Home / Aktualitet / Për çfarë shpenzojnë më shumë shqiptarët?

Për çfarë shpenzojnë më shumë shqiptarët?

Ndonëse shqiptarët janë një nga popujt më të varfër të Europës, ku të ardhurat janë sa 30% e mesatares së Bashkimit Europian, ata nuk kursejnë për t’u dukur. Të dhënat krahasuese të INSTAT dhe Eurostat, lidhur me peshën e shpenzimeve sipas qëllimit të konsumit, tregojnë se konsumatorët shqiptarë shpenzojnë 4.9% të totalit për veshje e këpucë, ndërsa edhe për europianët kjo peshë është pothuajse e njëjtë në 5% dhe për 19 shtetet e zonës euro është njësoj me Shqipërinë.

A është konsumi i lartë i bukës dhe brumërave një shenjë e varfërisë?! Të dhënat krahasuese të Eurostat duket se e vërtetojnë këtë. Shqipëria, një nga shtetet me të ardhurat më të ulëta të Europës, renditet si vendi, ku banorët e saj shpenzojnë më shumë për bukë dhe drithëra në raport me të ardhurat e tyre.

Sipas tabelave të publikuara nga Instituti Europian i Statistikave (Eurostat),  shpenzimet nominale për bukë dhe drithëra, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) ishin 4.9%, më të lartat në Europë. Shteti i dytë pas nesh është Mali i Zi, me 3.9% të GDP-së si shpenzime për bukë dhe drithëra, i ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 3.3% dhe Maqedonia me 2.9%. Listën e vijon sërish një vend i Ballkanit Perëndimor, Serbia, me 2.7% (të dhënat për Kosovën mungojnë). Edhe Greqia, ndonëse një vend në Bashkimin Europian, shpenzon 2.7% të GDP-së për bukë dhe drithëra.

Shqiptarët, jo vetëm e paguajnë më shtrenjtë bukën në raport me të ardhurat e tyre, por edhe cilësia e saj lë për të dëshiruar. Së fundmi, prodhuesit vendas janë ankuar se mielli serb pa standarde që po importohet nga Kosova, po konkurron me çmime qesharake. Shqetësimi i industrialistëve shqiptarë të blojës ka si shkak importin nga Kosova të miellit serb që po hyn në Shqipëri me çmime gati 20% më të larta se prodhimet e fabrikave tona. Sipas tyre, ky miell nuk plotëson standardin minimal për proteinat (12%), futet edhe kontrabandë, nuk kontrollohet nga doganat dhe ka manovra shmangie taksash që nisin që nga importi prej Serbisë.

Buka është ende ushqim bazë në Shqipëri, pasi konsumi për person në ditë llogaritet në rreth 300 gramë dhe si i tillë çon në kequshqyerje dhe në anemi, sidomos te fëmijët. Fortifikimi i miellit nënkupton një nivel të lartë proteinash në miell dhe është elementi kryesor që Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Organizata për Mbrojtjen e Fëmijëve (UNICEF) lobojnë për të siguruar një jetë më të shëndetshme në vendet e varfra.

Prodhuesit vendas pohojnë se mielli nga Kosova ka një nivel proteinash 7 deri në 10% maksimumi, ndërsa fabrikat shqiptare të blojës aplikojnë standardin 13% për proteinat, në të kundërt paralizohen. Ky problem i hershëm për prodhuesit shqiptarë duket se tashmë ka arritur kulmin, pasi kriza ekonomike i ka çuar gjithnjë e më shumë prirjet e konsumatorëve drejt produkteve të lira. Ndaj mielli i Kosovës ka avancuar në treg dhe kontrolli i tij nga autoritetet shqiptare ka probleme të shumëfishta që nuk lidhen vetëm me standardin./Monitor

Check Also

WhatsApp sfidon Zoom dhe Skype?!

Kompania “WhatsApp” sfidon kompanitë “Zoom” dhe “Skype” duke realizuar telefonata dhe video thirrje të disponueshme …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

11 − eight =