Home / Editorial / PAGA E LUFTËS”, STRATEGJIA FINANCIARE E QEVERISË, QË ZHGËNJEU SHTRESAT MË NË NEVOJË

PAGA E LUFTËS”, STRATEGJIA FINANCIARE E QEVERISË, QË ZHGËNJEU SHTRESAT MË NË NEVOJË

Nga Xhovan SHYTI –

“Administrata tatimore ka vendosur që të shtyjë procesin e dhënies së pagave deri më datë 25 shtator, që do të jetë edhe shansi i fundit për të korrigjuar të dhënat”.
Kështu ka deklaruar drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, në një prononcim për mediat të dhenë ditë më parë, rreth tre muaj pas daljes së vendit nga situata e jashtëzakonshme e shkaktuar prej pandemisë “COVID-19”, si pasojë e së cilës lindi dhe termi “pagë lufte”.

Shtyrja për të tretën herë e afatit për mospërfituesit e kësaj page është faza përmbyllëse e procesit, që nisi në muajin mars të 2020-ës,  kur, pas shpalljes
së Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore në të gjithë Republikën e Shqipërisë dhe  mbylljen e jetës publike, startoi dhe strategjia e qeverisë për përballimin financiar me sa më pak dhimbjetë pasojave të “kyçjes”.]

Nëpërmjet vendimit të posaçëm Nr. 254, dt. 27 mars 2020, qeveria kumtonte se “paga e luftës” jepej “në kuadër të situatës së krijuar nga “COVID-19” në vend dhe do të përfitohej për tre muaj.

Vendimi parashikonte: “Përcaktimin e procedurave të dokumentacionit dhe masës së  përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri në 14 milion lekë, ndihmës ekonomike e të pagesës të së ardhurave nga papunësia gjatë perudhës së fatkeqësisë natyrore”.
Për kategoritë e sipërcituara vendimi detyronte përfitimin e një pagë minimale prej 26 mijë lekësh, shumë që pritej ta merrnin: Personat fizikë të vetëpunësuar; Punonjësit e papaguar të familjes të personit fizik tregtar; Të punësuarit në personat fizikë tregtarë;  Të punësuarit në personat juridikë.

Pagesa do të jepej sipas listë-pagesave të  deklaruara nga subjektet tatimpaguese… Individët,  që rezultonin në më tepër se në një listë pagesë, përfitonin si ndihmë financiare vetëm një pagë minimale etj .

Kjo ishte në thelb përmbajtja e VKM nr.254, dt. 23 mars 2020, që pas shumë pakënaqësive të shpërthyera, lidhur me rrethin e përfituesve, më datë 16 prill u ndoq nga VKM, me nr. 305 që përmbante: “Përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit  dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit aktualë dhe punonjësit e larguar nga puna, si pasojë e “COVID-19”.

Përveçse e zgjeronte rrethin e përfituesve të të etiketuarës nga Kryeministri me termin “pagë lufte”, vendimi detyronte dhënien e pagesës 40 mijë lekë për të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore mbi 14 milionë lekë, të mbyllura sipas urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të urdhrit/ urdhrave .

Ndërkohë që  publikimi i përmbajtjes së këtij Vendimi e shtoi pakënaqësinë dhe nxiti  protestat  sporadike, veçanërisht tek shtresat vulnerabile e të punësuarit në të zezë, në komunikimin e tij të rradhës me publikun, që adresonte ankesa nga rrjetet sociale, mediat  vizive e portalet, kryeministri Edi Rama, përmendi ndër të tjera shifrën 176 mijë familje të ndihmuara si rezultat i publikimit të paketës së zgjeruar. Që, sipas tij:

“…Po ti bashkoj me ato  që u përfshinë në paketën e parë, jemi në një shifër që prek dhe ndihmon drejtpërdrejtë më shumë sesa gjysmën e të punësuarve në sektorin privat në Republikën e Shqipërisë”.
Pasi përmendi se qeveria po bënte gati një shpërblim financiar për të punësuarit në të zezë, që  shpallja e mbylljes së detyruar nuk i përfshinte në të drejtën e marrjes së “pagës së luftës”, Kryeministri sqaroi se paketa e parë adresoi valën e parë të goditjes, duke dyfishuar ndihmën ekonomike për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike etj.

Sipas shifrave zyrtare të konfirmuara prej tij në paketën e parë numëroheshin 71 mijë familje në ndihmë ekonomike, që kishin përfituar dyfishin e shumës të “ndihmës së luftës” (jo pa qëllim Kryeministri nuk dha shifrën konkrete të përfitimit, që ishte fare qesharake). 30-31 mijë nga 70 mijë biznese të vogla, gjithë sipas Kryeministrit e kishin përfituar “pagën e luftës”, për 40 mijë të tjerë po vijonte verifikimi, ndërkohë që“paketa e zgjeruar” përfshinte edhe 100 mijë persona të tjerë nga biznesi i vogël të paprekura prej vendimit të “mbylljes”, të cilët do të merrnin 40 mijë lekë, nga që ishin dëmtuar prej punës me orar të cunguar.
66 mijë të tjerë, pjesë e të punësuarve në kompanitë e mëdha, por të mbyllur në shtëpi, nga që  i kishin hequr apo pezulluar nga puna, do të merrnin 40 mijë lekë dhe të njejtën shumë do të përfitonin edhe 10 mijë punonjës  pjesë e sektorit të turizmit.

Shuma për mbështetjen financiare, me këtë paketë, e konfirmuar zyrtarisht nga Kryeministri, shkonte në total 70 milionë dollarë dhe ishte e vlefshme vetëm për një periudhë 40 ditore që përfundonte në fund të muajit maj.

Kjo është në vija të përgjithshme përmbajtja e strategjisë që ndoqi qeveria për të mbështetur financiarisht me “pagë lufte” të dëmtuarit, strategji që ngjalli jo pak polemika, madje dhe protesta tek ata që e panë veten jashtë këtij trajtimi, apo në nivele shumash të pabarabarta.

Çfarë shkoi mirë dhe çfarë shkoi keq?

Le t’i rikthehemi edhe njëherë asaj çka deklaroi drejtorja e Tatimeve, Delina Ibrahimaj në  prononcimin e ditëve më parë. Ndërkohë që  ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj,  para saj kishte konfirmuar  shifrën 230 mijë të shqiptarëve që kishin përfituar “pagën e luftës” deri në muajin qershor, si shifër më të fundit të përfituesve Drejtorja e Tatimeve përmendi shifrën 297.536 persona, kurse si shumë të dalë nga Buxheti i Shtetit për këtë destinacion, shifrën 121 milionë dollarë.

121 milion USD me të cilat janë shpërblyer personat për të cilët procesi i përfitimit të “pagës së luftës” ka ecur mirë. Pasi përveç tyre ka dhe të tjerë që ende nuk e kanë shijuar marrjen e kësaj page. Sikurse ka të tillë që e përfituan atë në vlerë aspak të denjë për të përballuar koston e shtrenjtë të jetesës, që, edhe pa “kyçjen” nga pandemia “Covid-19”, mezi ja dalin ta përballojnë atë.

“2500 individë janë ata të cilët akoma nuk kanë arritur që të marrin pagën e luftës për shkak të deklarimit gabim të llogarive bankare. 522 të punësuarve në bizneset e vogla u takojnë tre paga me vlerë 26 mijë lekë dhe 1978 të tjerë duhet të marrin ndihmën financiare prej 40 mijë lekësh.  Po ashtu muaji shtator do të jetë afati brenda të cilit do të marrin një “pagë lufte” 26 mijë lekëshe punonjësit e sektorit të Transportit, kurse do të aplikohen ndëshkime më masën 50 mijë lekë për bizneset, të cilët nuk plotësuan formularët që punonjësit e tyre të merrnin në kohë “pagat e luftës”, – konfirmoi drejtorja e Tatimeve Delina Ibrahimaj, duke “harruar” të përmendë shumën qesharake, prej jo më shumë se 17 mijë lekë që përfituan pensionistët e invalidët, dhe atë shtatë mijë lekëshe akorduar atyre që mbijetojnë më ndihmë sociale e ndihmë ekonomike. Por nuk përmendi as kategoritë sociale të mbetura me gishtë në gojë, nga kusuret e pronarëve që i shfrytëzojnë duke mos i siguruar.

I prononcuar rreth kësaj teme kryetari i Shoqatës së Konsumatorëve, z. H.Stafa  tha se numri i të përfshirëve në kategorinë e familjeve ne nevoje, që përfitojnë asistence sociale, ndihme ekonomike, pensione pleqërie dhe  invaliditeti  është mbi 760 mijë. Me të ardhurat që ata marrin nuk arrijnë të sigurojnë as kërkesat minimale të jetesës, pa llogaritur shpenzimet e tjera të domosdoshme.

Janë kategoritë për të cilat procesi i përfitimit të “pagës së luftës” shkoi keq.
“Pensionet mesatare jane diku te 126 mijë lekë të vjetër, invalidët trajtohen me pagë 93 – 170 mije lek të vjetër. Asistenca varion nga 75 -104 mije leke te vjetër, ndërsa ndihma ekonomike  nga 20 – 65 mije lek të vjetër.

Dy VKM-të e qeverisë për trajtim më pagë lufte, nga Pandemia “Covid-19”, nuk i perfshiu në trajtim financiar këto kategori, megjithise duhet të ishin prioriteti numër një, në këtë situatë, ku u reflektuan dhe ngritje çmimesh në mënyrë abuzive, si tek ushqimet, medikamentet, vizitat mjekësore, trasportin e autorizuar etj.,” vlerëson Stafa. /Arberianews.net – Redaktore: Manjola Lumani /

Check Also

Puna, dashuria… ja parashikimi i yjeve për ditën e sotme

Dashi Bëni kujdes me paratë apo transfertat bankare sot. Çfarëdolloj gjëje të nisni, mundësitë që …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

2 × three =