlamentit. Sot është strukur si struci. Nëse do të ishte ndryshe, dorëheqja si akt politik për këtë krim, do të ishte minimumi i përgjegjshmërisë publike apo individuale.
Imazhi mund të përmbajë: 2 njerëz, jashtë

Check Also

Interpretoj “Nënën Shqiptare”/ Ndahet nga jeta artistja greke

Nga Miho GJINI- Sot, u largua nga jeta në Athinë Artistia e madhe Greke, antare …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

16 − 4 =