Home / Kryesore / Nuk është e rastit që njeriu sa herë ndihet keq psherëtin ‘oh, nena ime’

Nuk është e rastit që njeriu sa herë ndihet keq psherëtin ‘oh, nena ime’

Nga Çapajev GJOKUTAJ –

 

Një i moshuar në të 80-at shkrehet gradualisht në vaj dhe nis të kërkojë të ëmën. “Dua mamin, ku është mami im?” belbëzon mes ngashërimave plaku. Mund t’ju ngjajë episod i trilluar, mbase edhe paksa komik por, i luajtur nga Anthony Hopkins në filmin ‘Babai’, vjen më se i motivuar, madje edhe i natyrshëm. Vetkuptohet që loja e artistit të madh ka pjesën e vet në këtë motivim. Jo rastësisht Hopkins mori Oscarin e sivjetshëm për realizimin e këtij personazhi, që çuditërisht ka emrin Anthony, ka lindur në të njëjtin vit me aktorin, ka disa nga pëlqimet dhe hobitë e tij, madje vuan nga Alzheimeri si babai i Hopkinsit dikur.

Por episodi ku plaku ngashërehet dhe kërkon mamin vjen natyrshëm edhe për arsye të tjera. Florian Zeller, regjisori i filmit, rrëfen se nuk ka synuar që shikuesi të shihte një histori koherente, të treguar nga jashtë, përkundrazi ka dashur që ta shtyjë shikuesin të përjetojë disa fragmente çmendurie. Për pasojë e shohim plakun që po rrjedh në apartamentin e tij komod, për ta gjetur vetëm pas disa sekuencash në shtëpinë e së bijës, më tej ngrihet nga krevati e hap kanatën e një dollapi që nuk e çon tek teshat por në koridorin e një spitali a azili pleqsh. Dhe askush nuk di të thotë se çfarë është reale dhe çfarë sendërgji, që vjen nga mendja në degradim e të moshuarit.

Vetkuptohet se në një realitet të tillë të paqendrueshëm protagonisti ndjehet i dobët, i pasigurt e i rrezikuar, ndaj kërkon ngrohtësinë dhe sigurinë që dikur i ka dhenë e ëma. Vjen një çast kur nuk njeh as veten, pyet kujdestaren “kush jam unë?”; nuk mban mënd as emrin me të cilin e kanë thirrur tërë jetën, por nënën nuk e harron. Në fakt as të ëmën nuk arrin ta perceptojë si shëmbëlltyrë, (ndërmend vetëm sytë e saj të mëdhenj), por e kujton si ndjesi. Ashtu i humbur e i frikësuar kërkon siguri dhe ngrohtësi, ndaj thërret nënën jo si person por si funksion, jo si trup por si shpirt.

Nuk është e rastit që njeriu, sa herë ndihet keq, është sëmurë a përballet me rreziqe e pasiguri, psherëtin ‘oh, nena ime’. Thonë se shumica e njerëzve para se të japin frymën e fundit përsërisin po këtë psherëtimë, herë me zë e shumicën e herëve me mëndje… ( Nga cikli ‘Mademet e shpirtit’ )

Check Also

Ministria publikon shifrat e COVID: Ja sa viktima dhe të infektuar u shënuan gjatë 24 orëve

Situata e COVID19 në 24 orët e fundit është si vijon: Janë kryer 2,596 testime, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two × 3 =