Dritan DRAGUSHA-
“Asnjë oficer nuk e ka humbur jetën, të vrarët janë shokët e mi. (…)Nuk e di ku e kam kokën, këmbën, ku gjendem dhe cila ditë është, sa vjet i kam. Unë asgjë s’di. Çmendi e vërtetë. Ku të shtie në dikë, ose dikush në mua. Nuk është e mundur. Lus Zotin vetëm të mbetem gjallë, dhe asgjë tjetër. Veç gjallë të mbes, për kokën e nënës.”. Këto janë disa nga fjalët e një ushtari nëntëmbëdhjetë vjeçar, i quajtur Bahrudin (xhiruar nga kameramani Sylejman Kllokoqi), të cilin pak ditë pasi kishte filluar lufta në Slloveni, më 1991, e gjejmë në vijën e parë të frontit. Përmes këtij prononcimi ky ushtar i Armatës Popullore të Jugosllavisë së dikurshme e tregon anën tjetër të luftës. Brenga e tij është të mbetet gjallë, dhe të kthehet në shtëpi, te nëna e tij. Pra, ai prek sentimentin më kulmor, nënën, për të cilën luftërat nuk kanë aspak respekt. Mbase luftërat, ose ata që i nxisin ato, janë armiku më i madh i nënave. Kur jemi te luftërat, e gjithë përpjekja retorike bëhet që t’i bindin njerëzit se po jetojnë dhe luftojnë për një ideal, e që shpeshherë ky ideal lidhet me nënën. “Nëna është atdheu ynë”, është përpjekja që ndjeshmërinë që kemi për nënën ta ridimensionojmë tek atdheu ose kombi, po edhe partia po ashtu.