Home / Histori / Një Mbret për herë të parë në Durrës

Një Mbret për herë të parë në Durrës

Nga Auron TARE-
Një vizitë deri dje e humbur në terrin e kohës: princi i Uellsit, mbreti i ardhshëm i Britanisë, Eduardi VII, ka zbritur në qytetin bregdetar më 1862, në krye të një grupi britanikësh që po kryenin një tur me anije drejt Jeruzalemit, Tokës së Shenjtë. Pesë foto në tokën shqiptare zbulojnë një episod tejet kurioz dhe që shënon të parën vizitë të një mbreti britanik në tokën shqiptare
Ishte një ditë shkurti plot mjegull e vitit 1862 kur një anije e pazakontë iu afrua Limanit të Durrësit dhe u ankorua jo shumë larg bregut. Nga Godina e vetme qeveritare nga ku valëvitej flamuri otoman disa zyrtarë të rangut të ulët dolën me nxitim për t’u ndodhur në molin e vjetër prej druri ku varkat e mëdha sapo kishin sjellë një grup të madh vizitorësh britanikë. Askush nuk e dinte se kush ishin udhëtarët e sapoardhur megjithëse rrobat që mbanin dhe shërbëtorët e shumtë tregonin se ata duhet të ishin njerëz të rangut të lartë. Grupi i britanikëve mes të cilëve shquhej një djalë i ri shumë i pashëm dhe ekspresiv pasi doli në qytetin e përgjumur nga dimri i gjatë filluan të vizitonin rrënojat antike që kishin mbetur në këmbë. Vizita e të huajve sigurisht që tërhoqi vëmendjen e banorëve të cilët kishin mbushur rrugët e përbaltosura të qytetit të vogël. Megjithatë ajo që çuditi më shumë kureshtarët ishte një prej personave të grupit i cili mbante me vete një vegël prej druri me këmbë të gjata si lejlekët e shumtë që dimëronin në kënetat që rrethonin qytetin. Personi me veglën e çuditshme ndalonte për të parë vende të ndryshme dhe dy shërbyesit e tij rregullonin veglën prej druri me të cilën anglezi eksentrik bënte disa matje të çuditshme.
Britanikët shoqëroheshin nga një grup i vogël shqiptarësh të veshur me veshjet tradicionale.Ata me sa duket i përcillnin anglezët nëpër kodrat e buta që rrethonin Durrësin. Shiu i imët i shkurtit ndoshta e pengoi grupin e britanikëve që të eksploronin më tej territorin shqiptar. Askush nuk e dinte se cilët ishin dhe përse kishin ardhur këta anglezë të çuditshëm. Pasi anija u zhduk në horizont vizita e anglezëve u harrua shpejt nga zyrtarët e vegjël të Portit dhe qyteti ra përsëri në përgjumjen e tij.
Por kjo vizitë nuk mbeti pa lënë gjurmë tek djaloshi më i ri i grupit.
” Durrazo, një vend mjaft piktoresk” do të shkruante në ditarin e tij personal ai sapo ishte larguar nga Porti i Shqipërise otomane. ” Shkurt 1862, Albert Princi i Uellsit”
Vizita e princit të Kurorës britanike i cili do të vinte në Fronin e Perandorisë si Eduardi i VII, në Durrësin e përgjumur me sa duket nuk ka lënë asnjë gjurmë historike. Ndoshta Britanikët nuk kanë dashur që princi i Kurorës të ishte nën presionin e ceremonive të autoriteteve otomane apo ndoshta ruajtja e anonimatit ishte një kërkesë e vetë anglezëve. Gjithësesi, deri me sot nuk dihej se grupi i personaliteteve angleze sëbashku me Princin e Kurorës kanë vizituar Shqipërinë përgjatë udhëtimit të famshëm të Turit Mbretëror të Princit të Uellsit në Tokën e Shenjtë. Ky udhëtim i cili krijoi edhe modelin e Turit Mbretëror të cilin ne njohim sot, ishte udhëtimi i parë i një anëtari të familjes Mbretërore që mund të shihej nga populli. Këshilltarët e Familjes Mbretërore morën një vendim historik duke marrë me vete edhe një fotograf zyrtar, i pari në historinë e Mbretërve anglezë, 42- vjeçarin, Francis Bedford.
Fotografitë e këtij udhëtimi historik nuk ishin botuar kurrë më parë dhe ishin pjesë e Koleksionit të familjes Mbretërore britanike. Por në dimrin e kaluar fotografitë e marra gjatë këtij udhëtimi të princit të Uellsit në Tokën e Shenjtë ishin pjesë e një ekspozite të organizuar nga Trusti i Koleksioneve Mbretërore, e me këtë rast fotografitë e Mbretit të Britanise, Eduardi VII, u panë nga një publik i gjerë. Në koleksionin e këtyre fotove si dhe në shënimet e bëra gjatë këtij udhëtimi mësojmë se i gjithë grupi që shoqëronte Princin Albert qëndruan në Portin e Durrësit, një port i vogël në territoret Otomane. Nuk ka ide të qartë nëse autoritetet lokale ishin në dijeni të kësaj vizite apo jo por nëse shohim, britanikët nuk përmendin asnjë ceremoni zyrtare nga autoritetet vendase dhe kjo të lë të kuptosh se ata kanë qënë më shumë në një vizitë private për të parë rrënoja antike që rrethonin Durrësin.
Francis Bedford gjatë kësaj vizite të shkurtër në Durrës ka mundur të shkrepë aparatin e tij vetëm pesë herë duke na dhënë një mundësi për të parë paksa Durrësin e asaj periudhe. Duhet theksuar gjithashtu se teknika e shkrepjes se një aparati fotografik në atë kohë ishte një proces i cili merrte një kohë shumë të gjatë dhe i gjithë procesi bëhej i mundur me ndihmën e dy asistentëve të cilët mbanin në krahë pllakat dhe solucionet që nevojiteshin për këtë proces.
Foto e parë e koleksionit Mbretëror është Xhamia e Durrësit. Një pamje tashmë e zhdukur përgjithmonë. Të ze syri që në qendër janë një grup shqiptarësh të veshur me veshjet tradicionale të zonës dhe me armë në brez. Duket se ata janë shoqëruesit e grupit të britanikëve pasi Francis Bedford i ka vendosur ata në qendër të fotos së dytë. Çuditërisht dy fotot nga pesë të shkrepura në Durrës, tashmë janë pjesë e Koleksionit të Galerise Kombëtare në Kanada, por janë ekspozuar si pjesë e ekspozitës së Kolekionit Mbretëror dimrin e kaluar.
Një nga fotot më të bukura të këtij koleksioni është fotoja e një grupi romësh të cilët me sa duket ishin njerëzit që transportonin qypat e mëdhenj të vajit në Durrës. Kuratorët e kësaj ekspozite vënë në dukje ekspresionin e jashtëzakonshëm që ka kjo foto duke nxjerrë në pah të gjithë elementët e jetës së këtij komuniteti të varfër por mjaft të gjallë të qytetit.
Udhëtimi i Princit të Kurorës në Tokën e Shenjtë në fakt ishte një dëshirë e kahershme e të atit të tij. Princi Albert ishte krijuesi i asaj që sot njihet si “Udhëtimi Mbretëror”. Ai e kishte dërguar të birin në një udhëtim nëpër Kanada dhe në Amerikë në 1860 dhe kjo vizitë kishte qenë një sukses i madh duke konsoliduar marrëdhëniet e këtyre vendeve me Kurorën Britanike. Fatkeqësisht princi Albert vdiq në Dhjetor të 1861. Megjithatë Mbretëresha Viktoria nëna e Princit të Uellsit nuk e ndaloi planin e udhëtimit për në Tokën e Shenjtë por me kushtin që ky udhëtim të bëhej nën “vellon” e zisë zyrtare. Për këtë arsye ajo i dha instruksione specifike Gjeneralit Bruce i cili ishte edhe Guvernatori i Princit të Kurorës.
Por sipas mendimit të disa historianëve të kohës ka shumë mundësi që Mbretëresha Viktoria e donte të birin larg Anglisë për të evituar një skandal që kishte shpërthyer në rrethin e lartë të Anglisë. Flitej kudo se Princi i Kurorës gjatë periudhës së tij në rradhët e ushtrisë kishte pasur marrëdhënie me një prostitutë me emrin Clifden. Kur ky lajm kishte mbërritur në kështjellën e Windsor prinderit e Princit ishin tmerruar nga përmasat e këtij skandali të padëgjuar më parë.
Megjithëse bashkëshorti i Mbretëreshes Viktoria vdiq nga tifoja përsëri Mbretëresha ja hidhte fajin të birit si shkaktari kryesor i vdekjes së të atit. Për këtë arsye Viktoria mori vendimin se udhëtimi i planifikuar nga bashkëshorti i saj për në Tokën e Shenjtë nuk do të ndalohej. Princi Albert i shoqëruar nga disa prej mendjeve më të ndritura në Angli u nis për në Tokën e Shenjtë. Ndalesa e parë sipas një pjesë shumë të vogël të ditarit të tij personal tregon se grupi i britanikëve u ndal në Durrës për të parë rrënojat arkeologjike dhe për pak gjueti. Megjithëse në grupin e Princit ishte si udhërrefyes i historisë antike Arthur Stanley i cili më vonë u zgjodh Dekani i Departamentit të Historisë në Oksford, shënimet e udhëtimit tregojnë për një djalosh të ri i cili nuk kishte asnjë interes për historine antike. Princi i Uellsit kërkonte me shumë të kalonte kohën duke gjuajtur shpendë apo krokodilë në ujrat e Nilit se sa duke vizituar disa nga rrënojat më të famshme të botës.
Gjithë mungesën e pasionit për historinë antike, princi i Kurorës e kompensonte me dëshiren e tij të zjarrtë për çështjet e politikës europiane. Gjatë udhëtimit të tij historik nëpër Tokën e Shenjtë ai takoi disa nga personalitetet më të rëndësishme të kohës duke krijuar edhe një miqësi të gjatë me disa prej tyre si Kuedivin e Egjyptit, Said Pashën. Duhet thënë se princi Albert ishte i pari princ britanik që nga koha e Rikard Zemërluanit që vizitonte Jeruzalemin duke shënuar kështu një eveniment historik. Megjithëse koha e kaluar në Tokën e Shenjtë ishte me shumë një ekspedite private për ta mbajtur larg nga skandali i Londrës Princin e Kurorës, ky udhëtim shërbeu si një ngjarje historike për fotografin zyrtar të ekspeditës, Francis Bedford. Megjithëse Anglia viktoriane kishte pasur mundësi të shikonte pikturat e një sërë piktorësh që kishin udhëtuar në Lindje, ata për herë të parë shikon Lindjen në gjendjen reale. Fotografitë sollën pamje të kësaj pjese të botës të pa parë ndonjëhere në Perëndim. Në ditarin e Mbretëreshës Viktoria shkruhet se pas kthimit nga udhëtimi, princi Albert i tregoi asaj fotot që Francis Bedford kishte bërë. Por Mbretëresha ishte shumë e zënë me trajtimin mjekësor të Gjeneralit Bruce, Guvernatori i Princit të Kurorës i cili u sëmur gjatë këtij udhëtimi dhe vdiq tre javë pasi u kthye në Angli.
Fotot e udhëtimit Mbretëror ishin pjesë e një botimi me shumë pak kopje, një vit pas kthimit në Angli dhe që prej asaj kohë ato kanë qëndruar në Koleksionin Zyrtar të Familjes Mbretërore. Për herë të parë për publikun e gjerë, u ekspozuan disa muaj me parë në Londër duke sjellë atmosferën e Tokës së Shenjtë dhe vende të tjera gjatë periudhës Viktoriane.
Princi Albert i Kurorës pas vdekjes se të ëmës u ngjit në Fronin Mbretëror si Eduardi VII.

Check Also

A ishin Kalorësit Templarë, pasardhësit e Pleqve Hebrenj?

Kalorësit Templarë mbërritën në Tokën e Shenjtë me misionin për të rimarrë një thesar që …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

7 + 4 =