Home / Opinion / Pistat e ekuilibrit të ri të interesave BE-Kinë

Pistat e ekuilibrit të ri të interesave BE-Kinë

Nga Aleksander ÇIPA-

Kohët e fundit, cikli mediatik në Europë kalon me shpejtësi marramendëse. Situata dhe çështje të mbartura, konflikte të pazgjidhura dhe trazira të reja dominojnë lajmet. Këto variojnë nga rinegocimi i Brexit, te situata komplekse në Bjellorusi dhe skajin lindor të kontinetit, e deri te zhvillimet në Mesdheun lindor me gjakrat e nxehur ndërmjet Greqisë dhe Turqisë. Përpara këtij fluksi lajmesh, duket sikur një nga eventet, që natyrshmërisht duhet të tërhiqte vëmendje të madhe, kaloi pa shumë bujë. Megjithatë, videokonferenca e mbajtur në 14 shtator ndërmjet Bashkimit Europian dhe Kinës meritonte shumë më shumë reflektim.

Biseda ndërmjet liderëve të Europës së Bashkuar – Presidentit të Këshillit Europian Charles Mishel dhe Presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe Kancelares gjermane Angela Merkel – me Presidentin e Kinës Xi Jinping preku pikat nevralgjike të marrëdhënies së komplikuar BE-Kinë.

Duke gjykuar nga deklaratat zyrtare dhe angazhimet specifike që pasuan videokonferencën e nivelit të lartë, duket sikur dialogu ndërmjet Bashkimit Europian dhe Kinës bëhet në tre korsi të ndara nga njëra tjetra.

Një korsi, ndoshta dhe më konfliktualja, është politike dhe lidhet me një sërë çështjesh të cilat Europa i ngre si shqetësime në lidhje me respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut në Hong Kong dhe më gjerë. Qëndrimi zyrtar i Kinës është se këto janë elemente që lidhen më çështjet e brendshme të Kinës dhe komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë BE-në, nuk duhet të ndërhyjnë. Këto qëndrime janë diametralisht të kundërta. Megjithatë, duket sikur përplasjet në këtë fushë nuk po ndikojnë negativisht në mbarëvajtjen e sektorëve të tjerë të dialogut.

Një temë e dytë kryesore e bisedimeve lidhet me mbrojtjen dhe investimin kundrejt multilateralizmit dhe nevojës së komunitetit ndërkombëtar për të bashkëpunuar në lidhje me sfidat e përbashkëta. Duket sikur ka një dakordësi të përgjithshme ndërmjet Bashkimit Europian dhe Kinës në këtë çështje. Kërkesat europiane për forcimin e angazhimeve në çështjen e klimës dhe ngrohjes globale duket sikur gjetën përgjigje pozitive nga pala kineze. Si Këshilli i Europës, ashtu edhe Komisioni Europian e theksuan se palët ranë dakord për të bashkëpunuar në mënyrë më të ngushtë në këtë drejtim duke filluar një Dialog të Nivelit të Lartë për Mjedisin dhe Klimën.

Përtej kësaj, investimi në multilateralizëm për përballimin e sfidave ndërkombëtare u bë shkak për përshëndetjen e dialogut ndërmjet palëve në Afganistan, i cili zanafilloi në Doha të Katarit. Gjithashtu, u konfirmua dëshira e palëve për të mbrojtur dhe mbajtur në këmbë marrëveshjen bërthamore me Iranin. Si Bashkimi Europian, ashtu edhe Kina firmosën në vitin 2015 marrëveshjen që synonte të mbante nën kontroll programin bërthamor të Iranit. Por, teksa Shtetet e Bashkuara u tërhoqën në vitin 2018 në mënyrë të njëanshme, palët e tjera janë përpjekur për ta vazhduar angazhimin dhe për të mos ta lënë marrëveshjen të dështojë plotësisht.

Megjithëse jo çështje aq primare në marrëdhëniet dypalëshe, këto dhe elemente të tjera që pasqyrojnë përpjekjen për të ruajtur dhe rritur bashkëpunimin ndërkombëtar, mbeten një motor për vazhdimin e një dialogu konstruktiv.

Përtej këtyre dy korsive ka një të tretë që lidhet me mbarëvajtjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet bllokut dhe Kinës. Në këtë sens, ndoshta zhvillimi më thelbësor i takimit virtual BE-Kinë ishte konfirmimi lajmit se po procedohet me shpejtësi nga të dyja palët për të finalizuar marrëveshjen e shumëpërfolur të investimeve. Gjatë turit të tij europian përpara dy javësh, Ministri i Jashtëm i Kinës Ëang Yi shprehu optimizëm se marrëveshja mund të arrihej brenda këtij viti. E njëjta frymë duket se mbizotëroi edhe në videokonferencën e rradhës, teksa të dyja palët u angazhuan në objektivin e përmbylljes së negociatave brenda muajve të mbetur të vitit 2020.

Kjo marrëveshje e përgjithshme synon të prekë fushat të cilat janë aktualisht problematike. Ato përfshijnë ribalancimin e aksesit nëpër tregje, kompeticionin e lirë në treg, nivelet e subencioneve dhe impaktin e tyre, rregullimin e sektorit të shërbimeve financiare dhe atë dixhital, dhe mjaft të tjera.

Potenciali i zgjidhjes së këtyre problematikave synon të ravijëzojë një marrëdhënie të re konstruktive dhe të barabartë ndërmjet palëve. Për më tepër, adresimi i asimetrive në raportin ekonomik dhe tregtar do të krijojë bazat për një marrëdhënie të hapur dhe të drejtë ndërmjet Bashkimit Europian dhe Kinës.

Pritshmëritë janë që dialogu të vazhdojë në mënyrë më intensive në muajt në zhvillim, jo vetëm për finalizimin e marrëveshjes së investimeve, por edhe për të përcaktuar raportet strategjike në planin afatmesëm. Jo më kot, në deklaratën e Këshillit të Europës u theksua se BE është e gatshme për të proceduar diskutimin me Kinën për Axhendën Strategjike për Bashkëpunim 2025.

Axhenda politike ndërmjet bllokut europian dhe Kinës do të jetë më e përqëndruar. Pandemia pamundësoi mbajtjen e samitit ndërmjet liderëve të të gjitha vendeve të Bashkimit Europian dhe presidentit të Kinës. Takimi që ishte parashikuar këtë shtator në Gjermani vlerësohej nga Kancelarja Merkel dhe të gjithë vëzhguesit si një nga eventet më të rëndësishme të presidencës gjermane të Bashkimit Europian. Pohimi në videokonferencën e ditës së hënë se samiti do të mbahet vitin e ardhshëm paralajmëron zhvillime të rëndësishme në marrëdhëniet BE-Kinë.

Sigurisht që takimi virtual i kësaj jave nuk ishte përmbyllës dhe mbeten ende mjaft tema diskutimi dhe çështje në tavolinë për t’u zgjidhur. Gjithsesi, vendosja e piketave të dialogut dhe theksi tek nevoja për bashkëpunim duhet mirëpritur, mbi të gjitha kur arkitektura ndërkombëtare dhe multilateralizmi mbeten të lëkundura.

Këmbëngulja e Europës për heqjen e barrierave të hyrjes në tregun e Kinës dhe sipas pohimit të zotit Michel që “Europa duhet të jetë lojtare, jo një fushë loje”, është sinjal për një marrëdhënie më të ekuilibruar me Kinën.

Diplomacitë mes dy palëve tashmë jo vetëm kanë një kalendar komunikimesh dhe vizitash të ndërsjellta më aktive, por parashohin edhe një strategji interesash të mishërueshme, të cilave u janë shtuar si kurrë më parë pikat e kontaktit bilateral dhe multilateral.

Check Also

Djali i Remzi Hoxhës tregon 2 ngjarjet që implikojnë Sali Berishën në…

Djali i Remzi Hoxhës shprehet se babai i tij është ndodhur në vendin e gabuar …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

20 + twenty =