Home / Kulture / Për një këngë-Himn të 1920-tës dhe autorin e saj

Për një këngë-Himn të 1920-tës dhe autorin e saj

Idajet JAHAJ/

100 vjetori i Epopesë

Është fjala për këngën e njohur “Evropa shkruajnë e thonë”. Kjo këngë është më e shquara në repertorin popullor të asaj epopeje. Natyrisht, pas himnit kryesor “Vlora-Vlora”, me tekst të Ali Asllanit dhe muzikë të Bandës së Shoqërisë “Vatra” të Amerikës, e cila erdhi ato ditë triumfale në Vlorë.
Atë këngë e shkroi (apo këndoi) luftëtari i shquar Nase Beni, nga Vunoi i Himarës. Ai ishte njëherësh edhe poet, i cili ka shkruar shumë vjersha të tjera para dhe pas betejave.
Kënga ka 24 vargje, në monokolonë. Shtatë vargje janë me theks në zanoren “o” fundore, ndërsa 17 të tjera me zanoret “a…ë” në fund të tyre, si: vallë, gjalmë, hanxharë, etj. Që në fillim autori i jep përmasa kontinentale jehonës së luftës: “U dëgjua në Evropë”. Dhe ajo pyet e mahnitur: “Po me kë luftojnë? Me se luftojnë?“ Poeti jep përgjigje me fakte pikante, fjali lakonike, detaje tronditëse. Luftojnë me një mbret “dyzet’ miljonë”, dmth. me një mbretëri të madhe.
Vetë luftëtarët e lirisë janë të armatosur me sopata e hanxharë, dyfeqet- me gjalmë,(një detaj i rrallë ky për hollësinë e vet). Dhe janë të pamposhtur, se mbrojnë lirinë e vatrat e veta. Dhe ky ideal e bën një popull një fuqi të frikshme, të madhe, të pamposhtur. Populli i bashkuar bën çudira heroike me një ideal të tillë, kur nuk ka kontradikta mes vedit, por bashkohet si lumë e tufan kundër armikut që i ka okupuar vendin.
Kënga është marrë (kënduar) nga vetë autori, poeti Nase, i cili ishte njëherësh edhe këngëtar i mirë. Këtë dhunti ia jepte (apo ia nxiste) shpirti i tij prej patrioti të zjarrtë. Dhe ai formulonte vargje po aq të flakta.
Po japim disa nga vargjet e këngës, të cilat janë botuar në antologji të shumta, apo në tekstet shkollore prej një shekulli, që nga koha e asaj ngjarjeje të madhe.

Evropa shkruajn’ e thonë:
– Ç’ është kështu si dëgjojmë?
– Po bënet dyfek në Vlorë,
shqipëtarët po luftojnë
me një mbret dyzet’ miljonë!
– Po me se luftojnë vallë?
– Me sopat’ e me hanxharë,
dyfeqet lidhur me gjalmë,
fishekët në xhep i mbajnë,
në tri ditë bukë hanë…

Vargjet e tjera vijojnë me qëndresën e luftëtarëve, si i gjenin armët, si i bënin tabjet (llogoret), etj. Por vargjet e mësipërme japin tablon rrëqethëse të aksionit tre-mujor, ku populli i Labërisë e i Vlorës u betua: “O Vlorën, o vdekjen!”.
Pra, vjersha-këngë u bë nga më pikantet për atë epope, gjëmoi nëpër dekada. Dhe ja, sot ajo shpaloset si flamur në këtë përvjetor të madh. Të bëjnë përshtypje elementet apo detajet përgjithësuese: sopatat, dyfeqet me gjalmë, fishekët në xhepet e varfër dhe sakrificën- bukën e rrallë nëpër llogore! Më poshtë, me gjithë këto mungesa, autori nënvizon idenë e fuqishme:

Po s’ ka top e aropllanë
t’i përgjunjë ata asllanë !

Vjersha është e përkryer për tablon që shpalos, mjetet shprehëse, mesazhin madhor.
… Po kush ishte Nase Beni, që shkroi aq zjarrshëm për atë epope? Ai lindi në Vuno në vitin 1888. Në rininë e vet mërgoi në Amerikë. Pas disa vjetësh atje, u kthye në vendlindje, në vitin 1912, në kuadrin e ngritjes së Flamurit në Vlorë. Mori pjesë në luftën kundër bandave greke në Kallarat, në verën e vitit 1914. Ishte bashkë me vëllain e tij, Pilon, dhe treguan heroizma në atë përplasje me shovenët e jugut. Në luftën e Vlorës, në muajt qershor-shtator 1920, Nasja luftoi me pushkë e me penë.
Pas kësaj lufte, ai shkoi në fshat, në Vuno, por atje u përplas me disa pasanikë, të cilët bënin padrejtësira ndaj fshatarëve. Në ndeshjen me ‘ta ai gjeti vdekjen, në vitin 1921.
Siç u tha më lart, Nasja ishte edhe një poet cilësor. Deri më sot janë ruajtur shtatë vjersha të tij. Në to ai shkruan për malet e Himarës, për historinë, për rezistencën heroike të himariotëve kundër pushtuesve turq. Bëri vjershën e gjatë për betejën e kallaratasve kundër andartëve grekë. Po ashtu në luftën e 1920-ës shkroi këtë vjershë-himn. Këndoi gjithashtu vjershën tjetër të tij “Kush është lulja e vilajetit”, e cila me të drejtë është cilësuar si himni lirik i Himarës. Të gjitha këto vjersha që ruhen, numërojnë rreth 140 vargje. Ato janë popullore, por edhe me shtjellim strofik. Të gjitha janë cilësore dhe e rreshtojnë këtë vjershëtor ndër më pikantët e poetëve popullorë të Jugut.
Diku në vargje shikohet ndikimi i Çajupit : “ Vaj medet e shkreta Çikë/ Përmbi malet radhë-radhë/… Vargjet janë të puthitura bukur, me metrikë të rregullt, të saktë, me kumbim e stil oratorik. Po ashtu rimat e ritmet. Ideshmëria kulmon. Emri “Shqipëri” ndrit nëpër vargje.
Populli i fshatit të tij e qau thekshëm këtë trim, patriot dhe poet cilësor:

Bjerë, o Mjegullosh, pse s’ bie,
Që nga fundi gjer në krie,
Se u shkul mrizi me hije
Nase Ben yll Shqipërie
_____________________________

*Shkëputur nga libri “Nëpër visaret e këngëve popullore”, i cili pret dritën e botimit (I.J.)

Check Also

Përkthehet në shqip libri “I madhi Kastriot me llagap Skënderbeu”

Libri “I madhi Kastriot me llagap Skënderbeu” i autorit Stefan Zanoviç është përkthyer në gjuhën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

fourteen − ten =