Home / Opinion / Një ngjarje që u harrua ndodhi dje në Washington

Një ngjarje që u harrua ndodhi dje në Washington

—Veton Surroi

 A u angazhua diplomacia më e rëndë botërore për të prodhuar dokumente që nuk janë marrëveshje? Dhe si do ta vazhdojë Kosova tutje rutinën?

Në Washington, në ditën e katërt të shtatorit të vitit 2020, nga ekranet televizive dilte pamja e zyrës ovale të presidentit të SHBA-së. Në tavolinën e tij ishte presidenti Trump, në të majtën e tij (në Tv) presidenti i Serbisë, Vuçiq, ndërsa në të djathtën kryeministri i Kosovës, Hoti. Nga ekranet dilte deklarata e presidentit amerikan se po nënshkruhej një marrëveshje historike. Disa orë më vonë u botuan dokumentet e nënshkruara, që dukeshin bukur larg të merituarit të quhen “historike”. Ja një lexim i shpejtë.

1. Në Washington nuk pati marrëveshje Kosovë-Serbi:

Presidenti Vuçiq nënshkroi një dokument zotimesh, të dakorduara më herët me palën amerikane dhe me delegacionin e Kosovës. Ky dokument është juridikisht një ofertë e njëanshme e Serbisë, njohur pastaj në kontraktualitet me një letër njohëse nga presidenti Trump.

Të njëjtën gjë e bëri edhe kryeministri Hoti dhe me të njëjtën procedurë mori cilësinë e kontratës.

Serbia i premtoi SHBA-së se do të sillet ndaj Kosovës – dhe Hezbollahut, rrjetit 5G, 69 shteteve që kriminalizojnë homoseksualitetin, sipas pikave të dakorduara. Dhe Kosova bëri të njëjtën gjë, pra premtoi se do të sillet ndaj Serbisë, Hezbollahut dhe të tjerëve ashtu siç ka premtuar.

Presidenti Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës nuk nënshkruan të njëjtën copë letre.

2. Në Washington nuk pati marrëveshje të njohjes së ndërsjellë:

Kriza politike kosovare e vitit 2020 u arsyetua me nevojën e formimit të një pushteti që do të marrë guximin të shkojë në Washington dhe të nënshkruajë marrëveshjen e njohjes së ndërsjellë mes Serbisë e Kosovës, të ndërmjetësuar nga presidenti Trump.

Në Washington shkoi delegacioni i Kosovës me mandat të vetëdeklaruar të nënshkrimit të marrëveshjes së njohjes së ndërsjellë (“sepse nuk shkojmë për gjë tjetër”) e jo që nuk u nënshkrua një marrëveshje për njohje të ndërsjellë, por nuk u nënshkrua kurrfarë marrëveshjeje e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

3. Çka është “normalizimi ekonomik?”

Kryeministri Hoti dhe disa prej pjesëmarrësve deklaruan se atë që kishin nënshkruar është një rrugë që çon në “normalizim ekonomik”, që pastaj do të çojë në “normalizim politik”, i cili pastaj çon në njohje të ndërsjellë.

Kosova ka nënshkruar në Bruksel, më 2013-n, Marrëveshjen e parë për normalizim politik. Prej atëherë kanë kaluar shtatë vjet dhe marrëdhëniet nuk janë normalizuar. Ideja se në Washington duhet të fillojë një proces më 2020-n, që duhet të shpjerë në gjendjen e paravitit 2013, duket si një humbje monumentale e kohës dhe resurseve të tjera.

4. Një shportë zotimesh të mira:

Kosova ka bërë zotime të mira për përmirësime infrastrukturore në marrëdhënie me Serbinë. Nëse financat amerikane ia dalin dhe shihet leverdia ekonomike, do të ketë më shumë rrugë të mira që i lidhin Kosovën e Serbinë , më shumë hekurudhë, e posaçërisht hekurudhë që e lidh Adriatikun me të dyja vendet. E njëjta gjë vlen edhe për studimin e fizibilitetit për shfrytëzimin energjetik të Ujmanit: shumë mirë që e bëjnë dhe kur ta përfundojnë, të dyja palët do të shikojnë se çka është ajo që u leverdis. Substanca e “normalizimit ekonomik” është kaq: një listë zotimesh që edhe po u kryen në tërësi e pa asnjë problem kanë bërë që njerëzit dhe mallrat të udhëtojnë gjysmë ore apo një orë, apo dy orë më shpejt prej një pike në pikën tjetër. Për fat të keq, shpejtësia e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave nuk është problemi kryesor me të cilin zgjidhet “normaliteti” mes Kosovës e Serbisë. Është konflikti i papërfunduar mes dy vendeve.

5. “Mini-Shengeni” tash i mirë:

Ideja e një hapësire të “katër lirive” evropiane në Ballkanin Perëndimor, pos që u promovua me shumë pak finesë e sens politik, hasi në kundërshtim imediat në shumë qarqe në Kosovë. Ndër më të zëshmit ishte rrethi politik i kryeministrit të tanishëm të Kosovës. Refuzimi ishte më shumë emocional sesa i shpjeguar mirë.

Kosova tash ka pranuar, emocionalisht, të jetë pjesë e “Mini- Shengenit”. Diçka që ka mundur ta negociojë më herët, gjatë dy vjetëve të kaluar, tash e ka pranuar pa pyetur fare.

6. Faktori mysliman dhe Izraeli:

Si pjesë e rëndësishme e ngjarjes në Washington është njohja e Kosovës nga ana e Izraelit. Ky hap pozitiv për Kosovën, megjithatë, duket se e tejkalon vlerën që ka për Kosovën. Sipas presidentit Trump, Kosova është shteti i dytë mysliman që e njeh Izraelin gjatë mandatit të tij, dhe “shumë shtete të tjera islamike dhe arabe” do të vazhdojnë më tutje. Nga ana tjetër, për Serbinë , kjo pikë është shndërruar në obligimin që Beogradi ta transferojë ambasadën e vet në Jerusalem më 2021-n, diçka që shkon kundër politikës së përbashkët të jashtme evropiane.

Kosova kështu vendoset në një shportë identitare që nuk i përket-arabe e islamike, ndërsa Serbia ftohet të ikë nga politika e jashtme evropiane, me të cilën edhe ashtu nuk i ka mbetur shumë afinitet.

7. Si duket Kopshti i trëndafilave:

Kosovarëve u është premtuar se do të nënshkruajnë diçka në Kopshtin e trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë. Kopshti është sinonim për marrëveshje historike- më e madhja ka qenë ajo mes Arafatit dhe liderëve izraelitë, e më herët mes presidentit egjiptian, Sadat, dhe kryeministrit izraelit, Begin.

Kopshti është sinonim po ashtu për rolin e veçantë dhe të papërsëritshëm të Amerikës. SHBA-ja ka, si superfuqi, mundësinë e veçantë që të ndërmjetësojë vetë dhe me forcë, në mënyrë që të arrihen marrëveshjet e vështira. Është si të thuash resursi më i madh, i rëndë dhe i kushtueshëm në diplomacinë botërore. Dje u shpenzua për diçka që nuk do të mbahet mend gjatë për ndonjë gjë konsekuente. Ka gjasa që dokumentet e nënshkruara, pas jo shumë kohësh, të përdoren si ilustrime shpotitëse për shpenzim të kotë të diplomacisë më të kushtueshme botërore, atë amerikane, në veçanti nëse zgjedhjet në Amerikë e ndërrojnë administratën.

8. Një vit për “normalizim”, me rutinë:

Kosova e nënshkroi me dorë të veten se gjatë një viti politika e saj e jashtme nuk do të merret me avancim në njohje nga shtetet apo institucionet, por në “normalizim”. Pos këtij “ekonomik”, të cilin u zotua se do ta bënte në Washington, e pret ai politik në Bruksel. Të hënën, më 7 shtator, kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq do të takohen në Bruksel dhe tema e parë e këtij takimi, ndërmjetësuar nga z.Lajçak, janë “aranzhimet për komunitetet joshumicë”. Pas këtij formulimi qëndron çështja e bashkësisë së komunave serbe, për të cilat u zotuan dy kryeministra të mëhershëm të Kosovës, H.Thaçi dhe I.Mustafa, duke hapur për negociim shtyllat e rregullimit kushtetues të Kosovës.

Vendi ka pse të brengoset: procesi negociator po shkon me rutinën e vet disavjeçare, ku Kosova merr pjesë në një proces për të cilin as që është konsultuar, as pajtuar e as që di çka do të prodhojë.

 

Check Also

Pistat e ekuilibrit të ri të interesave BE-Kinë

Nga Aleksander ÇIPA- Kohët e fundit, cikli mediatik në Europë kalon me shpejtësi marramendëse. Situata …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eight + 13 =