Home / Opinion / Opinion/Për kë bien kambanat?

Opinion/Për kë bien kambanat?

Sebastian Zonja
Ngjan se po rikthehemi kah “feudalizmi” – me “perandori rajonale”, me provinca e vilajete si te shoqëritë agrare. Ndërkohë që moderniteti industrial kërkon që të shkojmë kah shteteve-kombe.
Pse? A mund ta përsërisë historia veten? Si e përsërit ajo për shembull kundërvënien Konferenca e Vjenës vs. asaj të Versajës?
Më duket se analisti i CNN-it, Fareed Zakaria, shkruante vite më parë se me presidentin Barack Obama politika e jashtme amerikane ka pësuar një zhvendosje prej fjalës “LIRI” te fjala “RESPEKT”.
Në fjalimin e tij pasi fitoi zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, Joe Biden tha se do të punojë “për të shëruar shpirtin e Amerikës, për të “rindërtuar” shtyllën kurrizore të këtij kombi, klasën e mesme, dhe për ta bërë Amerikën TË RESPEKTUAR në të gjithë botën përsëri”.
Si fitohet respekti? A blihet ai?
Një botë post-amerikane, sipas analistit Zakaria, nuk do të thotë se Shtetet e Bashkuara janë zhdukur ose janë tërhequr dhe janë ngulur brenda kufijve të veta, por se botëkuptimi i tyre ka ndryshuar. Mjaft të sjellim në vëmendje fjalimin e presidentit në detyrë Trump në OKB, në 2017-ën. Washington Posti shkruante në analizën e saj se “Ai lartësoi sovranitetin dhe nacionalizmin, duke zgjedhur një shembull të çuditshëm. Duke u ndalur tek disa fjalë të presidentit Harry S. Truman në mbështetje të planit “Marshall”, Trumpi e përshkroi atë qasje ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare si “të bukur” dhe “fisnike”. Për WP, ekzistonte një temë kryesore në krejt idenë e fjalimit të tij – përqafimi i nacionalizmit. Dhe, duke i rënë asaj korde, Trumpi bëri diçka të pazakontë, ndoshta unike, për një president të SHBA-së: Ai inkurajoi, madje përqafoi edhe ngritjen e një bote post-amerikane.
Ndoshta, po t’i rikthehemi analistit F. Zakaria, e gjitha filloi me presidentin Barack Obama dhe refuzimin e tij për të ndërhyrë në Siri në vitin 2014, dhe u përshpejtua nga Donald Trumpi. Kjo mungesë e lidershipit ka favorizuar shfaqjen e një bote shumëpolare. Mjaft të shohim këtu afër nesh – një Turqi aktive në katër pozicione të ndryshme: Mesdheun Lindor, Libi, Siri dhe tani në Azerbajxhan.
Rusia për shembull aneksoi territore nga dy shtete anëtare të OKB-së, Gjeorgjia e Ukraina.
Problemi duket se ky rend nuk njeh më rregulla të përbashkëta, dhe po duket gjithnjë e më kaotik.
Presidenti i ri amerikan, Joe Biden, cilësohet si ndër të fundmit e mbetur që e dinë se çfarë ishte Lufta e Ftohtë dhe Komunizmi. Vetë amerikanët, analistë të rëndësishëm, janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre. Kreu i CFR-së, Richard Haass, shkruan: Të rinjtë amerikanë vuajnë nga arsimimi i dobët, ndërsa njerëzit e moshuar e kanë të vështirë të mbajnë hapin me ndryshimet e thella që janë shpalosur që nga shkatërrimi i rendit të Luftës së Ftohtë, tre dekada më parë. Pasojat e injorancës, paralajmëron Haass, janë serioze: sjellin mosangazhim amerikan me komunitetin botëror dhe vendimmarrje të dobët në momentet e rritjes së trazirave botërore. Dhe Haass është një personalitet i rëndësishëm i politikbërjes amerikane. Është presidenti i atij Institutit, që në vitin 1919, i dha për të lexuar 10 pikat presidentit W. Wilson, që për shkak të atyre pikave, presidentit i kemi vendosur një shtatore afër gjimnazit “Petro Nini”.
Por çfarë na prek ne nga këto ndryshime, që Zakaria i quan “ngritja e të tjerëve, jo rënia amerikane”?
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, kërkoi këtë të enjte që ndasitë me Kosovën të zgjidhen me dialog dhe kompromis, përndryshe, sipas tij, dy fqinjët i pret një konflikt i mundshëm. Presidenti serb solli në vëmendje konfliktin për autonominë e Nagorno-Karabakut. Vlen të theksohet se Presidentja në detyrë e vendit, Vjosa Osmani, propozoi ditët e fundit që bisedimet të ndërpriten përkohësisht deri sa spektri politik në vend të konsultohet gjerësisht për to. Gjykimi në Dhomat e Specializuara në Hagë i udhëheqësve të lartë UÇK-së, të cilët njëherazi kanë mbajtur poste të rëndësishme në politikën në Kosovë, sipas medieve vendase mund të krijojë një ngërç institucional në Kosovë që mund t’i zgjasë efektet edhe te dialogu me Serbinë.
“Shumë mendojnë se tani gjendemi në pozitë shumë më të mirë për sa i përket Kosovës, për shkak të situatës së brendshme atje, dhe se deri në dhjetor apo janar Serbia nuk pret aq shumë presion nga fuqitë e mëdha. Por konflikti në Nagorno-Karabak tregoi se një konflikt i ngrirë mund të kthehet në katastrofë të vërtetë. Një nga mësimet është që konfliktin e ngrirë të mos ua lëmë fëmijëve tanë, por të punojmë për një zgjidhje me kompromis edhe kur pala tjetër nuk është gati për momentin. Në fund të fundit, çdokush duhet të varet te forcat e veta, dhe prandaj serbët do vazhdojnë të forcohen ekonomikisht, ushtarakisht, për ta mbrojtur vendin kurdoherë nga çdolloj agresori”.
Këto komentet, presidenti Vuçiç i bëri pas takimit me ambasadorin e SHBA-së, kreun e delegacionit të BE-së dhe të vendeve kryesore të unionit të njohura si pjesë e KUINT-it.
Vlen të theksohet se në deklaratën e kreut të shtetit serb janë dy koncepte: konflikt i armatosur si në Karabak, dhe konflikt i ngrirë si Kashmiri për shembull.
Arbër Zaimi, në një artikull të tijin me titullin “Sinjale nga Kaukazi”, e ka shtjelluar konfliktin e Nagorni-Karabakut në suazën e zhvillimeve ballkanike dhe parashtron këto pika:
Së pari: pse po armatoset Serbia? Sigurisht, ajo nuk po përgatitet për të goditur Bullgarinë, e cila ka një buxhet e ushtri më të madhe. As Kroacinë, e cila shpenzon në vit gati njësoj sa Serbia. Sigurisht, as Malin e Zi e Maqedoninë, të cilat i kontrollon pa patur nevojë për angazhime ushtarake. Asimetrinë më të madhe Serbia e ka me Kosovën, Shqipërinë dhe Bosnjën (e cila shpenzon në vit pak më shumë se Shqipëria – pra imagjinoni, edhe Bosnja e ngecur mes njëqind problemesh, shpenzon në armatim e ushtri më shumë se Shqipëria).
Së dyti: ku po i gjen paratë Serbia? Të blesh prej Rusisë, Kinës, Turqisë, Izraelit, Amerikës, Francës… duhen shumë miliarda. Naftë e gaz, si Azerbaixhani, Serbia s’ka. A është e mundur që këto para të vijnë prej Rusisë? Apo Kinës? Kjo do të ishte e mundur, duke ditur se këta dy faktorë janë të interesuar për volatilitetin e shtuar në oborrin e Evropës. Ndoshta janë edhe paratë që vjel nga rrjetet e oligarkëve që kontrollojnë tregjet e Ballkanit Perëndimor e që e përdorin Serbinë si qendër importi e financash. Megjithatë ne nuk mund ta dimë. Çka dimë është se armatimi i Serbisë lë për të dyshuar sa i përket burimeve të financimit në këtë vend jo edhe aq të pasur.
Së treti: A është e mundur të na gjejë fati i keq i Armenisë? E cila e bazoi mbrojtjen e saj te një partner historik e te një «miqësi e përjetshme» (me Rusinë), por që në momentin e krizës kuptoi se askush nuk ishte i gatshëm të angazhohej për të. Sigurisht, partneri ynë historik nuk është Rusia, por Amerika. Sa do të ishte e gatshme Amerika e Obama-s, apo e Trump-it, të angazhohej ushtarakisht për të mbrojtur shqiptarët? Të mos harrojmë pasivitetin e Obama-s gjatë krizës së ndërhyrjes ruse në Ukrainë (Ukraina një vend që duke u bazuar te garancia amerikane për paprekshmërinë e kufijve, shkatërroi arsenalin e vet bërthamor). Po ashtu e pamundur të harrojmë se gjatë administratës Trump gjithnjë e më shumë është bërë temë tërheqja e ushtarëve amerikanë prej vendeve të ndryshme, madje edhe me koston që të bëhen marrëveshje me faktorë të urryer, si Talibanët. A do të vijojë ngjashëm dhe administrata e Biden-it?
Publiku shqiptar le të gjykojë më mirë!
P.S. “Për kë bien kambanat” është një vepër e shkrimtarit të madh amerikan Ernest Hemingway, dhe kur mbyll librin, nuk jepet asnjë ndjenjë fitoreje madhështore, asnjë ndjenjë triumfi dhe kënaqësie, asnjë përfundim që e mira fitoi mbi të keqen.

Check Also

Këmishëziu Vulin dhe Rasti “Panda”

Shkruan: Halil Matoshi 1. Fashisti Aleksandar Vulin, një rom që shitet si serb i madh (që …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 + four =