Home / Aktualitet / Njerëz të mirë!

Njerëz të mirë!

Nga Katina JOANIDHI-

Nuk di si ta quaj qënien e Librarisë së qytetit as 10 m larg pallatit tim, fat për mua apo telash për familjen. Them kështu ngaqë unë isha shumë i dashuruar me librin dhe me librarinë kaq afër kjo dashuri merrte jetë si më mirë s’ka, ndërkohë që librat kërkonin para për t’u blerë dhe kjo ishte një telash për familjet në atë kohë.

Që unë të ”ushtroja” dashurinë time dhe familja të mos dëmtohej nga ana financiare duhej një e mesme e artë, të mesme që mund ta jetësonte vetëm një mendje e zgjuar dhe një zemër e madhe.

Dhe kjo mendje e ajo zemër rrinin bukur fare tek Katina, librashitësja që veç mëndjes e zemrës kishte edhe një bukuri fisnike. Katina Joanidhi, e shoqja e Viktorit dhe mëma e Nashos (ndjesë pastë),Loretës dhe Turit, ia shtonte edhe më bukurinë kësaj librarie. Ajo ishte e thjeshtë dhe e edukuar, e ditur dhe e kulturuar, e mbi të gjitha komunikuese dhe e qeshur deri në perfeksion.

– Që t’i perceptosh cilësitë e mësipërme duhet të kesh kaluar një kohë të gjatë në librari dhe këto cilësi duhet të kenë qënë aq të theksuara saqë një mëndje e asaj moshe të mund t’i shoh, ti je i tillë ? – mund të pyes dikush.
– Po!, miku im, unë jam nga të paktët që shkoja në librari ditë për ditë, përjashto rastet kur nuk ndodhesha në qytet apo isha i pamundur. Dhe që të ndodhte kjo, merita ishte e Katinës që gjeti atë të mesmen e artë, falë zemrës së saj të madhe – i përgjigjem unë dikushit.

Libraria ishte vendosur në katin e parë të pallatit pranë pallatit tim. Dy nga faqet e saj, ajo anësore dhe ajo përballë rrugës kryesore, ishin me xham, duke bërë të mundur shikimin e librave të ekspozuar në rafte me dashuri dhe zgjuarësi nga e mira Katinë. Nuk kishte ditë të mos i hidhja sytë tek ato xhama për të parë mallin që gjëndej brenda tyre në kohën kur libraria ishte mbyllur, apo edhe kur brenda saj ndodhej librashitësja e bukur.

– E Brahim, ç’thotë ky çamarroku i vogël, të ka detyruar t’i bleshë ndonjë libër apo revistë?, se lapsa e fletore vjen i mer pa ty ky – i tha Katina në një rast tim eti.

– E dreqin, ka 2 ditë që po më ha veshët….se ç’ka parë nga jashtë një libër në vitrinat e murit të xhamtë….merma dhe merma…është shumë i bukur – më thotë – i tha im at Katinës.

Ndërkohë në librari kishte hyrë Viktori, i shoqi i Katinës, edhe ky esnaf burrë, që kishte dëgjuar përgjigjen që im at i dha Katinës.

– Jepi djalit ç’të kërkojë, Katina…ku t’i gjesh fëmijë me kaq uri për leximin…je me fat Braçe, shokët e këtij e marin baban për tek akulloret – tha Viktori duke hedhur vështrimin sa nga e shoq’ja e sa nga im at.

– Mirë e ke Viktor, mirë, di halla të bëj petulla, di – ia ktheu im at duke shoqëruar fjalën e tij me një psherëtime pafajësie. Mora librin që doja dhe pasi paguam vlerën e tij dolëm nga libraria duke lënë të menduar Katinën e Viktorin.

– Do libra çuni dhe në ndonjë rast edhe ia blejnë, por ta bësh shpesh një gjë të tillë nuk i dilet….aq rrogë merr Brahimi – duhet t’i ketë thënë Viktori Katinës pasi ishim larguar ne.

Dy javë më vonë shikoj se në librari kishte ardhur ”Aventurat e Tom Sojerit”, libër intrigues në titull dhe kopertinë. Doja ta merja e ta lexoja por nuk mund t’i thoja tim eti, s’kishte shumë që e kisha blerë një libër. Por nëse për libër nuk mund t’i kërkoja, për kulaç apo akullore edhe mundesha, aq më tepër nëse gjeja kohën e përshtatshme për të kërkuar.

– Mora 2 dhjeta sot, më takon ndonjë byrek apo akullore – i thashë tim eti kur u ndodhëm të dy ngjitur me librarinë, aq afër sa fjalët e mia mund t’i kishte dëgjuar edhe Katina.

– Ashtu ? Të lumtë ! Na, shko bli ç’të duash dhe sillma kusurin – më tha im at me buzë në gaz.

Në moment i jap çantën për ta çuar në shtëpi dhe bëj mbrapsht për në pastiçeri.

– Ik para ti, unë po ble ç’të më mbushet mendja dhe po vij – i thashë tim eti.

– Mirë, po avash rrugës, mos bridh me vrap – ma ktheu ai.

Pas 3-4 m hodha sytë prapa për të parë nëse im at kishte marë kthesën e pallatit e nuk më shihte më, dhe pasi kështu ishte, u ktheva me vrap në librari.

– Ma jep ”Aventurat e Tom Sojerit” teta Katina ? – i thashë të mirës Katinë.

– Jo, nuk ta jap! – ma ktheu ajo buzëqeshurën e me shumë dashuri.
– Përse jo, teta Katina?

– Sepse lekët i more për byrek e akullore, e jo për libër.

– Na dëgjove kur fola me babin ? – e pyeta i skuqur në fytyrë.

– Nuk mund t’i mbyllja veshët, ju ishit afër dhe flisnit të shpenguar, ndaj dhe ju dëgjova…..por më mirë që ju dëgjova…tani më thuaj, përse lekët i kërkove për të ngrënë dhe po i përdor për të blerë libër?

– Epo libër para 2 javësh bleva, nuk na del hesapi të blejmë shpesh…ndaj kërkoj për akullore e në vend të saj ble libër – i thashë Katinës.

Tek dëgjoi ç’i thashë, tek dëgjoi e pa bisedën time me tim at dhe veprimin tim më pas, Katinës gati iu mbushën sytë me lot.

– Dëgjo si do ia bëjme ne : – Në përgjithësi, kur t’i vjen nga shkolla, këtu është qetësi dhe ti më ke vënë re që unë rri e lexoj. Kështu do bësh edhe ti, unë lexoj këtu dhe ti në krahun tjetër. Do kesh kujdes që libri të mos dëmtohet dhe të mos lësh mësimet pas dore. Edhe diçka tjetër, librat që do të lexosh do t’i zgjedh unë ngaqë ua di të gjithve përmbajtjen dhe mund ta ndaj kush është për ty e kush jo. Nëse e bëjmë kështu, edhe librat i lexon, edhe lekët nuk i harxhon…se babai yt nuk është pasanik, apo jo?

– Dakord jam, faleminderit shumë – ia ktheva plot mirënjohje Katinës, kësaj ekzemplareje pozitiviteti në atë kohë dijesh e kulture.

Nuk ndodhi tamam ashtu siç tha Katina, unë nuk isha i përhershëm në leximet brenda librarisë. E mira Katinë, mëndjendritura dhe zemërmira si ajo, e gjeti zgjidhjen e duhur, më sillte libra nga simotra e librarisë, biblioteka e shtëpisë, një set librash të përzgjedhur që Viktori dhe Katina j’u a shërbenin Nashos e Turit.

Shpesh në shkrime për njerëz të mirë ka realizëm dhe letërsi, por në rastin e Katinës dominon dukshëm realizmi. Kush dikush shkruan diçka për njerëz të mirë, nuk do ta quante të kryer misionin nëse nuk do të shkruante për Katinën, ndaj unë i them vetes :

Bëre shumë mirë Ladduro që shkruajte për Katina Joanidhin, libër simbolin e Q.Stalin të atyre viteve.

Check Also

Najada Çomo i futet politikës, vjen reagimi i Piperos: Lajm i keq për Infektivin

Najada Çomo do të jetë kandidate për deputete e Partisë Socialiste. Mjeku Pëllumb Pipero u …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

2 × 3 =