Home / Opinion / Një ndjesë e vonuar për një skandal të paharruar!

Një ndjesë e vonuar për një skandal të paharruar!

Nga Bardhyl BEJKO –

 

Kërkimi i ndjesës, faljes edhe në marrëdhëniet shoqërore mes miqsh, të afërm, kolegëve në punë, kudo që ndodh është një veprim i mirëpritur, i vlerësuar, i virtytshëm kur është i sinqertë, në kohë pa paragjykime dhe pendesa. Në politikë, ndjesa merr një përmasë më të gjerë, si akt reflektimi, marrje përsipër e përgjegjësisë dhe pasojave për atë që ke bërë keq dhe ka shkaktuar trauma shoqërore në proceset demokratike, kur në vend të debateve dhe marrëveshjeve, bashkëpunimit edhe midis palëve të kundërta, ke zgjedhur konfliktin, jo bashkëpunimin mes palëve politike, pozitë-opozitë.

Deri tek ndjesa, liderët e partive reflektojnë dhe nxjerrin përgjegjësitë përse kanë gabuar dhe zgjedhur rrugën e gabuar për arritjen e qëllimit. Pse dhe në vend të diskutimit dhe gjetjes së pikave të kontaktit i ke rënë shkurt, ke përqafuar zgjidhje të që nuk i kanë shërbyer atyre që përfaqëson, po ke shkaktuar dëme serioze në mbarë shoqërinë. Ke nxitur konflikte dhe të çara në marrëdhëniet mes palëve, cënuar rënd progresin dhe vetë demokracinë. Në jetën e përditshme, kur dikush kërkon falje pendohet për një veprim të kryer në emocion e sipër se ashtu e gjykoj për një çast, merr kurajon t`i kërkoj ndjesë personit apo një grupi të caktuar shoqëror me sinqeritet, pa asnjë qëllim përfitimi apo sa të hedhi hallin fiton kredo morale. Të gjithë e njohim sentencën brilante: “Koka e falur nuk pritet”.

Kjo është reale kur falja, ndjesa, është e ndjerë, buron nga zemra, ka brenda sinqeritetin, është reflektim i ndërgjegjshëm, pa imponim, është i natyrshëm. Ndodh kështu edhe kur bëhet fjalë për kërkim ndjese që nuk prek një numër të madh qytetarësh, po thjesht në marrëdhënie individësh, familjesh kur veprimi i gabuar, i padrejtë nuk sjell pasoja në shkallë të gjerë. Kur janë qëndrime politike apo reflektime të konflikteve mes palëve mazhorancë-opozitë apo mes pushteteve, legjislativ, ekzekutiv, medias dhe shoqërisë. Kërkimi i ndjesës bëhet kur dikush ka shkelur një normë, parim, marrëdhënie shoqërore, njerëzore. Jo kur shkelet ligji apo cënohet rendi kushtetues dhe siguria e proceseve demokratike, pluralizmi apo vetë shoqëria.

Në këto raste kërkimi i ndjesës bëhet për probleme të mëdha me rezonancë kombëtare. Për këto raste, shtrohen shumë pyetje, gjykohet më gjerë. Është cënuar sistemi, vetë shoqëria e cila me veprime që tronditin vendin, ndjesa e deklaruar në një moment parazgjedhor e thënë në një podium partie pas dy vitesh siç ndodhi me nënkryetarin e LSI-së, ditë më parë, i cili mori përsipër të deklaronte në emër të partisë, ku është numër dy i saj se i kërkonte ndjesë Presidentit të Republikës, zotit Ilir Meta për mosmbajtjen vesh të këshillës së tij të vyer për mosdorëzimin e mandateve të deputetëve dhe braktisjen e Parlamentit, duke lënë pa përfaqësim elektoratin, deleguar me votë në tempullin e demokracisë.

Po analizuar arsyet e vonesës së një ndjese të tillë edhe faktin që këtë nuk e bëri kryetarja e partisë, bashkëshortja e presidentit dhe ka barrën përgjegjësisë dhe peshën në vendimmarrjet e rëndësishme. Zoti Luan Rama na tha se presidenti ka qenë kundër këtij veprimi dhe ata nuk ia kanë dëgjuar fjalën, se ai ishte parimor dhe kërkonte respekt për Kushtetutën edhe pse asnjë herë nuk foli për këtë braktisje të madhe të deputetëve të partisë që ka themeluar dhe udhëhequr për shumë vite. Ndjesa është e supervonuar për një skandal të paharruar. Braktisja në kuptimin kohor është dy vjeçare. U deshën dy vjet që LSI të deklaronte se ishte kundër dëshirës dhe sugjerimit të Presidentit, se kanë vepruar në nxitim e sipër për inerci, iu nënshtruan emocioneve dhe mbajtën qëndrim si opozita në tërësi, iu bindën më shumë Lulzim Bashës se Ilir Metës?! Një arsyetim i tillë nuk shkon, duket i sforcuar, larje goje, i pabesueshëm.

Është e pamundur që LSI të mos dëgjonte këshillën e themeluesit të saj, të bëhej atëvrasëse që pavarësisht se është president, jeton me pulsin e partisë dhe ndjek në çdo hap edhe frymëmarrjen më të lehtë, hapat më vogla, le më kapërcimet galopante, si braktisjes me entuziazëm të jashtëzakonshëm të Parlamentit, duke e trajtuar dorëzimin e mandateve si festën e fitores më të rëndësishme të viteve në opozitë. E gjithë bota demokratike, faktori ndërkombëtar, institucionet më prestigjoze BE dhe SHBA, e cilësuan djegien e mandateve, veprim antidemokratik, hap të nxituar. Vetëm opozita dhe ish-deputetët e partive që kishin fituar mandatet për të përfaqësuar elektoratin e tyre në kuvend nuk reflektuan për asnjë moment. Të gjithë kujtojmë me sa krenari, gati në delir, ikën nga salla e Parlamentit, një duzinë me deputetë dhe zgjodhën rrugën, nisën protestat e dhunshme.

Në realitet, strategjia dhe skenari i përzgjedhur për të braktisur Kuvendin nuk ishte një veprim teknik, i momentit, as një bllof a taktikë. Ishte i mirëmenduar, llogaritur në detaje se cili do ishte përfitimi. Synimi, jo vetëm bllokimi i jetës politike, po edhe përmbysja me dhunë e qeverisë. Largimi i deputetëve nga Kuvendi, e kthenin atë në Kuvend monist, pa alternativë, pa opozitë dhe për rrjedhojë, bota nuk do pranonte demokraci jo funksionale. Ishte qëndrimi i kandidatëve nga partitë që braktisën Parlamentin që pranuan të bëhen opozita e re dhe t`i jepnin dimensionin e nevojshëm jetës politike në vend. Nuk u la të zbatohej skenari i bojkotit, rrëzimi i pushtetit përmes manovrave të tilla të padenja për një vend demokratik.

Zoti Luan Rama, i kërkoi ndjesë presidentit kur në fakt duhet t`u kërkonte ndjesë elektoratit që i kishte votuar tërë qytetarëve, të cilët për dy vjet mbetën pa përfaqësim se deputetët e tyre zgjodhën të largohen nga salla e Kuvendit në bulevard për të protestuar. Ashtu siç vepruan më pas me bojkotin e zgjedhjeve të pushtetit lokal, duke shtrirë më tej skenarin për të paralizuar pushtetin vendor. Këto bojkote, u shoqëruan me protesta të ashpra të cilat tronditën opinionin shqiptar dhe ishin shembulli më i keq se si nuk duhet bërë politikë dhe goditje në kokë të demokracisë dhe pluralizmit politik, fitorja më e madhe e pas viteve 1990.

Llogaritë e opozitës nuk dolën siç i menduan dhe bojkotet pothuaj u shndërruan në boomerang për vetë ata, pasi mbetën pa u përfaqësuar në pushtetin lokal dhe atë legjislativ. E kthyen opozitën në organizëm pa shpirt, pa mekanizmat për t`u shërbyer qytetarëve që përfaqësojnë. Opozita humbi dhjetëra bashki që i drejtonte për vite me radhë. Humbi mundësinë për të diskutuar dhe luftuar në sallën e Kuvendit për të sugjeruar dhe debatuar për reformat e mëdha dhe ligjet që shërbejnë tërë popullit pas populli nuk ndahet në mazhoritarë e opozitarë. Kanë të njëjtat interesa. Është në një front, jeton në të njëjtin territor dhe ka të njëjtat qëllime, përparimin dhe progresin e Shqipërisë. Ky shans, u flak pa asnjë pendesë. Kaluan shumë kohë. Rrodhën shumë ujëra. U provua se bota e qytetëruar nuk është pro bojkotit. Mesazhet që dhanë institucionet ndërkombëtare, shërbyen për t`u prerë rrugën manovrave të tilla që nuk janë demokratike dhe nuk mbështeten nga askush. Edhe pse kjo u theksua fort, askush nga opozitarët nuk reflektoi.

Edhe pse faktori ndërkombëtar ngriti zërin dhe argumentoi se rruga e zgjedhur është e gabuar askush nuk kërkoi ndjesë nga iniciuesit e bojkotit, politika heshti dhe lidershipi që kishe urdhëruar këtë vendimmarrje bëri qorrin. Përkundrazi u ngritë në qiell braktisja, djegia e mandateve, bojkotimi i zgjedhjeve të pushtetit vendor. Këmbëngulja opozitare se ishte akti më normal, u shoqërua me bojkotin e zgjedhjeve, me sherre, grindje, djegie, rrahje, deri edhe betime për revolucion kundër qeverisë. Ndjesa, është dhe një thumbim për PD-në dhe Lulzim Bashën nga partia që garon e vetme në zgjedhjet e 25 prillit.

Është pendesë që u bënë njësh me vendimin e PD dhe përqafuan nismën e tyre. Shumë hamendësime ka për ndjesën e Luan Ramës, drejtuar Presidentit të Republikës pas dy vitesh. Apo për të na thënë se presidenti dhe LSI kanë pavarësi që shkon deri tek kundërshtimi i këshillave të tij. Mirë do ishte që ndjesa t`u drejtohej shqiptarëve se kështu edhe reflektimi do ishte më i gjerë dhe shoqëria do mësonte për sinqeritetin e LSI-së, e cila më në fund e dënoi vetveten për një veprim si ai i djegies së mandateve.

Po mandatet, janë vetëm njëra prej braktisjeve. Po për zgjedhjet e pushtetit lokal, a është penduar LSI që nuk mori pjesë? Kur do kemi një ndjesë për këtë veprim që i hoqi partisë presidenciale bashkitë që mund të fitonte në se do bëhej pjesë e garës zgjedhore? Sa vite do kalojnë në pritje të ndjesës?

Edhe ndjesa iu kërkua vetëm presidentin, ajo është e supervonuar, gjysmake përderisa nuk u drejtohet qytetarëve që i kishin deleguar në Kuvendin e Shqipërisë, mbështetësve të LSI-së!

Check Also

Fjala e lirë e sulmuar/ Vazhdoni të bërtisni, gazetaria nuk është krim!

Nga Khalifa KHRAISSE – Nuk mund të përshëndetim bashkë me vitin që shkoi, ede problemet …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

one × two =