Home / Editorial / Përafrimi Kinë-Europë forcë e tranzicionit të gjelbër të zhvillimit ekonomik

Përafrimi Kinë-Europë forcë e tranzicionit të gjelbër të zhvillimit ekonomik

Industrializimi i shpejtë dhe i furishëm që ka shoqëruar vendet e zhvilluara, është ndjekur shpesh nga një rritje e nivelit të ndotjes së mjedisit dhe është evidentuar prej kohësh si një burim shqetësues i problemeve shoqërore, ekonomike por edhe ato politike. Vendet e zhvilluara po ndeshen në mënyra të ndryshme me këtë problem global. Një qasje të vetën ka patur edhe Kina, e cila përballet tanimë, më shumë se kurrë, me vështirësinë e balancimit të rritjes ekonomike me mirëqenien e mjedisit.

E vërteta është që kjo është një sfidë jo e vogël. Zhvillimi i ekonomisë së Kinës dhe rritja e madhe që ajo ka përjetuar është shoqëruar në mënyrë të pashmangshme edhe me një rritje të treguesve të ndotjes së mjedisit. Në nivel global shifrat janë alarmante. Sipas një kalkulimi rreth 80% e qytetarëve kinezë janë të ekspozuar në mënyrë të rregullt ndaj niveleve të ndotjes më të lartë se ato që konsiderohen normale ose të sigurta.

Megjithatë, Kina ka shfaqur në mënyrë të vazhdueshme një vetëdije të plotë rreth kësaj problematike dhe një njohje të nevojës së ndërmarrjes së masave konkrete për limitimin e saj.

Që në vitin 2006, presidenti Xi Jinping, shpaloste në një artikull një plan që konsistonte në tre faza të zhvillimit dhe të lidhjes mes rritjes ekonomike dhe zhvillimit të gjelbër. Ky plan evidentonte dëshirën e fokusimit fillestar ndaj rritjes ekonomike dhe më pas zhvendosjen graduale të fokusit drejt mbrojtjes së mjedisit duke ruajtur frytet e një mirëqenieje të rritur ekonomike.

Në gusht të vitit 2005, presidenti Xi Jinping, gjatë mandatit të tij si drejtor i provincës Zhejiang të Kinës Lindore, vizitoi fshatin Yucun, që ishte shembulli më i mirë i shndërrimit nga një zonë e ndotur në një qendër të gjelbër që zhvillon agrikulturën, industrinë dhe turizmin. Në fjalimin e tij atje, presidenti i Kinës theksoi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit për zhvillimin e vazhdueshëm të ekonomisë kombëtare dhe cilësoi ujërat e kthjellët dhe malet e begatë si po aq me vlerë sa malet me flori dhe me argjend. Fshati Yucun personifikon në mënyrë të tillë, shembullin në miniaturë të një bashkëjetese mes rritjes së ekonomisë dhe një mjedisi të gjelbëruar, që synohet të ndiqet dhe të shtrihet në rang vendi.

Kësioj, Kina prej kohësh është shprehur rreth rëndësisë së harmonisë mes njerëzve dhe mjedisit, dhe ka pasur bindjen se mbrojtja e mjedisit do të përkthehet edhe në mirëqenie ekonomike. Kjo bindje nuk është shfaqur vetëm në fjalimet dhe deklaratat e zyrtarëve të lartë, por është reflektuar edhe në një numër të madh masash institucionale dhe shtetërore gjatë viteve të fundit. Masa që kanë ardhur përherë në rritje si në sasi ashtu edhe në intensitet, dhe tani, duket se po formësohen si një nga parimet kryesore të qeverisjes.

Larmishmëria e formave të masave ka qënë e madhe. Në vitin 2016, Kina prezantoi një skemë ku çdo lumi i përcaktohej një përkujdesës (“river chief”). Kjo e skemë rezulton të pasojë me një përmirësim të dukshëm të kualitetit të ujit në natyrë vitet e fundit.

Një tjetër masë ka qënë kontrollimi i shkretëtirave dhe zonave ranore, të cilat janë edhe më të mëdha si toka e punueshme, të cilat mes vitit 2000 dhe 2017 e kanë shndërruar Kinën në kontribuesin më të madh në botë të zonave të gjelbra.

Kësioj, Kina ka mundësuar në mënyrë të tillë njëfarë tranzicioni të gjelbërt të zhvillimit ekonomik dhe strukturës industriale, edhe duke krijuar një mbështetje të fortë në mekanizma kompensimi, ligje të posaçme, inspektime të shumta mjedisore si edhe një strukturë të favorshme të sistemit të taksave për mbrojtjen e mjedisit.

Bujën më të madhe e bëri deklarata e dhënë në fund të shtatorit në Konferencën e Përgjithshme të OKB-së, Presidenti i Kinës, i cili premtoi neutralizimin e karbonit deri në vitin 2060. Kjo nuk përbën vetëm angazhimin e parë drejt një objektivi konkret, por jep edhe një sinjal të seriozitetit drejt një çështjeje madhore dhe një investimi kolosal.

Masat drej arritjes së këtij zhvillimi do shoqërohen me ndryshime rrënjësore në industri të ndryshme në krejt vendin. Një angazhim i ngjashëm është vërejtur nga Bashkimi Europian, i cili synon ta arrijë neutralizimin e karbonit deri në vitin 2050.

Dhe në fakt, dallohet një ngjasim i qasjes së Kinës dhe Bashkimit Europian në çështjet e mbrojtjes së mjedisit. Jo vetëm kanë këto të fundit një ngjashmëri në disa nga objektivat dhe disa nga masat e marra, por partneriteti mes tyre ka qenë i ngushtë për të punuar së bashku drejt reduktimit të emisioneve të karbonit dhe ruajtjes së mjedisit. Me kalimin e viteve marrëveshje dhe programe të ndryshme janë materializuar, që kanë synuar shkëmbimin e eksperiencave dhe vendosja e objektivave të përbashkët. Këto vende janë përcaktuar tanimë si udhërrëfyes të këtij tranzicioni dhe një partneritet i tyre në të ardhmen rreth kësaj çështjeve pritet të jetë edhe më i theksuar.

Duke marrë parasysh përmasat e këtyre ndryshimeve dhe investimit të nevojshëm, ky tranzicion nuk do të jetë aspak i lehtë. Do të jetë një proces i gjatë dhe gradual që do të kërkojë përkushtim të madh dhe një planifikim të përpiktë afatgjatë. Mbetet për tu parë sa efektive do rezultojnë masat e marra dhe në qoftë se bashkëpunimet mes vendeve do të arrijnë të plotësojnë objektiva konkretë në uljen e ndotjes dhe rritjen e mirëqenies ekologjike. Nismat përmirësuese në fushën e mbrojtjes së klimës dhe mjedisit në nivele kontinentale janë ndoshta një ndër mega-platformat më të domosdoshme për të formësuar një reagim potencial në kuadër global, pas apelit të përsëritur alarmant që Kombet e Bashkuara i japin Botës dhe kryesisht shteteve më kryesim në ekonominë globale, sikundër është Kina.

Check Also

LAJM I FUNDIT/ Rritet ndjeshëm numri i të infektuarve në vend

Gjatë 24-orëve të fundit në vend kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit 7 qytetarë, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

sixteen + sixteen =