Home / Kryesore / Pogradec:Ekspozohen pjesë të panjohura nga mozaiku i Bazilikës paleokristiane të Linit

Pogradec:Ekspozohen pjesë të panjohura nga mozaiku i Bazilikës paleokristiane të Linit

Pas një harrese 20-të vjeçare Bazilika paleokristiane e Linit do të jetë jetë e hapur për vizitorët, duke ekspozuar për herë të parë edhe pjesë të panjohura të mozaikëve të rrallë. Bazilika pozicionohet në periferi të fshatit Lin, prej nga shfaqet pamja magjepsëse e liqenit të Ohrit, çfarë kuriozon pushuesit dhe vizitorët që zgjedhin apo ndalen për disa orë në Pogradec.

Për të tretin vit, pjesët përbërëse të mozaikut, që datojnë në shekujt V-VI,  periudhës së sundimit të perandorit romak, Justinian, i janë nënshtruar ndërhyrjeve resaturuese dhe konservuese, duke nxjerrë në dritë gjatë kësaj vere, Narteksin.
Mozaikët e zbuluar përbëhen nga elementë floralë, detaje nga Dhjata e Vjetër si dhe një lutje zbuluar së fundi, nē gjuhën bizantine.Veç elementëve të përdorur në bazilika të tjera, si zogjtë, motivet me gërsheta, skena nga bota bimore dhe shtazore, mozaiku i Linit dallohet edhe për motive që ndeshen rrallë, siç janë bletët, pohojnë specialistët e Monumenteve të Kulturës. Për ndërtimin e mozaikëve janë përdorur gurë të vegjël, në formë kubike, me përbërje gëlqerore apo mermeri, por edhe kubikët prej tulle apo brumi qelqi.

Në disa pjesë janë konstatuar dëmtime të figurave të mozaikut, për të cilat ekspertët po punojnë për t’i riformuluar dhe restauruar,  por edhe zëvendësuar elementët që mungojnë.

Përgjegjësi i sektorit të artit në Institutin e Monumenteve të Kulturës, Agron Islami, tregon se proçesi i restaurimit të elementëve dhe pjesëve të mozaikut, është i vështirë dhe delikat. “Punohet me shumë kujdes për të nxjerrë në dritë çdo detaj të mozaikut, -tregon Islami. Më pas, evidentojmë zonat e dëmtuara dhe proçedojmë me restaurimin, i cili kryhet me materiale autentikë. Para ndërhyrjes, realizohet një proçes kimik, nga i cili mësojmë llojin e materialeve që janë përdorur, dhe më pas bëjmë zëvendësimin e pjesëve të munguara dhe konservojmë ato që kanë pësuar dëmtime”, pohoi Agron Islami.

Pandemia pengoi hapjen në fillim të sezonit turistik të Bazilikës së Linit, sitit më të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore të Pogradecit dhe jo vetëm, që çdo verë merrte vëmendjen sidomos të turistëve të huaj. Drejtori i drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Gjergji Koki, pohoi se për shkak të kushteve specifike, krijuar nga pandemia dhe izolimi, punimet restauruese u shtynë me dy muaj dhe për pasojë hapja e mozaikut u mundësua vetëm në përfundim të sezonit turistik.  “Dy vite më parë, ne hapëm Pastoforinin, i cili ju nënshtrua ndërhyrjeve resturuese, sepse kishte dëmtime dhe po vijojmë me Narteksin, duke u fokusuar tek riformulimi i pjesëve të dëmtuara dhe ndërhyrjet, që do të zgjatin jetën e mozaikut, që i ka rezistuar shekujve”, pohoi Koki.
Pavarësisht situatës,  që mbetet ende e vështirë, drejtoria e Kulturës Kombëtare ka vendosur që Bazilika të qëndrojë e hapur deri në fillim të muajit tetor, për t’u dhënë mundësi vizitorëve vendas të shohin dhe eksplorojnë këtë aset të çmuar të trashëgimisë kulturore, i cili për fat të keq ka mbetur i mbuluar dhe i panjohur për rreth 20 vite.
Ekspertët po diskutojnë mundësinë që në vazhdimësi Bazilika e Linit të ekspozohet e gjitha, por kjo përveç një kostoje financiare, kërkon edhe një plan menaxhimi, u shpreh Gjergji Koki. “Vendosja e një strukture mbrojtëse është imediate, pasi struktura që u vendos 20 vite më parë u dëmtua dhe nuk shërbeu për mbrojtjen e bazilikës”, tha Koki për Portën Vendore.

Projekti i afërt i drejtorisë së Kulturës Kombëtare mbetet rizbulimimi i plotë, konservimi dhe ekspozimi i të gjithë bazilikës.
Vitin e kaluar bazilika e Linit u vizitua gjatë muajve që u hap për publikun nga më tepër se 900 vizitorë, shumica prej të cilëve të huaj.
Bazilika e Linit është ndërtuar si një strukturë trekonikëshe, me naos, kapela anësore, baptister dhe atrium. Kisha ka qenë e dekoruar me mozaikë polikrom, që shfaqin motive gjeometrike, floreale dhe skena tipike të periudhës paleokristiane. Studiuesit besojnë se përmbajtja e gjetur e një mbishkrimi me ekstrakte të psalmit të Davidit, mund të jetë tregues, që bazilika të ketë shërbyer edhe si qendër pelegrinazhi.

Check Also

Makina tip “Benz” del nga rruga, plagoset shoferi në Berat

Një makinë është aksidentuar vetëm pak minuta më parë në aksin nacional Berat – Urë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

3 + 10 =