Home / Kryesore / Për Petro Markon

Për Petro Markon

 

Bedri Zenel ISLAMI-

Ndoqa në Top Channel një emision për Petro Markon. I bukur, por jo i plotë; tejshkuar me kujtime të profesor Bardhosh Gaçes, që risillnin shkrimtarin e madh, sëbashku me dëshirën të jetë përjetësisht pranë detit, dhe, tjerrëza që nuk të emocionin.

Nëse letërsia është shprehje, atëherë Petro Marko është njëri ndër shprehësit më të fuqishëm të saj.

Nëse themi se gjuha shqipe, në të gjithë dialektet e saj, është një gjuhë e kumbueshme – këtë na e sjell qaertësisht Petro Marko, që nga poezitë e tij të para dhe deri tek romani i fundit i tij, ndoshta nga më të fuqishmit e letërsisë shqipe, ” Re dhe gurë”.

Petro Marko ishte ligjërues i gjuhës shqipe.
Mendohet gabim se ligjërimi i përgjigjet realitetit, kësaj gjëje misterioze që quhet realitet.

Besojmë se proza është më afër realitetit se sa poezia. Petro Marko, përmes prozës së tij poetike dhe poezisë mugëlluese na sjell një gjë krejt të ndryshmë. Ai ka prozën poetike dhe poezinë sipërore; kjo e fundit, e shkruar kryesisht në rininë e tij, është luftarake dhe e vrullshme, pasi bregasi flokëgjatë dhe i vrullshëm nuk e përceptonte dot veten – veçse të vrullshëm, pasionant, të ndershëm dhe jetësor.

Nëse dikush ka bërë luftë jetësore – ai është Petro Marko.

Petro Marko ka një varg në rininë e tij, ” heshtja e gjelbër e deti” – e askush nuk mund ta dijë se si mund të heshtë ai, me dallgët dhe brigjet, askush si asnjë njeri nuk e mendon dot se si mund të heshtë poeti Petro.

Katër herë, në katër regjime është burgosur ai: nga Zogu, sepse ishte ndër komunistët e parë idealistë; nga italianët, sepse ishte antifashist; nga gjermanët sepse ishte antinazist dhe nga Shqipëria, sepse ishte antikomunist dhe në të njëjtën koh antiserb.

Petro Marko ishte kryeredaktori i parë i gaztës Bashkimi dhe kur ambasadori jugosllav, në vitin 1947 i tha se gazeta Bashkimi duhet të mësojë nga gazeta Borba e Beogradit, Petro marko ia ktheu ” e përse Borba të mos mësojë nga Bashkimi” – dhe përfundoi në burg. Ishte i katërti i tij, por jo i fundit i familjes së tij.

Pesë romane të Petro Markos, sipas bindjes sime, do të ngelin domosdo në historinë e letërsisë shqipe . Qyteti i fundit, Hasta la Vista, Stina e Armëve, Nata e Ustikës dhe Re dhe Gurë.

Secili mund të shtojë se çfarë mund të mbetet më tej.

Bukuria dhe forca e romaneve të Petro Markos është si një bukuri gjithnjë e gatshme për të na gllabëruar. Po të kishim më shumë ndjeshmëri, këtë do të mund ta shihnim qartas në të gjithë korpusin e madh të botimeve të tij.

Është shkrimtari i vetëm i botuar dhe pastaj, menjëherë, i ndaluar.

I ka ndodhur kështu me të gjithë romanet e tij. Ende pa u bërë si duhet shpërndarja, ka ardhur ndalesa. Kjo i ka bërë edhe më enigmë librat e tij, ka zgjuar një kureshtje ndryshe dhe ka përcjellë atë që u është dashur ta vrasin: shpirtin.

Po të përdorim fjalët e Shkrimit të Shenjtë : shkronja vret, shpirti ngjall , atëherë do të dinim përse në një kohë qerthullore gjithçka e Petro Markos, pavarësisht nëse ishte monarki, fashizëm, komunizën ishte e ndaluar dhe përse ajo që ishte e ndaluar të ngjallte shpirtin.

Petro Marko ishte poeti i rënë, që ngrihej; i rrëzuar nga të tjerët dhe i ngritur nga shpirti; i mallkuari që ishte i dëshiruar; i mbrojturi që duhej të luftonte; i leçituri që ngjallte admirim; i vetmuari që ndiqej nga të gjithë; njeriu që dihej se do të përndiqej nga fjala ende pa u tharë boceti i librit të tij; ai është njeriu që dashuron jashtë skolastikës , e mbani mend Gorin tek Hasta la Vista dhe dashurinë e tij me Anitën, nuk mund të dashurojë ndryshe, se të duash do të thotë të ndiesh, se të mungon diçka; është poeti që sjell qindra figura që në romanet e tij janë një botë dhe të gjithë ato janë pasqyrimi i tij.

Në fakt ai krijoi një botë. Të mbushur me dashuri, mendim, me cene, vuajtje, përplasje, burgje, mëkate, dhimbje fizike, çaste magjike, me ndjesi faji dhe përdëllim poetik. Tek ai flurimet nuk e humbasin asnjëherë forcën, ai largohet nga e pakufishmja për të qenë vetë i pakufi; largohet nga e fshehta për të qenë i pranishëm; bëhet lehtësisht i goditur nga e vërteta dhe ndjell retë e mëritë e gjithë botës pr t’i shërbyer asaj përmes sinqertetit, që është kaq i paktë në këtë botë të brishtë, të pasigurtë dhe me lumturi kaq të përkohshme.

Ditët e para të pas 29 nëntorit 1944 poeti i kalon në dy familje të ndryshme nga bindjet dhe prirjet, por me të përbashkta: dy familje t vjetra shkodrane, të pasura, me trashëgimi të herëshme, të besimit katolik, me banesat jo shumë larg njëra tjetrës ; në 29 nëntor do të jetë tek Gjovalin Luka – një tjetër idealist i pakërkund shoq, ku nëna e shtëpisë u bën në atë ditë të shënuar një ëmbëlsirë të vjetër shkodrane, që quhet ” haxhimakulle” , dhe në tryezë do të jetë me Ramiz Alinë, dhe pak ditë më pas, ndoshta të nesërmen, tek familja Topalli, ku do të jetë bujtës i disa ditëve. Në të dy shtëpitë do të jetë i mirëpritur, i besuar, ndjellës i së mirës, i fjalës së paqtë, mirëbesimit, pasi donte larushinë e botës.

Ai e donte botën pa urrejtje, dhe kjo për të ishte gjë e zakonshme, e natyrshme dhe e domosdoshme, sepse, në honet ku e hodhi vrazhdësia ai e kishte përjetuar atë. Njëkohsisht donte një bot të dashuruar, sepse, si shkruante dikur, të jetosh pa dashuri, është një gjë e pamundur, lumturisht e pamundur.

Njëri nga shenjtët më pak të njohur tek ne, Shen Anselmi thonte dikur se ” të vësh një libër në duart e një të padituri është po aq e rrezikshme sa të vësh një shpatë në duart e një fëmije”.
Kështu ndodhte edhe me ato që kishin nëpër duar librat e Petro Markos.

Në vitin 1991 Petro shkoi të pushonte përjetësisht në Dhermi, aty ku dëshironte dhe që ia kishte lënë amanet Moikom Zeqos, Xhevahir Spahiut dhe Bardhosh Gaçes. Dy poetëve dhe studjuesit të njohur. Nuk ia kishte lënë amanet qeverisë, por miqve poetë, se poetët e mbajnë fjalën e dhënë një poeti – mësues.

E kam takuar pak herë, më shpesh në klubin e gazetarëve dhe në kafe me Moikomin. Një herë më tha se ” yt atë ishte i parakohshëm, ti përpiqu të gjesh kohën tënde”.

Nuk është më.

Më është kujtuar sonte një dijetar i shquar, Platoni, i cili donte të ngushëllohej për vdekjen e Sokratit, duke e përfytyruar se mësuesi i tij vazhdonte të punonte.

Mjerisht ne nuk kemi asnjë Platon. Shteti hesht para së bukurës. Megjithëse e bukura është e përjetshme

E pyetën një her shkrimtarin e shquar Bernard Shaw nëse besonte që Biblën e kishte shkruar Shpirti i Shenjtë.
Ai u përgjegj se, ” Çdo libër që ia vlen ta rilexosh është shkruar nga Shpirti”.

Dhe librat e Petro Markos, si e thamë, janë shkruar nga Shpirti.

Ai ka sjellë Zotin brenda Letërsisë.

Zotin e së mirës, të bukurës, të paqtës, që është befasisht edhe i qendresës dhe mosthyerjes.

Check Also

Kinezë pranojnë që kanë gënjyer botën për koronavirusin

Mjekët kinezë janë filmuar fshehurazi, ku dëgjohet se ata ishin në dijeni sesa i rrezikshëm …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

20 + ten =