Home / Kulture / Pellumb Kulla rrëfen tek “Diktatura e Parasë”

Pellumb Kulla rrëfen tek “Diktatura e Parasë”

Kam kënaqësinë të bëj me dije miqtë e mi se doli nga botimi libri im “Diktatura e Parasë”, me një përzgjedhje të kujdesshme të shkrimeve të mia në shtatë vitet e fundit. Është një botim i bukur nga UETPress, me parathënie të z. Henri Çili e ballinë të mikut tim Pano Kondo. Libri me nëntitullin “Shtegtime nëpër qiellin politik” ngjan më shumë si vëllimi i dytë i “Luftës pa Fund” (2013) botuar po nga UETPress dhe që është pritur mjaft mirë nga lexuesit.
Kërë hyrje e pason parafjala ime me të njëjtin titull të librit, si një gotëz e thjeshtë nga but ii verës.
DIKTATURA E PARASË
Fantazia është dhunti e çmuar. Ajo e merr të zotin në fluturim përmbi gardhe dhe kufij. Ajo e bën atë hero, e bën shenjtor, e bën strateg, kampion bote, multimiliarder…
Hop! Me fantaazinë time, le të ulem edhe unë një herë mbi fronin e një vendi!
Sa mirë të jesh i pari i vendit dhe të jesh në moshë të re, sikurse qe Hoxha menjëherë pas luftës!
Në ndryshim nga Enver Hoxha, në ditët e sotme unë nuk do të kem kamxhikun, zjarrin dhe hekurin që të tiranizoj, të rrëmbej, të vras, të shtetëzoj, të shpërblej me shtëpi dhe vila pasanikësh, fshatarët që të më brohorasin sa herë t’u shfaqem përpara. Me këto përparësi, tirani e arriti kollaj hijen e rëndë e të gjithëpushtetshme.
Megjithatë, jam në fushën e fantazisë dhe kam rrugë të reja për ambiciet e mia. Edhe unë, si ai, mund të ngjall frikë, mund të qërroj kundërshtarë, mund të mbush vendin me burgje pa ua vënë emrin ashtu, mund të ndjell turma këpucëlëpirësish përpara çizmeve të mia.
Se ekziston një mjet i magjishëm, fuqiplotë: është paraja!
Ambicia ime përmbushet sapo unë ta mbledh dhe ta shumoj paranë marramendërisht. Se si bëhet kjo, në Shqipëri e di përmendsh edhe një çunak çfarëdo: me pranim ryshfetesh në shuma të mëdha, në këmbim të ndereve të mëdha; e bëj me lejime shumëvjeçare të mosdoganimit të mijëra e mijëra mauneve e autocisternave që sjellin mallra: me trafiqe të ndryshme drogash, karburantësh dhe armësh; me zotërime bankash, me dhënie të favorshme terrenesh, minierash, hidroçentralesh e pikash turistike, nga ato që vetëm pak vjet më parë ishin pasuri të përbashkëta… Mjaftojnë këto për të krijuar idenë e grumbullimit të kapitalit përrallor që më bën Zot.
Paranë e pamatë e përkthej në pushtet të pamatë!
Dhe atëherë ai, tirani që përmenda, më merr të keqen. I rruat diktatura atij, por nga fuqia nuk mund të barabitet kurrë me mua. Unë bëhem pushtetar i një republike parlamentare, me një kushtetutë që tingëllon më demokratike edhe se ato të vendeve më të përparuara të globit.
E bëj kushtetutën në katër kopje dhe e ve nën secilën këmbë të fronit.
Edhe unë mund t’i qërroj kundërshtarët e mi. Bile pa gjykata ushtarake edhe pa i burgosur fare. Heq dënimin me vdekje dhe e përdor vdekjen sa herë të dua. Krijoj një varfëri të tillë sa me një dorë euro, apo dollarë e varros nën pesë kuintalë dheu cilindo që ma sjell në majë të hundës. Këtë e bëj fare lehtë, veç duke ia dhënë paranë një killeri hallexhi, të cilin më shumë se ai, jam unë i interesuar që të mos e kap.
Përdorimi i armëve të turpëron. I parasë të nxjerr faqebardhë.
Mund të paguaj viktimat e mia, dhe familjarët e tyre. Paguaj mbylljen e gojëve edhe në rastin kur ndonjë badigardi im, mitralon nja dhjetë pesëmbëdhjetë qytetarë që festojnë përvjetorin e përmbysjes së diktaturës.
Këto janë vogëlsira e nuk duan kapitale, por ama, me një varfëri të përhapur mirë e mirë, mbi tërë territorin e vendit, shuaj e bëj gropë çdo vatër të idealizmit. Me miliardat e mia blej me qindra mijëra votues që ta hedhin votën e tyre të lirë për mua. Votën e lirë, theksova! Natyrisht të lirë, se jemi shtet demokratik, dreqi ta marrë! Me një dorë parash, qoftë edhe sa për të shtyrë muajin, ata votojnë të lirë, bash si t’u thuash dhe as e vrasin mendjen se ç’u premtoj unë dhe as u venë veshin përrallave të kundërshtarëve të mi. Me eurot e mia në shifra përrallore, unë blej komisionerët. Të mitë dhe të kundërshtarëve! Blej gazetarë, vendas dhe të huaj. Me paratë e mia të pashterrëshme dhe që nuk më dhembin hiç, unë blej dhjetra deputetë që nuk kanë faqeskuqje. Më duhen dhjetë deputetë kundërshtarë, blej dhjetë, më duhen njëqind, i blej edhe njëqind! Qoftë e bekuar blerja!
Unë blej të deleguar, vëzhgues, ambasadorë, ekspertë, hetues japonezë dhe amerikanë, që i ftoj si të paanshëm. Unë blej, mbretër, senatorë, kongresmenë, lordë… Si mund t’u rezistojë dhjetë milionë eurove një i dërguar i Europës, me kushtin e vetëm që i ve unë, që të kthehet andej nga erdhi. Dhjetë milionët ai nuk i ka parë kurrë me sy kaqë lehtë, teksa për mua ato janë hiçogjë, se kam mijëra miliarda, që për t’i shtënë në dorë nuk më kanë nxjerrë asnjë bulëzë djerse. Atyre që e kanë dërguar duke më vënë në dyshim demokracinë time, ai do t’u thotë se dyshimet e tyre ishin pabaza. E ata do ta besojnë, ngaqë demokracia e një populli, mësuar pa demokraci, nuk do të lerë pa gjumë asnjë eurodeputet e asnjë president europian.
Sot paraja e shumtë kthehet në pushtet të shumtë. Hasan Zyko Kamberi e shtrinte pushtetin e parasë gjer te kadiu – kadinjtë e mi nuk po i ze me gojë, ëh! – dhe nuk i vihet ré padituria kolonjarit thumbues, dyqind e ca vite më parë, se atëhere nuk kishte as Këshill Europe, as OSBE, as Bundestag, as eurodeputetë dhe as kongresmenë!
A vallë gjen njeri sot që nuk e ka kuptuar se paraja përkthehet në sundim? Dhe ky është më i padukshmi nga sundimet, pa ngritur tela me gjëmba anembanë kufirit, pa nxjerrë tanke, pa apele darke të internuarish nëpër kampe dhe fshatra të Tepelenës dhe të Myzeqesë. Është më i pazhurmshmi nga sundimet: nga xhepi në xhep, nga çanta në çantë e nga banka në bankë, paraja lëviz pa as më të voglën frushullimë.
Ja, kështu! E kisha me Zykon që arriti deri te blerja e kadinjve!
Ehe, kohëra të tjera, sot!
E kam edhe me atë tjetrin, pjellën e Stalinit, që me një të lëshuar frerëve të fantazisë, i them: i pifsh lëngun diktaturës tënde, o Enver!
Pellumb Kullla

Check Also

Askush se di si vdiq, mendonte jashtë skemave të zakonshme/ Fakte të pabesueshme mbi Aleksandrin e Madh

Aleksandri III i Maqedonisë, i njohur më shumë si Aleksandri i Madh, nuk e mori …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

4 + fifteen =