Home / Kryesore / Përse shqiptarët protestojnë sot në Athinë???

Përse shqiptarët protestojnë sot në Athinë???

Në thriller të vërtet po rezulton situata në kufirin greko-shqiptar, me bllokimin që merr shtyrje nga java në javë. Situata është jashtëzakonisht e vështirë nga viti i kaluar, me shpalljen e karantinës për mbrojtjen nga covid-19. Vera e vjetshme e gjithë viti disi kaluan, me emigrantët e përhershëm dhe minoritarët të shijojnë “të vetmuar” privilegjin e shkeljes në territorin neutral mes dy vendeve. Ndërkohë, koha kaloi, lockdown i Greqisë mori fund, e vërteta është që ishte më i gjati, me rregulla më të ashpra, thuajse i egër, si ndër vendet e BE-së, ashtu dhe krahasuar me shumë të tjera të botës! Mbijetuam, gjithsesi dhe tani erdhi koha që gradualisht të rikthehemi në normalitet. Një normalitet i domosdoshëm për shëndetin fizik e mendor, apo jo? Vendimet lehtësuese në Greqi vijojnë çdo javë, mirëpriten, na mbushin eufori, shpresë, vaksinimi vijon me ritme tepër të shpejta, Shqipëria ka fare pak të infektuar, akoma më pak humbje jete, a nuk përmbajnë këto të dhëna “aromë” normaliteti? Mirë do ishte!

Në fakt, ndodh e kundërta. Nga pala greke, në notam-et (e bërë shqip) të vazhdueshme për lejimin e qarkullimit dhe hapjen e kufijve mungon rinovimi i pikave kufitare Greqi-Shqipëri si dhe lehtësimi për udhëtarët nga Shqipëria. Përveç kategorive tashmë të mësuara përmendësh, as shtetasit shqiptarë-vizitorë e as qytetarët e huaj, akoma dhe i BE-së mund të hyjë në territorin grek nga Kakavija. Kapshtica është e hapur “me pikatore” për punëtorët sezonalë e pak a shumë njësoj mund të konsiderohet edhe Qafë Bota, me vetëm 250 persona në ditë, automjetet as për shaka, ndërsa çdo ditë sa kanë arsye madhore ecin të kërrusur nga valixhet e mallrat, në qiell të hapur, me shi apo diell. Thua se është luftë! Në fakt luftë është, por menduam se ishim të gjithë të bashkuar në një betejë të përbashkët kundër covid-19.

Sipas burimeve nga qeveritarë grekë rreth diskutimeve të ditëve të fundit, në paketën e masave lehtësuese që do shpallen së shpejti, do të përfshihen edhe lajme të mira për udhëtarët nga Shqipëria. Akoma nuk bëhet e ditur se çfarë do të lejohet konkretisht, por pritet që të ketë disa ndryshime lehtësuese. Sidoqoftë, si një individ që Greqia përbën përqindjen më të lartë të çfarë konsiderojmë “vendi ynë” që në djep, ky qëndrim ekskluziv ndaj Shqipërisë vijon pa asnjë arsye dhe duket krejt i padrejtë. Me pak fjalë, nuk duket aspak të jetë këshillim i shkencëtarëve për mbrojtjen nga covid-19 më, por një vendim politik që edhe më dashamirësit, mes tyre edhe unë, me keqardhje konstatojmë se “bie erë”!

Kështu që është më se normale për komunitetin emigrant në Greqi të reagojë, të indinjohet, të mos durojë dot më një padrejtësi akoma. Pa asnjë shpjegim, pa asnjë justifikim, familje të tëra kaq afër zhvendosen kaq larg, peng të një kotësie në shërbim të presioneve politike, kaq larg fqinjësisë së mirë e marrëdhënieve të ngrohta që realisht mbartin dy popujt.

Inisiativa ishte e Etmond Gurit, aktivist me përvojë shumëvjeçare, si të thuash “i rrahur” në hallet e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Mjaftonte një post i tij e disa miqve, larg petkut të shoqatave apo organizatave të shumta emigrante, pak fjalë përshkruese të sa po përjetojnë në heshtje gjithë komuniteti për të ndezur një valë të madhe reagimesh. Mbështetja e idesë ishte e padiskutueshme, dukej se po prisnin dikush të ndizte zjarrin, të tjerët do e bëjnë flakë përpirëse.

Mirë do ishte!  Eksperienca jonë shumëvjeçare tregon se emigrantët shqiptarë janë tepër të flaktë nëpër media sociale e diskutime kafenesh, por mjaft të paktë në reagimet serioze. Megjithatë, le të shpresojmë se kjo protestë do të shënojë një pikë restarti për të gjithë! Kushtet e vështira për protestime në qendër të Athinës, distancat, masat mbrojtëse, maskat, gjobat e larta… të gjitha këto le të urojmë se nuk do të përbëjnë justifikimin e radhës apo pengesë të vërtet për të kërkuar një përgjigje, të paktën. Shteti ku jetojnë, paguajnë taksa, investojnë, vijnë të rinj e thinjen, ka detyrime edhe ndaj emigrantëve shqiptarë, këto detyrime duhen kujtuar sot nga të gjithë, pa përjashtim!/Diaspora

Check Also

Korrupsion, trafik droge dhe ngacmim seksual/ 29 efektivë të policisë nën akuzë për vitin 2021

29 raste të procedimeve ose arrestimeve të punonjësve të Policisë, përfshirë atyre të rëndit, SHÇBA-së, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

11 + twelve =