Home / Analize / Nisma e tri deteve dhe Shqipëria

Nisma e tri deteve dhe Shqipëria

Shaban Murati/

Zakonisht nismat diplomatike janë të përqendruara rreth një rajoni ose kanë karakter kontinental, ose global, por është rast i rrallë, që një nismë diplomatike të përfshijë tri rajone gjeografike të ndryshme. Ndaj paraqet interes nisma diplomatike “Adriatik-Baltik-Deti i Zi”, që synon vendosjen e një bashkëpunimi më të ngushtë midis vendeve anëtare të BE, që shtrihen në harkun gjeografik të tri deteve, nga veriu i Europës në jug dhe nga perëndimi në lindje.

Nisma është ndërmarrë nga presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, e cila është dalluar për ide dhe vizione origjinale diplomatike, që nga ardhja e saj në postin më të lartë të vendit vitin e kaluar. Presidentja e Kroacisë hodhi që në fillim idenë e kësaj nisme të re diplomatike, e cila tashmë ka hyrë në axhendën e diplomacisë europiane si një projekt perspektiv.

Në 25 gusht të këtij vitit u mbaj Forumi i Dubrovnikut i vendeve anëtare të nismës, i cili shpalli edhe deklaratën e nismës së tri deteve si platformë të saj dhe që u quajt “Deklarata e Dubrovnikut”. Në të nënshkruan 12 shtete anëtare të BE, Kroacia, Austria, Sllovenia, Hungaria, Çekia, Sllovakia, Polonia, Letonia, Lituania, Estonia, Bullgaria dhe Rumania. Deklarata shpreh mbështetjen e përbashkët për megaprojektet e energjisë, të transportit dhe të komunikimit dixhital për të lidhur Europën Veriore, Qendrore dhe Lindore.

Qëllimi i nismës është të lidhë dhe të ndërtojë korridorin veri-jug të gazit, të vendosë një bashkëpunim të ngushtë midis vendeve të detit Adriatik, detit Baltik dhe detit të Zi dhe të unifikojë tregun europian të energjisë. Nisma synon të realizojë një vetëmjaftueshmëri energjetike brenda tri rajoneve europiane, duke u lidhur më ngushtë me njeri-tjetrin dhe duke diversifikuar së bashku burimet e energjisë.

Dy nga projektet baze të mbështetura nga nisma në këtë drejtim janë terminali i gazit të lëngshëm natyral, LNG, në ishullin Kërk të Kroacisë, që do të përbëjë boshtin më të rëndësishëm të korridorit të ri të gazit nga deti Adriatik në detin Baltik. Projekti tjetër i rëndësishëm i mbështetur nga nisma është ai i gazsjellësit Jonian-Adriatik, IAP, për të cilin Kroacia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina nënshkruan gjatë punimeve të Forumit të Dubrovnikut një memorandum mirëkuptimi me kompaninë e madhe shtetërore azere të gazit, “Socar”.

Nisma diplomatike e tri deteve ka në përmbajtjen e saj dimension ekonomik, energjetik, gjeopolitik dhe strategjik. Ajo përfshin 12 shtete të Bashkimit Europian, që ndjejnë nevojën e vendosjes dhe të shtrirjes së një bashkëpunimi më të ngushtë midis rajoneve gjeografike të tri deteve europiane, detit Adriatik, detit Baltik dhe detit të Zi. Karakteristikë e nismës së tri deteve është se ajo nuk ka për promotor apo për udhëheqje një shtet të madh të fuqishëm, por janë të 12-ta shtete të BE, pak a shumë në të njëjtin nivel fuqie. 12 shtete janë anëtare të BE dhe 11 prej tyre janë anëtare të NATO-s.

Pra, nisma lëviz në kuadratin euroatlantik. Kjo i jep nismës së tri deteve një përmbajtje më të thellë dhe më të rëndësishme në planin gjeopolitik.

Në kohën e përplasjeve dhe të konflikteve gjeopolitike në zhvillim e sipër në kontinentin europian, të cilat kulmuan me ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Ukrainë, me aneksimin e dhunshëm të Krimesë dhe me ndezjen e luftës separatiste proruse në Ukrainën Lindore, burimet dhe format e kërcënimit dhe të rrezikut për shtetet europiane të brezit, që ndodhet ndërmjet Europës së vjetër Perëndimore dhe Rusisë, u shumëfishuan dhe u bënë edhe më të ndjeshme.

Këto janë shtete, të cilat janë quajtur “Europa e re”, sepse shumica e tyre iu bashkuan integrimit perëndimor euroatlantik pas rënies së komunizmit dhe i kanë përkitur dikur Traktatit ushtarak të Varshavës, të sunduar nga Moska. Këto shtete konsiderohen e dhe sot e kësaj dite nga Rusia si zonë natyrale e influencës ruse në kontinent dhe kjo po materializohet me luftën hibride ruse kundër tyre për t’i vënë nën kontrollin rus.

Të gjitha shtetet e nismës së tri deteve kanë qenë shtete ish-komuniste, (me përjashtim të Austrisë), të cilat pësuan një transformim kolosal me ndërrimin e regjimeve nga ai komunist në qeveri demokratike dhe të cilat natyrisht kanë dashur dhe duan edhe kohë për të arritur nivelin e standardeve dhe të rezonancës së vlerave me Europën e vjetër Perëndimore. Është një situatë gjeopolitike, që ka nxitur nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë midis shteteve dhe rajoneve të nismës së tri deteve, me qëllim të barazimit të niveleve me Europën e vjetër dhe për rritjen e kapaciteteve zhvilluese dhe mbrojtëse të tyre përballë sfidave dhe kërcënimeve të ditëve të sotme.

Nisma e tri deteve duhet parë si një nismë e zhvillimit të idesë europiane dhe të aftësisë së Europës për të gjetur forma dhe mënyra të adaptimit të shpejtë me zhvillimet e reja ndërkombëtare, për konsolidimin dhe prosperimin e gjitha shteteve anëtare të BE, të qendrës dhe të periferisë së BE. Me vendosjen e një bashkëpunimi të ngushtë dhe specifik midis rajoneve europiane të detit Adriatik, të detit Baltik dhe të detit të Zi, nisma e tri deteve sjell një kontribut në forcimin e sigurisë dhe të stabilitetit në Europën Veriore, Qendrore dhe Lindore. Në këtë linjë, ajo kontribuon për të gjithë kontinentin europian dhe komunitetin transatlantik.

Padyshim nisma është një koordinim dhe përputhje interesash edhe me BE, edhe me Aleancën Atlantike. Krijimi dhe konsolidimi i një lidhshmërie energjetike midis shteteve të tri rajoneve detare krijon një siguri energjetike dhe strategjike më të madhe për këto shtete, por edhe për vetë BE dhe për krejt Europën. Në këtë mënyrë, nisma e tri deteve ndihmon në neutralizimin e strategjisë dhe objektivit gjeopolitik të Rusisë për të përdorur energjinë dhe gazin si një instrument të influencës ruse në vendet europiane dhe të taktikës ruse për të përçarë vendet e BE me intrigat edhe lojërat e komplikuara të gazsjellësve. Forcimi i pavarësisë energjetike dhe infrastrukturore ndëreuropiane shihet si pengesë gjeopolitike nga Kremlini, i cili shfaqi menjëherë qëndrimin dyshues për këtë hap të shteteve europiane ish-komuniste, që refuzojnë ndikimin e saj. Moska është kundër nismës së tri deteve dhe portali rus “Russia insider” shkruante se kjo nismë lejon NATO-n të formojë tri fronte të veçanta kundër interesave të Rusisë, duke synuar atë nga Baltik-Arktiku, Europa Lindore dhe Deti i Zi.

Është interesant për t’u theksuar se nismën e tri deteve e përkrahu që në fillim Kina. Presidenti kinez e ka vlerësuar nismën e tri deteve. Në Forumin e Dubrovnikut mori pjesë edhe zëvendësministri i Jashtëm kinez, Liu Haixing, i cili deklaroi se zhvillimi i korridorit të nismës së tri deteve është i përputhshëm me strategjinë kineze të rrugës së mëndafshit. Është hera e parë që Kina del hapur në mbështetje të një nisme diplomatike trerajonale në Europë dhe e mban këtë qëndrim diplomatik, që është në antitezë me qëndrimin e Rusisë, e cila e konsideron nismën e tri deteve si një akt kundër interesave të saj.

Nisma e tri deteve rinxjerr në plan të parë rëndësinë, që marrin detet në strategjinë dhe në planifikimet gjeopolitike të diplomacisë dhe të shteteve në kohën e sotme. Diplomacia e deteve dhe gjeopolitika e deteve kanë pasur, kanë dhe do të kenë një rëndësi dhe prioritet të përhershëm në zhvillimet dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndaj, nisma e tri deteve përbën një konfirmim të rëndësisë së këtij prioriteti, gjë e cila duhet marrë në konsideratë prioritare nga vendet e Ballkanit dhe nga Shqipëria.

Nisma e tri deteve përfshin dy dete, të cilat lagin Ballkanin, detin Adriatik dhe Detin e Zi. Pavarësisht se deri tani në nismën e tri deteve janë pjesëmarrëse 12 shtete anëtare të BE, nisma e ka lënë derën hapur edhe për shtete të tjera dhe në “Deklaratën e Dubrovnikut” theksohet thirrja drejtuar shteteve të interesuara që të bashkohen në këtë nismë. Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, në 20 tetor deklaroi se Ukraina është e gatshme t’i bashkohet nismës së tri deteve. Ballkani Perëndimor mund të thuhet së është i favorizuar, sepse katër nga gjashtë shtetet që e përbëjnë janë shtete kandidate të BE.

Edhe Brukseli, edhe Uashingtoni e kanë mbështetur nismën e tri deteve dhe shtrirjen e saj drejt Ballkanit Perëndimor. Në Forumin e Dubrovnikut, gjenerali amerikan James L. Jones, ish-këshilltar i Sigurisë Kombëtare i presidentit Obama, deklaroi se, “duke lidhur nismën e tri deteve me shtetet e Ballkanit Perëndimor, që nuk janë anëtarë të BE, do të dobësohet aftësia e Rusisë për të përdorur energjinë si një mjet i pakësimit të pavarësisë së vendeve të rajonit”.
Përballë këtyre zhvillimeve e lëvizjeve diplomatike të karakterit ndërrajonal dhe kontinental, është e rëndësishme të kërkohet dhe të luhet nga Shqipëria një rol më aktiv në drejtim të sigurimit të një pozicioni dhe partneriteti aktiv.

Nisma e tri deteve i hap Shqipërisë një hapësirë të re dhe specifike të veprimit diplomatik, ku bashkohen disa elemente njëherësh, të cilat nuk i kanë shtetet e tjera, që janë jashtë nismës dhe aspirojnë të aderojnë në të.

Së pari, duhet thënë se Shqipëria është shteti kyç i gazsjellësit Joniano-Adriatik, IAP, një projekt ndër kryesorët e nismës së tri deteve. Shqipëria është vendi lidhës i gazsjellësit Transadriatik, TAP, me gazsjellësin IAP, që do të jenë dy gazsjellësit europianë të Korridorit Jugor të gazit, që do të transmetojë gazin e detit Kaspik drejt Europës. Ky rol ndërlidhës duhet synuar të shtrihet e të zgjerohet në një rol stacionimi apo depozitimi qendror ballkanik të gazit azer. Një rol, që Moska ka synuar dhe synon t’ia japë Serbisë me gazsjellësit rusë, të projektuar për të kaluar nëpër Ballkan. Shqipëria duhet ta kërkojë këtë rol dhe të punojë në terrenin diplomatik për këtë, sepse nuk ta japin në pjatë. Nisma e tri deteve është një terren apo një korridor, ku duhet të penetrojë shteti dhe diplomacia jonë për të siguruar një rol të tillë dhe rrjedhimisht, edhe pjesëmarrje aktive në nismën e tri deteve.

Së dyti, duhet thënë se Shqipëria ka avantazhin që laget nga dy dete, deti Adriatik dhe deti Jon, nëpërmjet të cilëve do të kalojë korridori i transportit detar ndërkombëtar të gazit të lëngshëm dhe ky pozicion gjeografik e kthen edhe Shqipërinë, bashkë me Italinë, në një faktor të rëndësishëm për sigurinë dhe garantimin e këtij korridori të transportit detar të gazit.

Së treti, Shqipëria është i vetmi shtet anëtar i NATO-s nga Ballkani Perëndimor, po të kemi parasysh se Mali i Zi ende nuk është zyrtarisht anëtar i NATO-s. Duke qenë se 11 shtete të nismës së tri deteve janë anëtarë të NATO-s, Shqipëria mund të ketë hapësirë të rrisë interesin dhe pjesëmarrjen në planin strategjik dhe gjeopolitik të aleancës atlantike dhe të shteteve anëtare, që marrin pjesë në këtë nismë.

Së katërti, Shqipëria duhet ta konsiderojë një element dhe faktor pozitiv, faktin që protagonist i kësaj nisme të rëndësishme diplomatike është Kroacia, një shtet jo vetëm anëtar i NATO-s, por një shtet me të cilin Shqipëria nuk ka pasur asnjë problem në historinë e saj, asnjë rivendikim dhe asnjë konflikt dhe që kanë marrëdhënie shembullore. Roli nismëtar i Kroacisë në nismën e tri deteve ka rëndësi të veçantë gjeopolitike për Shqipërinë dhe për rajonin tonë, se neutralizon çdo përpjekje të Serbisë për të fituar apo siguruar rol udhëheqës në Ballkanin Perëndimor. Xhelozia dhe prirja proruse e pengoi Serbinë të merrte pjesë në Forumin e Dubrovnikut për nismën e tri deteve.

Në këto kushte, shteti shqiptar dhe diplomacia e tij duhet të prioritarizojnë veprimtaritë dhe orientimet e tyre drejt detit dhe shteteve me të cilët na lidh deti.

Mua më pëlqen të përsëris shpesh devizën e famshme të Uinston Çërçillit se, “sa herë do të kem për të zgjedhur midis kontinentit dhe detit, unë do të zgjedh detin”.

Check Also

Zgjedhjet në SHBA, Tarifa: Fitorja e Biden do të ishte në të mirë të interesave të shqiptarëve

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qytetarët po marrin vendimin që do t’i japë formë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

four × four =