Home / Kryesore / PAFAJËSIA E HARRESËS

PAFAJËSIA E HARRESËS

Pozaet Qose

-Çdo ngjashmëri e këtij rrëfimi me njerëz e ngjarje është e (pa)qëllimtë- Nuk e di nëse më ndodh vetëm mua të harroj apo dhe të tjerëve, por që nuk e bëjnë muhabet pazari, si unë Një natë, para ca viteve, vërtitesha andej-këtej në shtrat, për të kujtuar emrin e atij burrit, që zbuloi Amerikën, por më kujtohej gjallë, thua? Të më vrisje! Dhe nuk më duhej për ndonjë gjë, kjo është më e bukura. Nga lëvizjet e mia, ime shoqe u zgjua. -Ç’ke që lëviz fërrc-fërrc?- më tha. -Ngul bythën e fli aty. -Po, ja, s’më zë,-i thashë unë, i gjendur fajtor, që i kisha prishur gjumin.-Fli ti, fli!- i pëshpërita, duke i kapur lehtë dorën. Kur e kujtova emrin e Ameriko Vespuçit, i këputa një të sharë vënçe, që lere-lere! Kështu më ndodhi dhe me emrin e Robert de Niros, te filmi “Para mesnatës”. Po shkoja të blija një shalqin te dyqani i Tomit dhe se nga dreqin më erdhi dëshira për të gjetur emrin e tij te ky film, ece merre vesh. Isha gati të pyesja njeriun e parë, me të cilin do të përballesha:”Ore po si e ka emrin ai aktori italian, që luan te ky filmi?”, po s’më linte krenaria. Nuk doja ta ulja aq shumë piacën e dukjes sime në publik, sa ai apo ajo të thoshte”I shkreti, paska ikur skiç!”, pavarësisht në do të ma jepte apo jo përgjigjen, sigurisht duke më buzëqeshur në të dyja rastet. -Tphu!- ia pata me zë, kur e kujtova, tek shitësja po më peshonte shalqinin që kisha zgjedhur. Ajo më pa me një palë sy habie, duke u përpjekur të merrte vesh çfarë nuk po shkonte mirë. -Jo, jo, s’kam gjë me ty,- e qetësova.-Ashtu m’u kujtua një gjë dhe… Dhe tani që po ju rrëfehem, vras mendjen të gjej emrin e poetit italian, që ishte mik perssonal i Musolinit dhe i këndoi fashizmit. -Xhuzepe Ungareti? Ncuk, ncuk! Salvadore Kuazimodo? Jo, jo! Po ku dreqin më je strukur si iriqi, or dreq dhe s’do që s’do të dalësh, të qetësohem dhe unë I shkreti? Se ç’dreqin më duhet mua emri i Gabriele d’Anuncios, një Zot, e di? Kusure robi, thuaj. E pat dhe e shara me libër dasme për Gabrielen. Ja, prej kësaj harrese desh e pësova para ca kohësh. “Qysh?”,- do të thoni ju. Ja, kini pak durim për ç’do t’ju rrëfej. Qe bërë një fushatë zgjedhore, që ç’të të them. Mitingje, fjalime, premtime sy më sy e në TV, zhurmë e zallamahi, sa veshët na qenë shurdhuar. Të shtunën, që ishte ajo heshtja zgjedhore, të gjithë dukeshin si të mpirë, si të shushatur fare. Sikur na kishin rënë me çekiç prapa kokës. Një i njohuri im ma kishte marrë fjalën që do të votoja për subjektin politik që e kishte kandiduar. Kishim një njohje të hershme, që kur kishim qenë studentë dhe ai ma bëri mendjen pordhë që të bëja detyrën time qytetare si intelektual për të ardhmen evropiane të fëmijëve të mi e vërr-vërr-vërr. Dhe unë, më shumë për të më rënë rehat veshët se sa si pranim të programit politik të partisë që do ta bënte deputet, u theva përpara këmbënguljes së tij. Të dielën shkova në qendrën e votimit, vura firmën kundruall emrit tim te libri i zgjedhësve, zgjata gishtin për të ma bojatisur, mora fletën e votimit dhe u futa te dhoma e fshehtë. Mora stilolapsin dhe u mata të vendos shenjën që shprehte vullnetin tim, por, ahaaa! Bllekaut i plotë. Ore s’më kujtohej për qamet sigla e partisë së tij. Të më thoshe ndonjëri se do të më bënte në ato çaste zotërues të të gjitha llogarive bankare të horrave tanë, që kishin vjedhur jo me dy duar, por me dyzetë trena, mjaft ta kujtoja atë sigël, e kisha të humbur davanë. Shtrëngoja stilolapsin dhe shihja listën e stërmadhe të kombimimeve të shkronjave të alfabetit tone të pafajshëm, të grimcuar në emra partish, shumica prej tyre pa asnjë anëtar, por sigla s’donte që s’donte të më shfaqej. Po atij robit i kisha dhënë fjalën, se. Kaluan ca minuta, unë hiç. Po kur them hiç, hiç. Si në atë dynja. Prej inatit e sikletit më mbuluan djersët dhe nja dy pika ranë mbi fletën e votimit. Duket se kaloi aq kohë që unë vazhdova të rrija te dhoma e fshehtë, aq sa komisioni i votimit u bë merak se mos më kishte ndodhur ndonjë gjë me shëndetin. Jo vetëm për këtë, por edhe se po pengoja radhën e votimit, prandaj njëri prej tyre u afrua te dhoma e fshehtë dhe më pyeti pse nuk po i jepja dum asaj pune, që nuk donte më shumë se ca sekonda të sosej. U ktheva nga ai dhe i bëra shenjë që të afrohej edhe pak. -Po nuk qe shkelje e kodit zgjedhor,- i thashë,- kërkoj të më ndihmosh. -Për çfarë?- tha ai. -S’më kujtohet cila është sigla e partisë, që kandidon Gjergjin- i thashë. Ai më vështroi hetueshëm. -Ore nuk tallem,- i fola përsëri.-Më shpëto nga ky siklet. Ma pëshpëriti dhe u largua, duke u bërë shenjë të tjerëve se s’kushte ndonjë gjë për t’u shqetësuar. -Tphu, të lërofsha pragun!- shava me gjithë fuqinë e shpirtit, duke vendosur shenjën. Për pak desh isha turpëruar vetëm nga harresa, që kishte ardhur krejt rastësisht e pafajsisht, sikur kishte dashur të më vinte në provë korrik ‘20

Check Also

Regjistrimi i të vdekurve dhe Çiçikovët e Covidit

Çapajev GJOKUTAJ- Ditët e fundit politika dhe mediat po diskutojnë për të vdekurit nga Covidi, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

4 × 5 =