Home / Kryesore / Poetika e poezisë së dashurisë

Poetika e poezisë së dashurisë

Nga Behar GJOKA
Libri me poezi i titulluar Princi i Dashurisë, i poetit të mirënjohur të letrave shqipe, Lefter Çipa, padyshim i derdhur në një sinkretikë poetike të beftë, pra të një gërshetimi të vetëdijshëm të librores dhe orales, jep të plotë përpara lexuesit edhe botën që parapëlqen më së shumti, pra dashurinë si afsh dhe materie, frymë dhe amshim, por edhe kodin se prej nga ku mund të kundrohet dhe shijohet shkrimi poetik i tij. Njëkohësisht, kjo përmbledhje me poezi, shënon edhe majën e fjalës poetike të poetit, pamëdyshje në të gjithë pentagramin shkrimor të gjertashëm, të endur me finesë dhe art prej tij. Teoritë letrare, klasike dhe moderne, kryesisht duke i lexuar dhe shqyrtuar tekstet poetike, më tepër si të ndara dhe të larguara, nga njëra-tjetra, pra si poezi popullore dhe të kultivuara, në fakt na shkaktojnë edhe një rrëmujë krejt të panevojshme, mbase diç më shumë një ngërç konceptual, paragjykues dhe veprues në jetën tonë, sikur letërsia e kultivuar, pra ajo autoriale, është e një niveli më të ngritur artistik, krahasuar me letraren e oralitetit. Harrimi, në këtë rast, i fakteve të thjeshta se letrarja e kultivuar ka lindur prej bërthamës së oralitetit dhe se për asnjë rrethanë nuk i ka shkëputur penjtë dhe marrëdhëniet me të, të vë në mendim dhe po kaq në dyshimin e trajtimeve të nxituara përmbi këtë ekzistencë të dhëniemarrjes së letërsisë orale dhe të shkruar, madje edhe si një akt i marrëdhënies së ndërsjellë. Në këtë rast, ka gjasa të shumta dhe tepër domethënëse se jemi në një paragjykim të pastër, të shpaluar si i tillë gjatë shekullit të kaluar, por që megjithatë po e zgjatë ndikimin e vetë edhe gjatë moteve të shekullit të njëzet e një, e po kaq madje njëherit paraqet edhe braktisjen e pa shpallur të leximit të tekstit, si e vetmja shenjë estetike. Poezia e pranishme në faqet e përmbledhjes Princi i Dashurisë, padyshim në një vjershërim dhe shpalim të thekur të mëtimeve dhe kërkimeve letrare, në imazhet dhe substancën e prekshme, në leksikun dhe shprehësinë e formatuar, materializon realisht një situatë të trefishtë, si thënie dhe domethënie, si realitet imagjinar, të krijuesit dhe të vetë shkrimit poetik:
A – Të poetit të shquar dhe mjaft të fuqishëm të poezisë popullore, si teknikë dhe frymë, si ngjizje dhe tharm shkrimor, si dëshmi dhe shenjëzim letrar dhe poetik, që megjithatë ka përthithur në palcën e vetë, si prani dhe materie, ngjyresë dhe frymim, energjinë e poetikës së dashurisë të Jeronim De Radës, Z. Serembes, N. Frashërit, A. Z. Çajupit, A. Asllanit, L. Poradecit, Fan S. Nolit, P. Markos etj. , si dhe të jo pak mjeshtrave të shkrimit të poezisë së përbotshme. Kjo ndjesi bëhet mjaft e prekshme në sendërtimin e motivit të dashurisë, motivit më të pëlqyer dhe të lëvruar kaq gjerësisht në poezinë e L. Çipës. Pra, moria e poezive të këtij libri, ku është përmbledhur dhe shpalosur, përgjithësisht dhe veçmas, poetika e shkrimit të poezisë së sinkretikës poetike, pra e ligjërimit të fjalës poetike, si një sharm dhe vel që të ndërmend dhe fanit, si të gjallë dhe të plotë ngjyrat, magjinë e natyrës së dashurisë, e në jo pak raste edhe atë të natyrës së bregdetit të detit Jon, çka dëshmon qartësisht se kemi të bëjmë me një poet popullor, fundekrye të kultivuar dhe thinosh përnga fjala dhe ritmika, që megjithatë ndjehet mirë pikërisht në udhëkalimin e të dy tipologjive shkrimore të poezisë, si orale dhe librore, njëkohshëm.
B – Të poezisë së mirëfilltë edhe si të kultivuar, çfarë edhe sendërtohet fare qartësisht, sidomos kjo bëhet më e dukshme në strukturimin poetik me cikle të veçantë, posaçërisht me katër cikle, të plota dhe të pasura në lloje dhe tipologji shprehjeje, si dhe po ashtu edhe e lëvrimit të poemës së vendosur në fund të librit, që në fakt edhe ka ulur siparin e përmbledhjes së poetit, nëpërmjet një befasie poetike, si frymë dhe shenjë, teknikë dhe shprehësi. Shkrimi i poezisë së kultivuar prej autorit, me po kaq lehtësi sa edhe e para, përpos të tjerash, zbulohet dhe shenjtërohet edhe nga shfrytëzimi dhe shkrimi, në vjershërimin e poetit, i të gjithë metrikës së shqipes, klasike dhe të riformuluara, po kaq edhe i strofimit të larmishëm të poezisë, si dhe në mënyrë të veçantë, ku faktohet dhe preket në përzgjedhjen e prekshme leksikore, mbase me një lodrim të thekur të fjalës, mu sikur të ishte vetë pëllumbesha e dashurisë, e cila rastisë që të përfothet edhe nga vala e detit, si dikur perëndesha e bukurisë, Afërdita e lashtësisë, ngjizur aq bukur në ato vargje dhe situata poetike të përveçme dhe tejet të thukta.
C – Të poetit lirik, padyshim një zë orgjinal dhe i fuqishëm i lirikës shqipe bashkëkohore, madje si një përfaqësues i thekur i lirikës së pastër (purolirikës), ku poetika e tij krejt natyrshëm huamerr, njëherit dhe madje me të njëjtën gjatësi vale, në ligjërimin e poezisë gojor, po kaq edhe në poetikën e kultivuar, të shkrimit të poezisë shqipe, duke u kthyer kështu në një fakt letrar të dyfishësisë letrare, i cili ka përthithur në materien e vetë gjithë përvojën e mëhershme, porse po kaq edhe ka formatuar fytyrën e vetë, pra të poetit buzëhollë, që nuk shkëput lidhjen me burimin e artit popullor. Mbi këto të dy binarë, pra lirika gojore dhe përvoja e shkrimit të saj në gjuhën shqipe, të prekshme dhe shenjuese të letrares, madje edhe si një gjurmë e pashmangshme për secilin krijues të fjalës shqipe, L. Çipa end dhe thur kaq bukur poetikën autoriale, të fjalës letrare, tejet të hapur si kuptim, e po kaq të ngjeshur si figurshmëri, si dhe tepër tronditëse si ndjesi dhe e larme si shprehje, duke sendërgjuar kështu një poezi sa prekëse, aq të papërsëdytshme në magjikën e shprehjeve letrare të gjuhës shqipe.
Dashuria si shkas i fjalës poetike apo zjarrëllimë shpirtërore, mbase ca më tepër si vatra kryesore e sendërgjimit të shkrimit poetik, si frymë dhe topos, si humus dhe prani ekzistenciale e qenies, si dhe e ngjizur me një brishtësi ndjenje dhe tharm artistik, ndonëse për hir të së vërtetës në faqet e këtij libri, kjo ndjenjë e bukur, shpaloset në disa mënyra:
– Si portretizim i jashtëzakonshëm i vashës, që ia ka djegur dhe përvëluar zemrën poetit, një penelim i hollë dhe domethënës i bukurisë dhe rrezatimit, që shpërndan ajo përqark, e madje si një çast i bukur i lëvrimit të një tipi poezie të dashurisë, të veçantë dhe lozonjare, ku edhe përndritet më tepër pasoja e kësaj ndjenje fisnike dhe zbukurimore të shpirtërave njerëzorë, e kësaj ndjenje që e shpalos fytyrën e vashës nër ca vegime gati të paimagjinueshme, teksa shkruan:
Si qiri je ndezur,
Si fleta më dridhesh,
Dhe prapë duke qeshur,
Nga flaka më ngrihesh. ,
të cilat e zbulojnë kaq shkurt dhe fuqishëm poetikisht, vetë përjetimin e objektit të bukurisë, pra vashën bukuroshe, epiqendrën e poetit për ta kënduar kaq bukur dhe me lakonizëm dashurinë, mbase qiellin tokësor të shpirtit njerëzor, e veçmas të unit poetik.
– Si një përjetim krejt i makthshëm i vetë ndjenjës së dashurisë, e ku merr pjesë edhe vetë natyra, me të gjithë gjallërinë dhe lodërtinë e vetë, e cila po kaq shërben edhe si një dëshmitar i këndshëm, i pranisë së dashurisë, si ndjenjë e brishtë, kur shprehet:
Maleve s’u flihet,
Se borë më s’kanë
erërat se ç’zihen,
yjet në det ranë…
Pse s’u bëre diell,
Dilje mbi Himarë. ,
ku ndjenja e dashurisë, këtu dhe tjetërkund në poezinë e vëllimit poetik Princi i Dashurisë, bashkëlidhet krejt natyrshëm, përveçse si dritë dhe rrezatim i erotikës së thellë dhe shpesh havardare, edhe me dashurinë e pakufishme për vendlindjen, Himarën bukuroshe dhe kryeneçe, e cila përfaqëson dhe simbolizon gjithë zonën e Bregut, pra edhe Pilurin.
– Si rimarrje, qëllimore dhe estetike, e konceptit të hershëm të dashurisë, ku loja dhe ankthi janë pranvendosur, madje edhe kaq të pranishëm në poetikën e shqipes:
Ah, moj mike e djallëzuar,
Si s’të ranë lavdërimet.
Ti je besë e pabesuar,
Ndaj dhe i shkelmon besimet. ,
tanimë si një marrëdhënie e prekshme tekstesh dhe situimesh të shumta letrare, mbase më tepër e frymës së poetikës së Naim Frashërit, Zef Serembes, Ali Asllanit dhe Lasgush Poradecit etj.
– Si një paralelizëm i gjetur dhe i hollë, madje edhe i gërshetuar, bukurisht dhe poetikisht me natyrën e bukur, aty përqark vendlindjes, teksa shkruan:
Ç’ka kjo erë e prillit,
Që të shpërndan flokët,
Në vakt të bilbilit,
Do lulëzojnë mollët. ,
e cila na zbulon me kaq finesë dhe ritmikë të thekur poetike, pranëvënien e dy bukurive, dy shenjave dhe frymëve të shenjta, të fanitjes së dashurisë dhe bukurisë së natyrës, të cilat në fakt gjellijnë, si kurdoherë në marrëdhënie të ndërsjella.
– Si një vlerësim i beftë dhe fare marrok dhe po kaq edhe tejet i ngritur i unit poetik, mbase shumë më tepër të shpupurisur nga ngazëllima dhe përvëlima e dashurisë, sidomos kur nënvizon:
S’di ku vanë sytë,
Ç’mjegull na i zuri,
Fustani është grisë,
Nga era që vuri,
Naze, moj nazuqe,
Nazuqja fodulle. ,
ku në fakt përbashkohen dhe ndërthuren edhe ca më shumë shenjat e pranishme letrare të shkrimit të poezisë nga ana e poetit, pamëdyshje të poezisë që rrokë shpirtin dhe këndon dhembshurisht për të.
– Si një akt, i përveçëm dhe i lartuar i pranisë së dashurisë, kësaj ndjenje të bukur dhe tronditëse, të lashtë sa vetë bota, prushuese dhe rrezëllitëse, kur shprehet:
Mike, kur ke mik në jetë,
Ç’e do kuranin, ungjilin
Ti je perëndia vetë,
Kur ke mikun, ç’e do yllin?
O mjaltosja e mjaltit,
O bora përsipër malit!! ,
ku shpaloset fare qartësisht shenjtërimi i marrëdhënies së dashurisë, e cila shpërndan rrathë lumturie, tashmë e materializuar si një marrëdhënie në çift, pra të mikut dhe mikes, si një numër krejt i prekshëm, pra këtu na vjen dyshi si një numër me shumë vlera, që të shpie natyrshëm gjer tek poetika europiane, që ka shtegtuara nëpër kaq e kaq shekuj të shkrimit të poezisë dhe të letërsisë në përgjithësi.
– Si një thirrje tipike e poezisë popullore, e gatshme dhe e përpunuara mjeshtërisht nga poeti, teksa shpaloset:
Ti, m’u bëfsh nuse e vjehrrës,
Nuse Bregu e Rivierës,
Nuse e valëve t’ shumta,
Të marrtë me vetë shkuma,
Në shkumë t’u laftë buza. ,
ku uratat e derdhura si me magji, si dhe me një lehtësi të paparë mrekullie, madje në këto vargje të shpalosura në formën e një mallkimi të përmbysur, pra si një uratë e fshehtë dhe e përmbysur, e rrisin edhe ca më tepër gradacionin shprehës të kësaj situate tepër të thukët letrare.
– Si një fanitje ëndërrore dhe disi e paimagjinueshme, lodëruese dhe përkëdhelëse, që të ndërmend bukuroshen e poetikës popullore, kur lëshon klithmën, kozmike dhe tokësore:
M’u shfaqe si yll pas nate,
Që mat qiellin me çape. ,
që skicon në këtë rast, veçmas të tjerash bukurinë e paimagjinueshme të vashës si perri, me fanitje kzomike, e cila duket se buron prej ëndrrash djaloshare, që e spërkasin poezinë më një tis mrekullimi dhe drite, zmadhimi dhe shpalimi të njëmendtë ndjesor.
– Si një dëshmi, e thekur dhe krejt e rrokshme, mbase nga më burimoret e bukurisë së vashës dhe të vendlindjes, pra si një bashkëshkrim i dy dashurive të mëdha, ku zjarri përvëlak i dashurisë është edhe më i fuqishëm, teksa ligjëron, kaq bukurisht:
Moj e bukura bregdetare,
Trëndafil i çelur taze,
Lulja përmbi portokalle,
E veshur në manushaqe.
Ngaqë s’ke naze të dua,
Kam ndërmend të të marr grua,
e cila të shpërfaq, më tepër se sa gjithëkund në poezinë e këtij libri, një prani të një dashurie tokësore dhe të përjetuar, me kaq shumë makth dhe adhurim, porse të mbështjellë me një tis bukurie të paimagjinueshme, çka na zbulohet në realizmin e portretit të saj, ose më mirë të fantijes ëndërrore të poetit për bukurinë e vashës.
– Si një çast, i përveçëm dhe lodërtar, tashmë edhe duke u transformuar heroin lirik, unin identifikues, të zgjimit të vagullimtë dhe krejt të madhërishëm të vashërisë (vajzërisë), kur shpërthen:
Ik, moj erë, i thashë,
Qenke e pabesë,
ik se unë jam vajzë,
E paputhur jeshë. ,
që na paraqet sidomos ankthin dhe zjarrëllimën e dashurisë së parë, mbase të puthjes së parë, të përjetuar mbase nën ethet e një marrëzie të ëmbël dhe tejet tronditëse.
– Si një hiperbolizimi krejt i pagjasshëm, i thirrjes dhe dëshirës, marrëzisë dhe mallit prushues, kur këndon, më tepër me ulurima përzhitëse të ndjenjës së dashurisë:
Hajde mike, hajde,
T’i vëmë zjarrin botës,
Dhe pastaj mbi male,
Të rrimë sipër borës. ,
ku preket dhe ndjehet një situatë siprore e mallit dhe përmallimit, etjes dhe dëshirës së dëshiruar, mbase e një zjarri përvëlak, që nuk reshtet dhe mbarohet asnjëherë në valën e përvëlimës së dashurisë.
– Si një klithmë e pazakontë, ku bota shuhet dhe tretet, shuhet dhe rilindet, madje ku njerëzia përshkundet dhe lodron nën ethet e dashurisë, ka gjasa të përkundjes nën ledhet e saj, siç ngjet në vargjet:
Ty, moj bukuri magjike
Sikur fronin të ta dija,
Do t’u thosha perëndive,
Perëndia është dashuria. ,
ku krahas përqasjes së hyjnores që e bart Perëndia, po kaq hyjnore dhe e dëshiruar, gjithnjë simbas konceptit që shprehin vargjet e poetit, mbase edhe diçka më tepër është dashuria, kjo ndjenjë që zbukuron dhe larton shpirtërat njerëzorë.
Këto forma, thelbësore dhe shenjuese, poetike të një erotike të hapur dhe të tejdukshme, padyshim edhe të tjera në poezinë e autorit, aq më tepër që janë derdhur bujarisht dhe me një koncizitet të brishtë, sendërtojnë dhe shpalojnë poezinë e lirikës erotike, si një ndjesi e bukur dhe që na zbulon njerëzoren në një dritë gati të paimagjinueshme, po kaq uni poetik, na shpalon një poet lirik të mirëfilltë, si frymë dhe shenjë, si gjurmë dhe shprehësi. Prania e këngës, po kaq e rrokshme në shkrimin poetik, kur nënvizon:
Sikur tërë bota të prishet,
Rrafsh me detin të vithiset,
Mua pa këngë s’më rrihet
Dhe brenda dheut ku flihet. ,
të cilat lajmëtojnë se kemi, kaq pranë dhe në një ligjërim të thekur letrar, një poet të lirikës së pastër shqipe, porse që në shtegtimin e vetë, shkrimi poetik, prania e dëshmisë letrare, më tepër e vendos në cakun ku pikëtakohet gojorja me libroren, madje më shumë, tashmë anësohet nga kjo e fundit, çka merr krahë dhe fluturim të parrokshëm, veçmas të tjerash në vargjet e poemës:
Aty të më lahet shpirti
Dhe të marrë penën të shkruaj.
Degë më degë bilbili,
nga gjum’ i rëndë do më zgjuaj. ,
ku duket kaq qartësisht poeti mjeshtër i shkrimit autorial, si ndjenjë dhe mendim, si varg dhe fjalë e qëlluar, si kumt që përçon dëshirën e pa këputur për jetën e lumtur, të mbushur dingas me dashuri.
Materia tekstore, si varg dhe fjalësi letrare, si vjershërim dhe ngjyresë artistike, e vëllimit poetik Princi i dashurisë, vetvetiu të sugjeron leximin dhe rileximin, së paku në dy rrafshe:
– Një tekst poetik, i thekur dhe i përveçëm, që përgjithëisht bart dhe përçon përvojën shkrimore të oralitetit, pamëdyshje pa lënë asgjamangut nga shenjat dhe vlerat e tij.
– Si një tekst poetik, tashmë autorial, pra i një rrugine të kërkimit dhe shkrimit të poezisë, nga burimësia e shpritit dhe vetëdija e thekur, e prandaj me ç’duket vijon që ajo të mbetet perëndesha e fjalës, me rrezatime dhe ngjyresa, gati të paimagjinueshme.
Prej leximit të të dy rrafsheve, të endura kaq mjeshtërisht nga poeti, madje edhe në një formësim letrar të dyzuar dhe të dyfishuar, njëherit brenda dhe jashtë shkrimit të poezisë shqipe, të kësaj ndërkohje, por edhe si e vetmja tejqyrë e këndimit/këngëtimit të poezisë, pra thjesht dhe vetëm si një lexim neutral, por edhe një situate, pothujase e pagjasshme, shpesh herë e këngëtimit të vargjeve, me vete dhe përshpërima leqendisëse. Atëhermë, leximi i poezisë, pra si një këndim i këngëtuar, ngjet jo fort shpesh, porse vetëm në rastet kur pikëtakohet poezia dhe poeti. E kemi shijuar, me dëshirë dhe pandërprerje, nëpër kaq e kaq shekuj, poezinë e Homerit, por vetë poeti, gjithsesi mbetet sërish në vegimin e mjegulltë të verbërisë. Jemi mahnitur, me të drejtë me Eseninin, poezinë dhe artin e tij, por i pashlyer nga memoria e qenies, do të jetë ai si një pishtar i fjalës poetike, sidomos për guximin e treguar, për të mos ia falur përfundimisht lirën poetike revolucionit proletar. Sepse, me ç’duket, poezia fluturon mbi të gjitha lëvizjet dhe pëmbysjet, horizontet dhe hapësirat e rrokshme dhe të parrokshme. Poezia, megjithatë poezia, gjithnjë e më shumë shtegton për më tutje. Libri Princi i Dashurisë, plazmon në një pamje të veçantë dhe të përndritur, njëherit dhe në një bashkëlidhje të thekshme, poezinë dhe poetin, ka gjasa më shumë pasojën dhe krijuesin, të cilët bashkudhëtojnë dashamirësisht dhe shpërndajnë rrezatime ndjesinash dhe gjurmë arti poetik. Kurora poetike e përmbledhjes, që thyen dhe formaton kodet e ligjërimit të poezisë shqipe, si një shkrim i përbashkimit të përvojave të ndryshme, gojore dhe librore, madje i ngjizjes së një poetikë të sinkretikës letrare, e jo vetëm i kundrimit absurd si krejt të përndara, pra pozinë gojore dhe librore, për shumë kohë dhe hapësira. Kjo kurorë poetike, e përveçme dhe lozonjare, ka vënë në qendër dashurinë, ndjenjën e lashtë sa vetë bota, si dhe paraqitjen e saj në të gjitha këndet e mundshme ekzistenciale. Energjia, e fjalës poetike, e fajlës së varg dhe figurë, si ndjenjë dhe shenjë artit, shpaloset si një klithmë e përtejmë, veçmas në vargun O Shokë, vdeksha nga kënga, i cili lajmëron shkëputjen e poezisë nga vatra krijuese dhe gaditjen e saj për një shtegtim të largët, nginjur tashmë në mister dhe univers të bukurisë së fjalës poetike. Bashkëshkrimi, oral dhe libror, popullor dhe autorial, i sendërgjuar qëllimisht kështu, pra me vetëdije dhe aspiratë shkrimore, madje i konceptuar edhe si një teksturë e beftë, jep shpresa se poetika e shqipes po e vijon mbijetesën e vetë, gjuhësore dhe letrare, pa u shkëputur nga ligjërimi gjithkohor dhe gjithhapësinor i lavrimit të saj, me rrezëllima dhe fantije arti.

Check Also

Ngjarja në Elbasan, delegacioni i BE: Hetim të shpejtë

Delegacioni i BE në Tiranë reagon pas ngjarjes së sotme në Elbasan ku një person …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 × five =