Home / Aktualitet / Pavarësia e Kosovës ka vlerë kur përfaqëson çeljen e udhës drejt bashkimit

Pavarësia e Kosovës ka vlerë kur përfaqëson çeljen e udhës drejt bashkimit

Nga Sebastian ZONJA-

Më 17 shkurt të 2008-ës, Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia. Vendet e para të cilat e njohën pavarësinë e shtetit më të ri në Europë ishin Shqipëria, Amerika, Britania e Madhe, Franca, Turqia etj.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës është cilësuar e paligjshme nga ana e Serbisë, argument ky që është hedhur poshtë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, më 22 korrik 2010.
Pavarësia e Kosovës është njohur nga rreth 116 vende të ndryshme të botës, por nuk ka mundur të sigurojë ende një ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Në këtë historik të shkurtër pa shumë data, vlen të theksojmë se pavarësia e Kosovës është fryt i vullnetit të shqiptarëve për liri dhe përkimi i kësaj gjendjeje me konjukturat ndërkombëtare asokohe. Vullneti për liri u pa qartë në madhëshitnë e ndërkombëtarizimit të çështjes nga Ibrahim Rugova dhe nga lufta për liri i UÇK-së.
Në krahun tjetër, vetëm pak vjet më parë kishim një gjenocid në Sarajevë nga makineria serbe e luftës. Nuk u bzajt shumë. Hyrja e Serbisë në Kosovë, kur e kishte prej dekadash, solli një alarm të faktorit ndërkombëtar. I duhej prerë rruga! Pse?
Konferencat e mëparshme ndërkombëtare e linin Kosovën sërish nën administrimin serb, me autonomi të zgjeruar apo ndonjë formë tjetër.
Pse i duhej kasapit Milosheviç që të hynte me luftë në një territor që e kishte të tijin?
Dhe këtu hyn në lojë faktori ndërkombëtar. Analistë të ndryshëm shkruajnë se synimi i tij ishte që të kapte Shkupin. Do të hynte në Kumanovë, po në të njëjtën mënyrë si shkaktoi luftën në Kosovë. Historia i njeh ngjarje të ktilla. Kësisoj hyri Hitleri në Poloni. Shkupi është nyja e Ballkanit. Aty pikëtakohen rrugët tregtare, e në të njëjtën kohë destabilizohet gjithë Europa nëse vetëm një fuqi kap Shkupin.
Maqedonia është vendi tampon i Ballkanit. Të gjithë sillen rrotull, por pa mundur që të bëjnë gjë. Shkupi është nyja ku pangjermanizmi dhe pansllavizmi janë takuar apo kanë luftuar.
Hyrja e Serbisë në Shkup do të sillte që të hynte menjëherë Bullgaria në lojë. Pashmangshmërisht do të hynte Greqia, dhe s’mund të ngelej mbrapa Turqia. Për sa kohë që shqiptarët janë shtetformues në Maqedoni, as Shqipëria nuk bënte dot spektatorin. Greqia dhe Turqia vende të NATO-s. Bullgaria dhe Greqia vende të BE-së… Konflikti tejkalon Ballkanin. Kaq e koklavitur ishte situata. Mbetet ende. Amerikanët dhanë OK për bombardim të Serbisë.
Vlen të theksohet se nuk shkoi asnjë këmbë ushtari në Serbi. U bombardua Serbia në pozicione strategjike. Makineria gjenocidale serbe ndali. Interesi amerikan dhe ai i joni përkoi. Ka një tezë, përkundrejt shumë të tjerave, që e shpjegon situatën me skandalin Levinski në Shtëpinë e Bardhë. Për të hequr vëmendjen, Klintoni dha OK për bombardim. Kjo ngjan me ato historitë e tjera se Wilsoni ishte proshqiptar sepse kishte shijuar mrekullinë e femrave shqiptare. Eh, të ishte kaq e thjeshtë gjeopolitika!
Pra, nga rastësia lindi edhe Kosova, ashtu si më herët, thuajse një shekull më parë, po nga rastësia kishte lindur edhe Shqipëria. Atëherë Austro-Hungaria, sot Amerika. Në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk ka demokraci, se ajo është për vendet sovrane, por ka triumf të më të fortit. E ktillë ka qenë historia politike, e ktillë mbetet. Kurdoherë gjeografia i është mbivendosur historisë. Ka në Shqipëri njerëz që thurin elozhe se po të mos ishin osmanët me mbrojt Shkodrën, sot ajo do të ishte jashtë territorit tonë. Tmerr! Pyetja është se cilën pikë po mbronte Sulltani që donte ta shkëmbente me Shkodrën, tuhaf? Por këto janë muhabete kafeje.
Shkodrën e mbrojtën shqiptarët, ashtu si mbrojtën Kosovën.
Kosova mbushi 13 vjeç këtë të mërkurë. Ka nisur rrugëtimin e saj për t’u bërë pjesë e NATO-s, BE-së, OKB-së. Ka një rrugëtim të gjatë përpara duke parë fuqinë e diplomacisë serbe. Sikur të mos mungonte, me shpalljen e pavarësisë doli edhe teza e kombit kosovar. Kosova e mbytur në kosovarizëm vret veten e saj duke i mundësuar Serbisë rishpikjen e miteve origjinare mesjetare.
Do të doja të parafrazoja Ukshin Hotin në këtë rast: “Unë nuk jam poet dhe nuk kam fuqinë e shprehjes si i tillë. Por gëzohem e kënaqem kur fëmijët e mi dhe Erleta në Prishtinë përpiqen ta ruajnë gjakun tim n’damarët e vet”…
Kjo është fuqia e identitetit dhe e imperativit territorial që ka qenia. Shqiptarët në Kosovë do të zgjedhin vetë se si duan që ta ndërtojnë të ardhmen e tyre. Ata janë “sanduiç” mes një vendi që kërkon t’i pamundësojë funksionimin si shtet, e një vendi që bashkëndajnë gjuhën dhe historinë e përbashkët. Shteti i ri shqiptar, Republika e Kosovës, ka një popullsi prej rreth 1 milion e 780 mijë banorësh dhe një sipërfaqe 10 880 km2. Popullsia është shqiptare ndërsa jetojnë edhe grupe të tjera pakicë, siç janë turqit, boshnjakët, serbët, goranët, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët, që përfaqësohen edhe në flamurin e saj. Yjet e bardhë në flamurin e Kosovës simbolizojnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, harta e verdhë simbolizon pasurinë e Kosovës, ndërsa ngjyra e kaltër simbolizon Europën.
I takon shqiptarëve atje që të marrin vendimet e tyre se si do ta ndërtojnë të ardhmen e tyre. Shqiptarët e Kosovës, me shtetin e tyre, janë në pozita më të favorshme se shqiptarët e Maqedonisë, të cilët janë shtetformues por në pamundësi për të krijuar një konfederatë në Maqedoni. Rastësisht, ndërsa interesat e Fuqive të Mëdha përkuan me interesat shqiptare në Ballkan, lindi Kosova.
Kosova e mjaftuar me një kompromis me Fuqitë e Mëdha rrezikon të ardhmen e saj afatgjatë. Zgjedhja u takon atyre! Por duhet thënë se disa çështje nuk i lihen thjesht referendumit.

Check Also

BE pranon certifikatën e vaksinimit për udhëtimet, ja kur do të prezantohet

Komisioni Europian ka pranuar propozimin për “Certifikatën e Gjelbër Dixhitale” dhe pritet që ajo të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

nineteen − sixteen =