Home / Aktualitet / Opozita në Maqedoninë e Veriut kundër marrëveshjes me Bullgarinë

Opozita në Maqedoninë e Veriut kundër marrëveshjes me Bullgarinë

Opozita maqedonase ka paralajmëruar Qeverinë e kryeministrit, Zoran Zaev, se çfarëdo marrëveshje që do të nënshkruajë me palën bullgare, do të jetë e pavlefshme dhe nuk do të ketë asnjë vlerë nga qeveria që do të formojë VMRO-DPMNE-ja.

“Mos guxoni të prekni identitetin maqedonas, gjuhën maqedonase, veçantinë, historinë maqedonase, traditën, zakonet. Mos guxoni të mendoni dhe të hiqni dorë nga pakica maqedonase në fqinjin tonë lindor sepse letra që do të nënshkruani është e pavlefshme. Qeveria e ardhshme, e cila do të jetë një qeveri e unitetit, nuk ka ndërmend të respektojë të njëjtën copë letër”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski në një paraqitje para opinionit të hënën në mbrëmje.

Kreu i opozitës ka paralajmëruar protesta për bllokim të Shkupit të martën në mesditë për gati dy orë ndërsa ka drejtuar kritika të ashpra në adresë të kryeministrit Zaev duke e quajtur “amator politik”.

“Vetëm një amator politik mund të nënshkruajë një marrëveshje në të cilën kriteret për përparimin e Maqedonisë (së Veriut) dhe integrimin e saj brenda BE, do të jenë problemet gjuhësore dhe problemet me historinë. Vetëm një amator politik mund të sjellë shtetin e tij, njerëzit e tij dhe kombin e tij në një shtet kaq të varur. Kjo është arsyeja pse unë ju bëj thirrje masivisht, pavarësisht nga përkatësia juaj politike, pavarësisht nga përkatësia juaj fetare apo etnike, të bashkoheni në protestë. Të flasësh me zë të lartë kundër këtyre politikave të gabuara të Qeverisë së LSDM-së të udhëhequr nga Zoran Zaev.

Protestat e opozitës tani disa ditë po mbahen në qytete të ndryshme ndërsa erdhën pas deklaratës së kryeministrit Zaev për mediat në Sofje se “bullgarët nuk kanë qenë fashistë” ndërsa foli edhe për afërsinë që kanë gjuhët bullgare dhe maqedonase, por pa saktësuar nëse me këtë pranon kërkesën e palës “bullgare se maqedonasit dhe gjuha e tyre kanë rrënjë bullgare”.

Pas reagimeve të shumta, Zaev tha të shtunën se “në BE do të hyjmë vetëm si maqedonas që flasim gjuhën maqedonase”.

Përplasjet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë nisën pasi Sofja bllokoi kornizën negociuese që do të shënonte fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në bllokun evropian./Rel

Check Also

Paradoksi, “një populli deputet”

Nga Afrim KRASNIQI- Gjatë muajve të verës PD në opozitë nisi një proces propozimesh për …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

9 − 1 =