Home / Kulture / Për teriaqinjtë e letërsisë

Për teriaqinjtë e letërsisë

Balil Gjini/

Nga leximet e mia (duke imituar Lacanin ” Leksionet e mia”)

Katër similitudat e Michel Foucault nga libri i tij Fjalët dhe gjërat

Katër similitudat

1 Similituda e parë është një shëmbëlltyrë që lidhet me hapësirën “afër e më afër”, ngjitur me tjetrin. Në sintaksën e gjerë të botës qeniet e ndryshme i ujdisin punët me njëra-tjetrën. Bima komunikon me kafshën, toka me detin, njeriu me gjithçka që e rrethon. Shohim tek ngrihen myshqe mbi shpinën e guaskave, bimë mbi brigëzimet e drerërve, barëra mbi fytyrën e njeriut.

2. Forma e dytë e similitudës është një lloj gare, konkursi… nga larg fytyra është në një lloj konkurimi me qiellin dhe, po ashtu si intelekti i njeriut pasqyron në mënyrë jo perfekte urtësinë e Zotit, po ashtu sytë e tij, me ndriçimin e kufizuar, pasqyrojnë ndriçimin e madh që hapërndajnë dielli dhe hëna. Goja është Venusi, meqë përmes saj kalojnë puthjet dhe fjalët e dashurisë. Hunda të jep imazhin e vogël të skeptrit të Jupiterit, apo purtekës së Mërkurit.

3. Forma e tretë është analogjia. Për shembull analogjia e vjetër e bimës dhe e kafshës. Vegjetalja është një kafshë me kokën e ulur, goja -apo rrënjët e së cilës – kallen në tokë. Cesalpini, duke kritikuar, përforcon një gjë: bima është një kafshë në këmbë, parimet ushqyese të së cilës ngjiten nga poshtë lart, drejt majës, përmes një kërcelli që zgjatet si trup dhe mbaron me një kokë: buqetë, lule, gjethe.
Në këtë pikë hapësirë ekziston një pikë e nginjur me analogji: njeriu. Ai ka në marrëdhënie proporcionale me qiellin, kafshët dhe bimët, tokën, metalet stalaktitet, stuhitë. Gjaku i tij qarrkullon nëpër vena siç qarkullojnë planetet në rrugën e tyre, të shtatë vrimat në fytyrën e tij formojnë atë që formojnë të shtatë planetet në qiell. Trupi i njeriut është gjithmonë gjysma e mundshme e një atlasi universal.
Aldrovandi krahason pjesët e poshtme të trupit të njeriut me vendet e infektuara të botës, me ferrin, me errësirërat e tij, me të dënuarit që janë si jashtëqitje e universit… Është e njëjta kozmografi analogjike si ajo mes apopleksisë dhe stuhisë. Stuhia fillon në çastin kur ajri rëndohet dhe trazohet, kurse edhe kriza në çastin kur mendimi rëndohet, bëhet shqetësues. Pastaj retë grumbullohen, barku fryhet, bubullimat shpërthejnë, fshikëza çahet; vetëtimat bëhen të xhindosura, ndërsa sytë shpërthejnë nga një ndriçim i tmerrshëm, shiu bie, goja shkumëzon. Po ja tek stuhia qetohet dhe arsyeja triumfon tek i sëmuri.

4. Similituda e katërt është loja e simpative. Me të asnjë rrugë nuk është përshkuar paraprakisht, asnjë largësi nuk është supozuar, asnjë magjepsje nuk është përshkruar. Simpatia luan në gjendje të lirë në thellësi të botës. Ajo përshkon në një çast hapësira nga më mëdhatë: nga planetet tek njeriu së cilit i drejtohet. Simpatia mund të bjerë nga lart si një rrufe. Por ajo mund të lindë edhe prej një përçikjeje të vetme, si “ata trëndafilat e zisë”, trëndafila që, gjatë funeralit, përmes fqinjësisë me vdekjen, bëjnë që gjithkush të thithë ajrin e trishtuar dhe vdekësor.
Simpatia ka pushtetin e rrezikshëm t’i bëjë gjërat identike me njëra-tjetrën, t’i përziejë, pra t’i bëjë të ndryshme nga ç’ishin. Ja përse simpatia është e shoqëruar nga binjakja e saj, antipatia. Kjo i mban gjërat të izoluara dhe pengon asimilimin e tyre. E mbyll çdo specie brenda veçorive të saj, për të ruajtur atë çka ajo është. Është mjaft e njohur që bimët kanë urrejtje për njëra-tjetrën. Thonë se ulliri dhe hardhia e urrejnë lulelakrën. Gjatë gjithë kohrave qeniet e botës kanë urryer njëra-tjetrën dhe në kundërshtim me çdo sipati kanë ruajtur këtë oreks urryes. Miu i Indisë është i rrezikshëm për krokodilin, sepse Natyra ia ka dhënë si armik. Kur krokodili dremit me gojën e hapur miu i futet dinakërisht në gojë, depërton në rropulli, ia gërryen ato dhe del nga barku i kafshës së ngordhur.

Nuk ka similituda pa shënja. Bota e ngjashmërive nuk mund të jetë veçse një botë e shënjuar. “Nuk është veçse vullneti i Zotit që të mbetet e fshehtë bash ajo që ai ka krijuar dhe ia ka dhënë njeriut për ta gëzuar… por edhe nëse ia ka fshehur ca gjëra ai nuk i ka lënë ato pa ca shenja të jashtme dhe të dukshme – mu si ai njeriu që fsheh një thesar dhe lë shenja për ta gjetur më vonë atë…” Njohja e këtyre similitudave mbështetet mbi zbulimin e këtyre shenjave dhe mbi deshifrimin e tyre.

Check Also

Frederik Ndoci hap akademinë e muzikës dhe të artit në Shtetet e Bashkuara, mundësi për zbulimin e talenteve

Është padyshim kantautori më i njohur aktualisht në Shqipëri por edhe një nga artistët më …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two × 1 =