Home / Kryesore / Panajot Kanaçi, baletmaestro unik dhe pa pasardhës

Panajot Kanaçi, baletmaestro unik dhe pa pasardhës

Panajot Kanaçi është emri që i ka dhënë vlera të mëdha baletit dhe valles shqiptare, emri që ka zënë një vend nderi në artin shqiptar dhe që është cilësuar si babai i koreografisë shqiptare. Ende sot, pas kaq dekadash, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor, mbeten të gjalla krijimet e tij koreografike, baletet dhe vallet, me të cilat Shqipëria është prezantuar denjësisht para publikut shqiptar e të huaj dhe ka fituar çmime e vlerësime.
Panajot Kanaçi u lind në Delvinë në 2 Gusht 1923. Kreu liceun artistik në vitin 1943 dhe iu përkushtua me pasion artit të kërcimit.
Ishte viti 1946 kur Panajot Kanaçi nisi pranë Shkollës Pedagogjike punën koreografike me një grup vajzash dhe pas mblodhi rreth vetes djem e vajza që kishin dëshirë të kërcenin dhe me to ai krijoi bërthamën e parë të trupës artistike të baletit.
Me krijimin e Filarmonisë 1950 nisi një periudhë e rëndësishme e krijimtarisë së Kanaçit. Ai jo vetëm që ndihmoi në vënien e disa veprave të rëndësishme nga regjisori rus Perkun, por ishte dhe interpretues i shkëlqyer i roleve kryesore në dy baletet e asaj kohe “Shatrivani i Bahçisarait”, dhe baletin “Esmeralda”.
Kreu studimet e larta për regjisor – baletmaestër në Institutin Shtetëror të Artit Teatror në Moskë ku krahas studimeve ai vazhdoi dhe një veprimtari të dendur krijuese me valle shqiptare dhe balete klasike.
Në vitin 1961 kthehet nga studimet në Moskë dhe nisi punën e tij krijuese. Duke qënë udhëheqës artistik dhe baletmaestër i trupës së baletit të TOB-it, Panajot Kanaçi vuri në skenë baletin e parë kombëtar shqiptar “Halili dhe Hajrija”në vitin 1963 që u pasua nga baleti “Delina”,“Joniada”, “Shota dhe Azem Galica”, “Bijtë e peshkatarit”, etj. Në karrierën e tij nuk mungojnë dhe baletet e huaja si “Franceska da Rimini”, “Paganini” apo miniatura baletesh. Panajot Kanaçi ishte mjeshtër i madh artit koreografik shqiptar, krijues i valleve popullore të të gjitha trevave të vendit.
Mjeshtri Kanaçi realizoi një fond të pafund vallesh, të cilat kanë vlerat e tyre të veçanta. Sukseset e AKKVP me të cilin ai ishte i lidhur janë kryesisht sukseset e tij. Vallet e profesorit kanë korrur sukses në Evropë, Azi, Afrikë, SHBA, Kinë, Kanada, duke e nisur me “Vallëzimin e shqipeve”, ku çdo valltar ishte një shqipe e gjallë në skenë. Më pas koreografi Kanaçi vijoi me të tjera valle të çdo krahine si “Mal e ngritëm lumturinë”, “Valle e liqenit”, “Vallja e Osman Takës”, “Festë në Dropull”, “Sup me sup të lidhur jemi”, “Motive çame”, “Valle me motive kosovare”, “Oshtima e maleve”, “Luftëtarët e lirisë”, duke arritur majat artistike me vallen madhështore “Festë të madhe ka sot Shqipëria”.
Ai është nderuar me tituj të shumtë ndër të cilat “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh”.

Check Also

Vetëm 1 nga 10 të sëmurë kronikë vaksinohen, mjekët në Shkodër alarm për situatën epidemiologjike

AURORA SHPATAJ/ Në shumë qendra shëndetësore kanë mbaruar vaksinat e gripit sezonal dhe s’dihet se …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

seventeen + 7 =