Home / Kryesore / Një nga detyrat e përfaqësive diplomatike shqiptare gjatë diktaturës ishte asgjesimi i librave “armiqsor” që botoheshin jashtë Shqipërisë

Një nga detyrat e përfaqësive diplomatike shqiptare gjatë diktaturës ishte asgjesimi i librave “armiqsor” që botoheshin jashtë Shqipërisë

Nga Dr. Hasan BELLO –
Një nga detyrat e përfaqësive diplomatike shqiptare gjatë regjimit komunist, ishte përndjekja e emigracionit politik, gazetave, revistave dhe librave, që organizata të ndryshme antikomuniste botonin nga SHBA-ja deri Europë. Një nga këta libra për të cilin Tirana zyrtare ndjehej e shqetësuar ishte ai i Kostandin Çekrezit, i botuar në vitin 1951 në Washington, me titull “Plani i tretë i copëtimit të Shqipërisë”. Në këtë libër, autori përshkruan krizën politike që kishte përjetuar vendi ynë në vitet 30-të; tre planet për copëtimin e Shqipërisë; regjimin zogist, fashist dhe komunist; Shqipëria në objektivat dhe planet gjeostrategjike në sytë Fuqive të Mëdha; kontradiktat në gjirin e emigracionit politik dhe organizatave patriotike në SHBA; rezulutën e senatorit amerikan të Floridës, Papper për copëtimin e Shqipërisë në qershor të vitit 1946; vazhdimin e regjimit komunist dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Por çfarë e shqetësonte regjimin komunist tek ky libër?
Në këtë libër autori shpreh disa pikëpamje që binin në kundërshtim me propagandën dhe qëndrimet zyrtare, si: kush e këshilloi dhe e nxiti qeverinë e Enver Hoxhës të mos njihte traktatet e vjetra mes Shqipërisë dhe Amerikës, kur të gjitha vendet ballkanike i kishin njohur ato; kush i vendosi minat në Kanalin e Korfuzit, që shkaktuan mbytjen e dy luftanijeve britanike dhe vrasjen e disa marinarëve; kush e shtyu qeverinë e Tiranës për të prishur marrëdhëniet me SHBA-të dhe për ta izoluar vendin nga Perëndimi?
Pavarësisht pikëpamjeve të autorit dhe analizës së ngjarjeve në këtë libër, me të drejtë ai thekson se, ishin anglo-amerikanët që e shtynë Shqipërinë drejt influencës dhe sundimit komunist. Kjo lidhet me interesat krejtësisht pragmatiste dhe gjeopolitike në vitet e LDB-së. Kur aleatët anglo-amerikanë e kuptuan këtë, ishte tepër vonë. Ai ka shumë të drejtë kur shkruan se diktaturat ideologjike, qofshin këto fashiste, naziste ose komuniste, për të realizuar objektivat e tyre me efektivitet, veshin rrobën e idealizmit. Sipas tij, regjimet komuniste nuk janë gjë tjetër veçse kopje të njëri-tjetrit dhe veprojnë në mënyrë të ngjashme.
Me mjaft interes për ta ilustruar këtë është një dialog që autori kishte patur në një kamp internimi në Francë në vitin 1941 me Mehmet Shehun. Ky i fundit i kishte deklaruar se për të rrënjosur komunizmin në çdo vend, e sidomos në Shqipëri, ishte e nevojshme të shfaroseshin të gjith elementët kundërshtarë, në mënyrë që të mbeteshin vetëm ata që besonin, pa rezerva, në dogmën komuniste. “Po në qoftëse shumica e popullit është kundër?”-e pyet Kost Çekrezi. “Atëherë shumica duhet shfarosur”-i përgjigjet Mehmet Shehu.
Këto dhe detaje të tjera plot kritika për regjimin komunist bënë që ai ta dënonte këtë libër “me vdekje”. Më 17 shkurt 1960, përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë në OKB, Reis Malile i shkruante ministrit të Jashtëm Halim Budo nga New Yorku se, për këtë detyrë kishte ngarkuar një person i cili kishte arritur të lokalizonte vendin ku ishin depozituar 500 libra. Prandaj kërkonte udhëzime lidhur me sasinë që i nevojiteshin ministrisë dhe çfarë duhej bërë me pjesën tjetër të këtyre librave. Ministri i Jashtëm pasi kërkonte nga përfaqësia të ruante 100 kopje, pjesën tjetër urdhëroi që ta asgjesonin me zjarr.
Por me udhëzimin që të bëhej kujdes dhe pa rënë në sy.
Kur vendime të tilla mereshin për librat e kundërshtarëve politikë, po me ta personalisht çfarë praktikë ndiqej?

Check Also

Fantazmat e lëvizjeve të kufijve aviten përsëri në Ballkan

Nga Akri  ÇIPA –   Fantazmat e lëvizjeve të kufijve aviten përsëri në Ballkan. Më …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two × 4 =