Home / Aktualitet / PARABOL (përpara kapitullit…)

PARABOL (përpara kapitullit…)

Nga Bujar Xhaferi

Shumë rrallë më ka ndodhur të prek medalje apo dekorata, apo kartona e kopertina të stolisura që fshehin brenda tyre urdhëra nderi, apo çmime të larta që i dedikohen ”personaliteteve“ të rrallë publikë…(ndoshta prej panikut që ngjall një lëndë e pështirë viskoze që përmban materja e medaljeve të “nderit”): politikani injorant i gjendur në një “shumës- luzme”, i ngjashëm me fenomenin bloger, apo analist, (sintezistët nuk përjashtohen), apo çuditërisht “moderator”, është vetëshpallur “person publik”: nuk mungon ngjashmëria me “sharmin” e personelit të bordellove e shtëpive publike, por “personi publik”; është shumë herë më i makijuar nga këta të fundit; flokët në shumicën e rasteve i mban përpjetë, të fërkuara fort me një llak të ndritshëm dhe të shtrenjtë duke iu nënshtruar kështu një torture estetike, e cila i jep atij mundësinë që të befasojë katundarët e tij në Paraspuar, në Vërzhezhë, në Bilisht, apo në Bençë e gjithandej (zakonisht personalitetet e mëdha vijnë nga fshatrat e vegjël të rrethinave)..blogu i tij (apo llapa) nuk ka lidhje me realitetin (personi publik është në qiellin e shtatë), dhe ligjërima e tij vërtitet në fushën manjetike të poleve që krijojnë shpesh klikat proverbiale: njëri i bie gozhdës tjetri patkoit dhe “Stambolli digjet kurva krihet”: në këtë rast ministri ose ministria e financave (për shembull) ulet në tre raunde rresht perpara blogerit dhe për shkak të sindromit të rrëshqitjes së gjuhës biseda sillet nga draftet financiare apo “pagat e punës dhe të luftes” për të mbështetur fermerët e rregjuar apo ngrënësit e habitur të patateve sic i ka pikturuar Van Gogh njëqind e ca vjet më parë, tek estetika e veshjeve, thjeshtësia e bizhuve apo ristrukturimi i balonave zbavitëse në ambientet sexy….pastaj i vjen radha patrikut të vetëquajtur “Lali Eri”, i cili i shpërndan “personit publik” trofetë në formë lejesh ndërtimi…..
Në terrenin ku mungojnë mjeshtëritë e vogla dhe mjeshtrat e vegjël; ku mungojnë gdhëndësit, teknikët, hekurkthyesit, vizatuesit, fermerët…ku gjithçka e ka marrë llumi i llapës së blogereve dhe analistëve nuk thuhet fraza ligështuese nga folku i marinës, “peshku i vogël e ha peshkun e madh”, por thuhet fraza e përgjakshme narcizistike “mjeshtri i madh e ha mjeshtrin e vogël”.
Kryeministri (pa pasur asnjë ndjenjë faji apo turpi) ulet përpara një blogisti të shëndoshë me emrin palla apo rrumpalla dhe zhvillojnë një blog mbi besimin që duhet të kenë meshkujt e sotëm tek virgjëria mentale e femrave, pa llogaritur himenin e lëkundur….
Harmonia mes mjeshtrave dhe mjeshtërive mbështetet në kalkun, të hash do të thotë të jesh i ngrënshëm (to eat is to be eaten) ose të thyesh do të thotë të jesh i thyeshëm (to broke is to be broken)…
Presidenti shfaqet me dy pamje të rrezikshme; një herë si figurë mitologjike (si promethé i lidhur dhe i dëshpëruar, si mbrojtës i kushtetutës) dhe në këtë rast shpërndan tituj e medalje për të qetësuar “personin publik” , jep urdhra nderi këtij të fundit duke e shpallur herë kalorës nderi herë kalorës kuzhine, herë mjeshtër të madh pune dhe herë mjeshtër arti… dhe herën e dytë shfaqet si (Iliri i zgjidhur) në tavernat ku gatuhen midhje të kapura enkas ose në mes të bandave për të vjedhur thesarin e shtetit…
“Personi publik” është nje qenie e frikshme, është një aligator që gëlltit gjithçka; rroga,troje, forume, borde, katedra, është mjeshtri i madh i dekretuar nga presidenti që gëlltit mjeshtrin e vogël për të realizuar krimin e fundit, ose aktin e vjetër kanibalistik…

Check Also

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë/ BE e gatshme të ndez frymën e bashkëpunimit mes palëve

Gjermania dhe Franca dëshirojnë të rigjallërojnë dialogun midis Serbisë dhe Kosovës. Samiti mbahet të premten. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

5 + seventeen =