I pyetur nga gazetarët ditën e sotme përse Taulant Balla i ka njohur përgjimet e publikuara nga mediat italiane dhe ai nuk i njeh, Kryeministri Edi Rama u përgjigj me ironi duke i thënë gazetarës që të shkojë të pyesë Ballën për qëndrimet e tij.
“Citova të njëjtin burim, pra Prokurorinë italiane që ka hetuar çështjen. Në ato 2000 faqe ka dhe konkluzione. Nuk është raport. Ky është burim i Prokurorisë.
‘Pas më shumë se një viti udhëtimi në Tiranë, duke parë bisedimet me njëri tjetrin, pra bisedimet midis italianëve, ka dalë vetëm një dyqan i vogel për shitjen e rrobave të punës, që përsëri ka pasur probleme midis pronarëve.’ Ky hyn këtu gjithë kjo gjullurdi që bëni ju?
Për ato gjëra që ka thënë Balla, shkoni pyesni Ballën. Nuk e di çfarë ka thënë Balla,” tha Rama.
Kryeministri i vendit komentoi dhe përmendjen e Ilir Kullës, këshilltarit të Presidentit Meta, apo dhe të një Eurodeputeti për të cilin Taulant Balla deklaroi se ishte mik i Bashës, duke nënvizuar se qëndrimi është i njëjtë ashtu si për personat e tjerë nga mazhoranca të përmendur.
Ju e dini shumë mirë sesa i gatshëm jam unë ta mbroj Ilir Metën aty ku nuk mbrohet sot. Nëse Ilir Meta dhe këshilltari i tij, që njihet si tregtar i lajmeve të rreme në Itali, është aty në përgjime, unë kam të njëjtin qëndrim edhe për ata. Po pastaj? Përderisa Prokuroria italiane ka nxjerrë ata konkluzione.
Ai deputet i përmendur aty dihet botërisht që është mik i Lulzim Bashes. E po pastaj? Nuk e them dot kurrë që Basha kishte të bënte me mafiozët. Jam i kujdesshëm edhe kur flas për kundërshtarët e mi,” deklaroi Rama.
Më tej, Kryeministri Edi Rama është treguar mjaft i ashpër me mediat shqiptare këtë të martë, në lidhje me trajtimin e lajmëve për përgjimet italiane mbi organizatën mafioze Ndragheta. Kryeministri i akuzoi mediat se arsyeja përse shqiptarët duan të largohen nga vendi është fakti që mediat e kanë kthyer vendin në një masakaradë dhe poshtërsi shpifjesh dhe akuzash.
“Një nga arsyet pse gjithkush do të iki nga Shqipëria është sepse e është bërë vend i pajetueshëm në këtë poshtërsi, maskaradë, shpifjesh dhe akuzash. Nuk ja bën njeri vendit të vet atë që ia bën dikush me mikrofon këtu. Duke përhapur kudo namin e pamerituar.
A ka në Shqipëri probleme me të gjitha ato që konsiderohen të këqija kudo në botë? Patjetër që ka. Por a poi luftojmë? Mos më, mos. Mos, se e bëtë Shqipërinë kazanin tuaj ku rrotulloni dokrra,” u shpreh Rama.
Pasi në mediat shqiptare u publikuan përgjimet e Prokurorisë italiane mbi organizatën mafioze Ndragheta, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, akuzoi kreun e opozitës Lulzim Basha që ka mik Eurodeputetin e përmendur në përgjime.
Sipas përgjimeve, grupi kriminal ka investuar edhe në Shqipëri me shifra që shkojnë mbi 250 milionë euro, duke korruptuar zyrtare vendas.
(E.H/Faxweb.al)