Home / Analize / Ofensivë ekonomike në Azi

Ofensivë ekonomike në Azi

Nga Aleksandër Çipa

Arkitektura e tregjeve dhe ekonomisë globale është duke pësuar ndryshime dhe po shpërfaqet me pamje dhe efekte transformuese nga viti në vit. Në ditët e pikut të pandemisë COVID-19, diçka e tillë është edhe më e imponuar, me elemente të shtuara befasisht dhe ndryshime të vrullshme. Për këtë arsye po pëson transformim edhe rendi i dominencave në rajone dhe mes kontinenteve. Në këtë aspekt, Kina duket se ka strukturuar në protagonizmin aktiv të fuqisë globale skema dhe plane më të fuqishme ndikimi dhe shtrirjeje.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP) nga 15 vendet aziatike dhe të Oqeanisë (10 vende anëtare të ASEAN-it, Kinë, Japoni, Kore e Jugut, Australi dhe Zelandë e Re) është akti i fundit në radhë i kësaj mësymjeje në kuadër të interesave dhe strategjisë politike në favor të multilateralizmit. Kina zyrtare e sheh një arritje të tillë edhe si vlerë përfaqësimi në përmasë demografike. Vendet e kësaj marrëveshjeje kanë një popullsi prej 2.3 miliardë banorësh. Nga një pikëpamje tjetër, ekonomitë e vendeve pjesëmarrëse në këtë marrëveshje përbëjnë më shumë se 1/4 e ekonomisë globale, duke rrokur gati 28% të PBB botëror. Dhe për këtë arsye, kjo konsiderohet nga gjithë mediat raportuese në Botë si më e madhja e tregtisë së lirë. Vetë kryeministri kinez Li Keqiang, e përcaktoi këtë nëshkrim si “fitore të multilateralizmit dhe tregtisë së lirë”.

Arritja e një marrëveshjeje të tillë ka dashur kohën e vet përgatitore dhe diplomacinë zyrtare ekonomike mes vendeve të përfshira. Tetë vjet bisedime si dhe 15 vendet nëshkruese, përbëjnë së bashku, një kohë dhe një bashkësi shtetesh për një projekt sfidant, i cili mbart peshë ndikimi në ekonomi dhe në strategjinë gjeoekonomike në nivel ndërkombëtar.

Analistët dhe mediat në SHBA dhe në vendet e Europës Qendrore e komentojnë këtë marrëveshje përsa i përket dimensionit dhe peshës specifike në PBB, më të madhe se Marrëveshja Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin e Trans-Paqësorit (CPTPP), Bashkimi Evropian dhe Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ShBA-Meksikë-Kanada (USMCA). Ceremoniali nënshkrues për shkak të protokolleve të imponuara nga pandemia u krye në versionin online, por e pati të mjaftueshëm tërheqjen e vëmendjes zyrtare në shumë kryeqytete politike dhe ekonomike të kontinenteve. Dhe nuk kish si ndodhte ndryshe, përderisa bëhej fjalë për 15 vende anëtare në një bashkësi me tendencë entiteti ekonomik.

Mesazhi i marrëveshjes, sipas të cilit vendet e RCEP-it zgjedhin të hapin tregjet në vend të masave proteksioniste në një kohë të vështirë është i qartë: Kina ka materializuar këmbënguljen disa vjeçare, me një arritje potenciale. Zyrtarisht Pekini e çmon arritjen e kësaj marrëveshjeje si sprovë integraliteti dhe thelbësore për ekonominë rajonale dhe atë ndërkombëtare në tërësi, duke synuar haptazi për një ndikim gravitacional botëror në ekonomi. E realizon këtë duke i dhënë prioritet diplomacisë ekonomike. Vetë fakti që marrëveshja në fjalë konsumoi tetë vjet diskutime e negocime deri në nënshkrim palësh, përbën një dëshmi autentike.

Ndërkohë që në referencë të konceptit dhe filozofisë së multilateralitetit, Kina vijon të intensifikojë përpjekjet diplomatike dhe ekonomike me vendet e ndryshme, duke i mëshuar paradigmës së “të ardhmes së përbashkët”. Në marrëveshjen e RCEP-it, dukshëm evidentohen edhe treguesit gjeografikë me Bashkimin Europian. Në një sens kjo e sfidon izolacionin ekonomik mes dy fuqive të mëdha Kinë-SHBA. Fakti që në këtë marrëveshje ka disa aleatë të SHBA-së, duket sikur mëton të tregojë se ekzistojnë përherë e më shumë qasje për partneritete të brendshme ekonomike mes shteteve dhe rajoneve. Blloqet ekonomike po ravijëzohen brenda arkitekturës së ekonomisë së sotme ndërkombëtare.

Paralajmërimi i Marrëveshjes së Gjithanshme të Investimeve Kinë-BE pas nënshkrimit të RCEP-it, është hap i mëtejshëm avancues dhe pse jo edhe konfigurues në tregjet e brendshme të BE-së dhe Azisë. Pandemia me gjithë efektet e fuqishme të saj e ka goditur globalizimin ekonomik dhe madje e ka futur në dilema historike.

 

Check Also

Moti i keq në vend/ Rrëshqitje dheu në Librazhd, disa banesa në ‘buzë të greminës’ (FOTO)

Shiu i dendur i cili prej orësh nuk pushon ka shkaktuar probleme të shumta në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

19 − fourteen =