Home / Opinion / Po të kishte Prokurori…

Po të kishte Prokurori…

LUAN RAMA  

Menjëherë pas sulmit të një grupi të armatosur kriminal në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, do të duhej të kishte nisur çështja penale edhe ndaj të gjithë anëtarëve të Komitetit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil, i cili është i ngarkuar edhe për sigurinë e aeroportit “Nënë Tereza”, pa asnjë përjashtim, duke nisur me kryetarin e tij që është drejtori i Autoritetit Civil dhe nënkryetarin që është drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe me radhë të gjithë anëtarët e tij; drejtorin e Doganave, drejtorin e Kufirit, komandantin e Forcave Ajrore, drejtorin e Emergjencave Civile, drejtorin e ANTA-s dhe shumë e shumë zyrtarë të tjerë të lartë.

Qe dje, menjëherë pas ngjarjes, jo që mbrëmë, por që dje, do të duhej të ishin sekuestruar të gjitha aktet nënligjore, urdhrat dhe udhëzimet, manualet dhe instruksionet e shërbimit të të gjitha institucioneve, që prej Këshillit të Sigurisë Kombëtare e deri te Komisariati i Policisë në Aeroport e me radhë, gjithë praktika e komunikimit mes institucioneve, aktkontrollet, detyrat e lëna e dinamika e ndjekjes së tyre!

Dhe do të duhej që po, prej dje, jo prej mbrëmë, po prej dje në drekë, menjëherë pas ngjarjes, të ishin ndaluar të gjithë drejtuesit e institucioneve përgjegjëse, anëtarë të Komitetit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil, pa pritur që Presidenti i Republikës t’i ofronte sot zyrtarisht Prokurorisë praktikën e mbledhjeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare!

Të gjitha këto do të duhej të ishin bërë që dje në drekë, menjëherë pas sulmit të armatosur të një bande kriminelësh në pistën e Aeroportit të Tiranës, po të kishte Prokurori!

Nëse do të kishte Prokurori!

… dhe nëse do të kishte qeveri…

Qeveria duhej të ishte mbledhur dje menjëherë pas ngjarjes së rëndë në një mbledhje të jashtëzakonshme dhe të analizonte në detaje veprimet dhe mosveprimet e saj e të të gjitha institucioneve të varësisë!

Të analizonte çdo detaj e në shenjë përgjegjësie e reflektimi të jepte dorëheqjen!

Jo vetëm Kryeministri, por e gjithë qeveria të jepte dorëheqjen.

Sepse kështu do të vepronte çdo qeveri e çdo kryeministër në çdo vend demokratik!

Sepse është sfiduar, është mundur e turpëruar në sektorin, ku do të duhej që siguria të ishte garantuar në cilësinë më të lartë, siç e kërkojnë standardet e sigurisë së lartë të vendeve anëtare të NATO-s.

Mirëpo, në Shqipëri nuk ka qeveri; ka banda që grabisin në aeroport, por ka edhe banda që përfaqësohen në qeveri!

Check Also

65 vite nga fillimi i “Aksionit të Armëve”: Terrori i harruar i UDB

Nga Blerim LATIFI- Ishte dimri i vitit 1956.Arif Latifi po qëndronte i vetëm në odën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

7 − six =