Home / Aktualitet / Nuk po na vret koronavirusi, por po vrasim veten!

Nuk po na vret koronavirusi, por po vrasim veten!

Gurjan Doçi/

Që kur është shënuar zyrtarisht rasti i parë me koronavirus, dita e sotme ka arritur kulmin me numrin më të madh të të infektuarve, 154 raste të reja.

Pak ditë më parë, një shifër e rëndësishme u kalua pa i dhënë rëndësinë e duhur.

Më shumë se 200 persona kanë humbur jetën si pasojë e këtij virusi që nga fillimi i pandemisë në vendin tonë, d.m.th. brenda 6 muajve.

Çdo ditë pa raportohet se spitalet janë drejtë mbushjes së plotë, çka do të çonte sistemin shëndetësor drejt kolapsit.

Një 29-vjeçar i infektuar me koronavirus, mëngjesin e ditës së sotme i dha fund jetës, duke u hedhur nga kati i tretë i spitalit ‘Shefqet Ndroqi”, ku edhe po kurohej.

Nuk janë shumë të qarta deri tani motivet ekstreme të 29-vjeçarit, por dyshimet të çojnë se ai këtë veprim e kishte marrë në kushte depresive.

Që nga fillimi i pandemisë më shumë se 800 persona kanë humbur jetën në botë si pasojë e dezinformimit në media, kryesisht duke provuar ilaçe dhe mënyra popullore për të shëruar apo për t’u mbrojtur nga koronavirusi.

Duke i bërë bashkë të gjithë këto, duket se vendi ynë po shkon drejt dështimit për të përballuar këtë pandemi, që pak muaj më parë as nuk e imagjinonim dot.

Marsi dhe prilli, ishin muaj shumë të rëndësishëm që mundëm t’i menaxhonim me sukses, si nga ana e qeverisë epo ashtu edhe njerëzit, të cilët ishin të bindur në respektimin e rregullave dhe urdhrave të institucioneve shtetërore që po menaxhonin situatën me COVID-19.

Problemi nisi me hapjen që u bë në muajit në vazhdim, e këtu si qeveria u tregua e paaftë për të qenë e qartë dhe deri detyruese në respektimin e distancimit fizik dhe rregullave të tjera mbrojtëse.

Pas fillimit të aktivitetit që mbeti pezull, njerëzit harruan se për çfarë ishin mbyllur brenda për disa muaj, e filluan jetën sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Kudo shikon njerëz që nuk mbajnë maska, madje as në ambiente të mbyllura.

U rikthye fuqishëm mënyra e takimit që kemi ne si ballkanas, që nuk ta lëshojmë dorën pa të dhënë më shumë se 4 puthje në faqe.

Dhe më e frikshme është se shumë njerëz filluan të mendonin se virusi është një gënjeshtër, nuk ekziston e po përdoret për qëllime të zeza, e këto mendime u amplifikuan nëpër rrjete sociale.

Umberto Eco, shkrimtar e semiolog i famshëm italian, në një shkrim të vitit 2015 kishte paralajmëruar me të madhe problemin që kanë shkaktuar rrjetet sociale.

“Po të pranojmë se në shtatë miliardë njerëz që banojnë planetin, ka një dozë të pashmangshme budallenjsh, shumë prej tyre një herë e një kohë ua komunikonin përçartjet të afërmve ose shokëve në lokal – e kështu opinionet e tyre mbesnin të kufizuara tek një rreth i ngushtë njerëzish.

Tani një sasi e konsiderueshme e këtyre personave ka mundësinë t’i shprehë mendimet e veta në rrjetet sociale.

Si rrjedhim, këto opinione arrijnë dëgjues të shumtë, e ngatërrohen me shumë të tjera të shprehura nga persona të arsyeshëm.” – shkruante Umberto Eco.

Problemi më i madh tani në Shqipëri nuk është virusi, por janë budallenjtë, të cilët mbushin rrjetet sociale me teori nga më të ndryshme konspirative.

Disa prej tyre thonë që virusi nuk ekziston dhe shifrat që jep çdo ditë Ministria e Shëndetësisë janë sajesa të tyre për qëllime që as vetë ata nuk dinë t’i thonë.

Të tjerë shkojnë deri aty që thonë se nuk do të pranojnë të bëjnë vaksinën ndaj koronavirusit, pasi aty do të na fusin ‘çip’ dhe do të na kontrollojnë.

Të gjitha këto teori, që për fatin e keq i dëgjojmë edhe në media apo të amplifikuar në rrjete sociale, po bëjnë gjithnjë e më shumë që njerëzit të jenë me dashje neglizhentë ndaj udhëzimeve për distancim fizik dhe mbajtjen e maskave.

Kjo ka bërë që shumë persona të infektohen e të humbin jetën vetëm pse janë treguar më pak të vëmendshëm duke dëgjuar teoritë konspirative në rrjete.

E këtu, ka dështuar edhe qeveria, e cila duhet të ishte dhe duhet të jetë më e ashpër ndaj personave që nuk tregojnë kujdes në mbajtjen e maskës e ndoshta edhe ndëshkues ndaj njerëzve që u ka marrë koka erë e thonë që virusi nuk ekziston.

Tani jemi në dorën e virusit si asnjëherë më parë.

Check Also

Rëndohet situata e COVID-19/ 3 persona humbin jetën nga koronavirusi në 24 orët e fundit në vend, mes viktimave dhe një i ri

3 viktima dhe 131 raste të reja me COVID-19 janë regjistruar në 24 orët e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

five × 5 =